LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Grida Duma sulmon Lulzim Bashën/ Nuk ka alternativë

20 Gusht 2018, 14:11, Aktualitet CNA
Grida Duma sulmon Lulzim Bashën/ Nuk ka alternativë

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka sulmuar kreun e opozitës, Lulzim Basha, duke thënë se nuk ka alternativë.

Në një opinion të gjatë në gazeten Panorama, midis të tjerash, Grida Duma pranon që PD nuk ka një alternativë dhe që Basha nuk është një alternativë për shqiptarët.

Ndërsa më tej ajo thekson se në mënyrë që ta krijojë këtë alternativë, ai tashmë duhet të krijojë një kontratë për ti dhënë zgjidhje shit-blerjes së votës.

Duke folur për fenomenin e shitblerjes së votës, deputetja Duma shkruan se zgjidhje nuk është rritja e pazarit, por ?Zgjidhja mbetet vetëm një -ngritja e alternativës.?.

Grida Duma, po ashtu thekson se ?Në këto kushte, kontrata alternative duhet të jetë një kontratë pa asnjë keqkuptim, një kontratë që lidhet me përfaqësimin dhe me qartësinë e sigurt që bëhet realitet. Kjo është sfida dhe nuk është patetike ta quash historike. Sfida është ndërtimi i një alternative që shihet si kontratë e qartë dhe qartësisht më shpërblyese se një shitblerje e thjeshtë vote. Një kontratë që jep siguri për zgjidhje, një përqasje që zgjidhjet ia mbivendos partishmërisë, një perspektivë që ideologjinë e sheh si funksion të zhvillimit dhe mungesën e saj si justifikim shumë të keq, kjo është alternativa që duhet ndërtuar.?

Opinioni i plotë i Grida Dumës: 

Shqipëria ka ndryshuar shumë përgjatë 28 vitesh tranzicion. Popullsia ka ndryshuar dhunshëm; pas 28 vitesh vazhdojnë të largohen më së shumti dy kategori sociale; të varfrit që kanë besim se po të ikin, mund t?ia dalin diku tjetër, dhe profesionistët që largohen me besimin se do të vlerësohen ekonomikisht shumë më shumë tjetërkund. Pikërisht marzhi i popullatës që ka gjallë besimin dhe që është më i rëndësishmi për zhvillimin e vendit.

Mite të mëdha kanë rënë në këto vite. Por sado e madhe pesha e gënjeshtrës së djeshme të Shqipërisë fanarndriçues, ajo mbetet e kaluara. E sotmja është vuajtja dhe zhgënjimi, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të përballojnë shkërmoqjen e iluzionit se demokracia është një sistem magjik i lirisë dhe mirëqenies, ndërsa nuk ka asnjë rregull loje.

Këtë dramë e kanë pësuar të gjithë popujt e ish-bllokut socialist, por ndryshe nga Shqipëria, ata patën disa elementë kyç në avantazh. Ata patën një të shkuar prej nga mund të orientoheshin, teksa shihnin nga e ardhmja.

Nuk do të përmend shumë prej tyre, por, ndryshe nga gjithë vendet ish-komuniste, Shqipëria diktatoriale nuk la asnjë aromë të pronës private, nuk rezervoi asnjë hapësirë të lirisë së vogël të individit dhe përjetoi një traumë shoqërore me kriminalizimin e traditës fetare dhe më pas me glorifikimin e bashkëjetesës fetare pa asnjë dijeni mbi fenë si traditë bashkëjetese.

Parakushti i zhvillimit në ekonominë e tregut apo sisteme demokratike është besimi, një nivel minimum besimi që ka shoqëria te vendimet qeverisëse. Besimi social është gërryer për shkak të vonesës në zhvillim dhe të shpërndarjes së keqe të pasurisë.

Arsyet themelore të moszhvillimit të Shqipërisë mund të përmblidhen gjerazi në tri të tilla: amatorizmi qeverisës ndaj krijimit të rregullave të lojës në një treg të lirë, korrupsioni i lartë, mungesa e bashkëpunimit midis shoqërisë dhe qeverisjes.

