Aktualitet
Sot do të mbushte 50 vjeç/ Kush ishte “Tani i Topit”, themeluesi i revolucionit mediatik në Shqipëri

16 tetori është përvjetori i lindjes i të ndjerit Dritan Hoxha , themeluesit të Top Medias, njeriut frymëzues dhe inovativ.
Dritan Hoxha, do të festonte ditëlindjen e tij të 50-të ditën e sotme, sikur aksidenti tragjik i vitit 2008 të mos i kishte marrë atij jetën.
Presidenti i “Top Media”-s, apo siç njihej ndryshe si “Tani i Topit”, humbi jetën në një aksident fatal automobilistik në maj të vitit 2008, në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, kur automjeti “Ferrari” me të cilin po udhëtonte 40-vjeçari Hoxha doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe të një vajze 27-vjeçare.
Dritan Hoxha lindi në Kukës, i biri i Fiqiriut dhe Zyrasë. Familja e tij la vendlindjen dhe u vendos në Laprakë, ku biznesmeni kaloi fëmijërinë e tij.
Vitet ‘90 e gjetën Dritan Hoxhën në fillimet e një biznesi që do të njihte më pas vetëm rritje, fuqizim e zgjerim. Që në atë kohë, 40-vjeçari që humbi jetën dje u identifikua si pronari i kompanisë së kafes “Lori Kafe”. Duke qëndruar më pas në të njëjtën fushë të veprimtarisë tregtare, ai e zgjeroi më tej aktivitetin e biznesit, duke futur në treg edhe një markë tjetër të kafes së importuar “Illy Cafe”.
Aktiviteti tregtar në këtë fushë dhe karakteri ambicioz i biznesmenit e orientuan atë drejt projekteve më të gjera dhe më të fuqishme. Në shkurt 1998, Dritan Hoxha themelon radion “Top Albania”, e cila hyri në transmetim duke aplikuar standardet më të larta teknologjike krahasuar me vendet më të përparuara të Ballkanit. Pas veprimtarisë së suksesshme në drejtimin e “Top Albania Radio”, biznesmeni Dritan Hoxha në vitin 2001 themelon televizionin privat “Top Channel”. Përmes sinjalit tokësor dhe më pas edhe në satelit, ky televizion gjeti shtrirje gjeografike gradualisht në të gjithë Shqipërinë dhe më pas i kaloi kufijtë e saj.
Kompania mediatike “Top Media” nën drejtimin e Dritan Hoxhës u dallua për investimin e teknologjisë bashkëkohore teknike të konsideruar edhe si “revolucioni mediatik” në industrinë televizive në Shqipëri.
Hoxha u bë promotor edhe i projektit të guximshëm të futjes në Shqipëri të platformës dixhitale tokësore dhe më pas asaj dixhitale satelitore, platformë jo mjaft e përhapur në Evropë si dhe programet televizive në celular. Babai i katër fëmijëve të mitur, tre vajzave dhe një djali humbi jetën gjatë një aksidenti automobilistik, në afërsi të ekspozitës “Shqipëria Sot”, shumë pranë studiove të kompanisë së tij, teksa po udhëtonte me makinën e tij./CNA.al