“Qëndrimi ynë ka qenë në lidhje me përdorimin e propozimit të pakërkuar me këtë intensitet. PPP është një mënyrë për të ekzekutuar një investim publik. Në mendojmë se përdorimi i propozimeve te pa kërkuara është më i lartë se duhet të jetë. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave që ta përdorim sa më mirë këtë instrument”, tha ekonomistja e BB në Shqipëri, Hilda Shijaku.
Banka këshilloi se duhet të shikohet racionalizimi më i mirë i investimeve publike në drejtim të eficencës dhe gjithashtu duhen trajtuar me kujdes rreziqet nga investimet me Partneritet Publik Privat.
Për sa i përket largimit të Bankave nga Shqipëria dhe të ndryshimeve strukturore, sistemi bankar mbetet një sektor i qëndrueshëm. Megjithatë, autoritetet duhet të mbikëqyrin aktorët e rinj dhe të shmangin konfliktet e interesit. Edhe pse ka pasur përmirësim, sistemi bankar është larg potencialit të kreditimit.
Shkalla e rritjes për rajonin e Ballkanit Perëndimor çmohet se është fuqizuar në 3,5% për vitin 2018, sipas këtij Raporti. Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive.
Rritja vjetore e PBB-së për vitin 2018 parashikohet 4%. Prodhimi i Energjisë Elektrike nga burimet hidrike u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018. Turizmi po u jep një shtysë eksporteve të shërbimeve. Ndërkohë që investimet private po ngadalësohen me përfundimin e dy projekteve të mëdha të energjisë të financuara nga investimet e huaja.
Rritja ekonomike është shoqëruar me krijimin e vendeve të punës. Politika monetare ka mbështetur rritjen, duke ndjekur krahun lehtësues.
Në vitin 2018, deficiti fiskal i Shqipërisë parashikohet të ruajë nivelin 2% të PBB-së.
Të ardhurat fiskale pritet të rriten me 0.3% të PBB-së. Rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave kombëtare po kompensojnë arkëtimet më të ulëta se parashikimi i të ardhurave nga TVSH-ja.
Borxhi publik pritet që të ulet nga 71.6% në 69.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbiçmimi i kursit të këmbimit pritet të mbajë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në një nivel pak më të ulët se vitin e kaluar.
Banka vlerëson se, ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5% më 2019-2020.
Varfëria pritet të bjerë më shpejt gjatë dy viteve të ardhshme duke pasur parasysh performancën e tregut të punës./ Monitor