Mungesa e bashkëpunimit qeverisje?shoqëri lëngon në dy shina të ndryshkura, e para në dështimin e politikës për të qenë përfaqësuese me modelet që përfaqësohet dhe po ashtu përdorimi i teknikave populiste gjatë fushatave që theksojnë edhe më shumë tendencën etatiste, shteti zgjidh, shteti vendos, shteti s?duhet të të lërë pa bukë dhe qytetari kërruset dhe revoltohet në lëmoshë. Populizmi elektoral po ashtu ka dërrmuar vlerat themelore të kontratës së pastër mes individëve dhe po ashtu të besimit mes partive dhe individëve.

Nga ana tjetër, pavarësisht zhgënjimit masiv me politikën, shqiptarët vazhdojnë të flasin dhe të gjallojnë partishmërisht. Mund të dëgjosh ndër shqiptarë biseda të thelluara të politikës globale dhe shqiptare, me qëndrime të forta pro dhe kundër. Sepse shqiptarët, pavarësisht nëse e kanë humbur besimin ndaj gjithçkaje që lidhet me politikën, vazhdojnë t?ia përjetojnë asaj partishmërinë.

Kaq e vërtetë është kjo, sa edhe atje ku nuk ka mbetur më asnjë gjë për të zbuluar apo fshehur, lexohet një pakt apo strategji, atje ku ka çoroditje totale dhe paaftësia lexohet skemë dhe djallëzi. Kjo krijon ndërvarësinë midis atyre që s?duan të besojnë dhe atyre që thonë se nuk kemi se ç?të besojmë më; politika shemb përditë kolonat ideologjike, duke argumentuar se askund s?ka më ideologji. Por aty, ku e vjetra ideologjike shembet, një partishmëri e re ?lulëzon gërmadhash?.

Pavarësisht spekulimeve analitike të rrugës së tretë, të përtej së majtës e së djathtës, Shqipëria vuan pikërisht faktin se nuk i ka kryer plotësisht etapat e veta ideologjike. Ato etapa që prodhojnë cikle dhe rotacione të mirëfillta midis së djathtës dhe së majtës, si nevoja ekonomike dhe shoqërore, jo si rotacione partish. Tashmë kjo duket si mundësi e humbur, pasi ne nuk qëndrojmë dot jashtë vorbullave të zhvillimeve të tjera, që vërtet janë përtej nesh.

Pas shumë vitesh mundet që në dokumentarët e përmbledhura për Shqipërinë të përsëriten të njëjtat përshkrime të një vendi në mes të Europës, që humb stacionet historike të zhvillimit të natyrshëm dhe e përjeton zhvillimin si një progresion traumash.

Të ndodhur në këtë dysheme parakushtesh me qëllimin dhe përgjegjësinë për të përmirësuar dhe zgjidhur, duhet lexuar gjendja ku ndodhet shoqëria shqiptare dhe raporti i saj me politikën që e qeveris.

Prej 5 vitesh tashmë, dakordësojmë në unanimitet që rilindja ka mjet qeverisës ekranin dhe median në tërësi. Sado t?i trishtohemi dyndjes masive të reklamës rilindase që cicërin në ?Twitter?, poston në ?Facebook?, zhurmon me ekrane me video mëngjesi, me batuta darke, me pamje HD dhe kapërcime 3D, është e gabuar të mendojmë se kjo propagandë e ka vënë përfund popullin, duke prodhuar diktaturën e dytë, ku fasada mund të mbajë edhe themelet.

Përtej ekranizimit dhe efekteve të tij, analiza e raportit politikë-shoqëri së pari nis me leximin e votës popullore. Do të kishte qenë një normalitet jo luks nëse së paku një herë në çdo zgjedhje do të mund të analizonim të vërtetën e votës; por kjo është e pamundur dhe tashmë aq e shtrembëruar sa mundet vetëm të pasqyrojë realitete të dyfishta.

