LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Komisioni i Vettingut e la në detyrë/ Zbulohen denoncimet dhe hetimet për gjyqtarin

4 Shtator 2018, 12:56, Aktualitet CNA
Komisioni i Vettingut e la në detyrë/ Zbulohen denoncimet dhe hetimet

Me datë 1.8.2018,  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Gentian Medja.

Rreth tetë ditë më vonë, ndaj këtij vendimi të marrë nga trupa  gjykuese e KPK-së e përbërë nga Roland Ilia, Firedes Shuli dhe Xhensila Pine,  është zyrtarizuar një ankim.

Me  datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Gentian Medja.

Medja iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës me përparësi në kohë për shkak të kandidimit të tij për anëtar të Këshillit e Emërimeve në Drejtësi.

Po, pas vendimit të publikuar nga KPK, është zbuluar se ndaj gjyqtarit Medja, ka pasur denoncime madje dhe kallëzim penal, të cilin Prokuroria e Durrësit e ka pushuar.

Nuk dihet nëse pushimi i hetimeve ka qenë ligjor, por edhe ai apo ajo prokurore që ka pasur këtë rast, i bie që të japë llogari tashmë.

Dy denoncime ndaj gjyqtarit Medja

Subjekti i rivlerësimit Gentian Medja, ka ushtruar detyrën e gjyqtarit dhe përkohësisht edhe të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër nga viti 2004 deri në vitin 2013 dhe aktualisht ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, që nga muaji nëntor 2013.

Për subjektin e rivlerësimit pranë Komisionit të Vettingut janë bërë dy denoncime që përmbushin kriteret e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016:

Denoncimi i datës 07.03.2018, i denoncuesit R.B, bashkangjitur të cilit është vendimi gjyqësor nr. 1642 (80-2016-1646), datë 05.04.2016, i dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë.

Si dhe denoncimi i datës 18.05.2018, i denoncuesit V.D, bashkangjitur të cilit nuk ka asnjë dokument shkresor, i cili denoncon katër gjyqtarë për aftësi profesionale, midis të cilëve dhe gjyqtarin Medja.

Kallëzim penal ndaj gjyqtarit Medja

Me shkresën e datës 13.02.2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, rezulton se denoncuesi R.B, ka bërë kallëzim penal në adresë të subjektit, duke iu referuar po këtij vendimi, (nr.1642 (80-2016-1646) datë 5.04.2016), me pretendimin se subjekti ka vepruar në kundërshtim me provat dhe me ligjin duke shpërdoruar detyrën e ngarkuar me ligj.

Për këtë shkak, rezulton se ndaj subjektit të rivlerësimit Gentian Medja, është regjistruar materiali hetimor, me datë 19.05.2016, për veprën penale ?shpërdorim i detyrës?. Gjatë procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, është analizuar

Materiali i fashikullit të dosjes për mosfillim procedimi me nr. 1328 në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, nga ku ka rezultuar se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pasi ka administruar kërkesën e kallëzuesit, ka filluar procedimin hetimor në ngarkim të subjektit.

Pasi  ka tërhequr dosjen gjyqësore që i përket vendimit nr. 1642 (80-2016-1664), datë 05.04.2016, të dhënë nga subjekti i rivlerësimit, ka vendosur kqyrjen dhe marrjen e provave shkresore, ka mbajtur korrespondencë me ZVRPP-në Tiranë, ka thirrur dhe pyetur kallëzuesin, dhe në fund të hetimeve prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, më datë 17.06.2016, ka vendosur mosfillimin e çështjes penale ndaj subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.

Organi i akuzës, ka konkluduar se gjyqtari Gentian Medja, nuk ka kryer veprime apo mosveprime që vijnë në kundërshtim me ligjin që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës si dhe fakti i vërtetuar me të gjitha provat nuk përbën veprën penale ?Shpërdorim i detyrës? të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga verifikimet e kryera, nuk rezultuan të dhëna që gjyqtari është ndikuar nga interesa të kundraligjshme ose për shkaqe të dobëta, etj.

Marrja e vendimit të datës 05.04.2016 është kompetencë e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe si i tillë nuk përbën elemente të veprës penale ?shpërdorim i detyrës?, pasi ai është marrë në përputhje me kërkesat e ligjit, provat e marra dhe administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor si dhe bindjes së brendshme të krijuar mbi bazën e tyre.

Prokuroria ka theksuar se nëse kallëzuesi nuk është dakord me vendimin e gjyqtarit Gentian Medja atëherë ai mund të paraqesë ankim në Gjykatën e Apelit, siç dhe ka vepruar në fakt dhe kallëzuesi dhe çështja aktualisht është në shqyrtim gjyqësor.

Kundër vendimit të mosfillimit kallëzuesi R.B, ka bërë ankim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës e cila me vendimin nr. 343, datë 27.07.2016, ka vendosur rrëzimin e kërkesës (ankimit), si të pabazuar në prova dhe në ligj duke lënë në fuqi vendimin e prokurorisë për mosfillim të çështjes penale për subjektin e rivlerësimit./CNA.al

Lajmet e fundit nga