Në këto kushte jemi të detyruar të lexojmë realitetin e shumëfishte dhe të gjejmë rrugëzgjidhjet për përmirësim. Tregu i votës tashmë është realitet faktik, i cili nuk duhet vetëm gjykuar dhe as duhet fshehur pas iluzionit se ky problem do të na zgjidhet me procedura, me riparime ligjore apo brenda qendrës dhe ditës së votimit. Jo. Ky treg gjallon dhe zgjatet në mënyrë kapilare shumë muaj dhe ditë përpara ditës së formalitetit të zgjedhjeve.

Ajo çka duhet lexuar qartë sot është fakti se qytetarët, populli, votuesi, kur zgjedh, do të shohë kontratën e qartë. Vetë shitblerja e votës është një lloj kontrate, ndonëse më e keqja, më e varfra, më e dëmshmja ? ajo është ?më jep, të jap?. Ka ndodhur rëndom dhe do tentojë të ndodhë rëndom. Para gri, të kuqe dhe të zeza sot ka në treg më shumë se kurrë në historinë e Shqipërisë, sekserë në të zezë sot ka në treg më shumë se kurrë, dhe tashmë të specializuar.

Si do të bëhet e mundur të ndalohet kontraktualizimi më i keq i mundshëm për shqiptarët? Çfarëdo të themi në analiza sociale, në fund, përgjegjësia reale për një popullsi të mbetur këtu do të jetë dhe do të mbetet te politika. Shqipëria nuk mundet t?i imponohet politikës së saj si shoqëri, si disa vende të tjera që kanë tregje të mëdha, popullsi të madhe dhe lëvizje sociale që prodhojnë forca mbipolitike. Në këto kushte pamundësie, Shqipëria do të vazhdojë ta vuajë shumë cilësinë e klasës së saj politike.

Duhet thënë qartazi se gjendje më të rëndë se sot, me kriminelë të parlamentarizuar e kryetarë nëpër bashki, nuk mund të gjesh kurrkund përgjatë historisë. Atëherë, si mundet ta rrisim nivelin e kontratës politike nga shitblerja ?më jep 20 ? 50 Euro dhe vërej (pa)punën?, në një kontratë që me anë të votës shkëmben zgjidhjen. Nga një ?më jep, të jap? në një ?të votoj, më zgjidh punët?. Populli ka të drejtë absolute që kërkon kontratën, dhe është mençuri të kërkosh një kontratë të pastër jo një ndjekje symbyllazi, madje kontraktualizmi në vetvete është pikërisht në esencë e politikës si zhvillim. Çfarë duhet bërë konkretisht që tenderi të mos shitet kaq lirë, me 50 Eurot e një dite, si dhe indiferencën pasivoagresive të 4 viteve në vazhdim, të blerë kaq shtrenjtë? Mirë do të ishte që zgjidhja të mos gjendej duke rritur pazarin, pasi kjo do ishte qartësisht në favor të pazarxhinjve të sotëm. Zgjidhja mbetet vetëm një -ngritja e alternativës.

Kontrata për një popull që lëngon në varfëri nis nga niveli i parë ? siguria. Nuk është aspak e rastit që njëra nga shtyllat ku mbështetet Rilindja e ekraneve, është vetë nostalgjia e sigurisë së dikurshme. E bën këtë, se e di që pasi ka varfëruar shumë shumicën dhe ka pasuruar gjithnjë e më shumë një pakicë, elementi që duhet të kujtohet është nostalgjia për komunizmin, e cila jep shijen e amshuar të sigurisë. Në të gjitha sondazhet e vendeve ishkomuniste shprehet nostalgjia e pangushëllueshme për atë kohë, nostalgjia e të qenit i sigurt; i sigurt, që s?do mbeteshe pa punë, i sigurt kur ecje natën, i sigurt që s?do mbeteshe pa një kafshatë. Siguria e kafshatës ishte siguria e varfërisë.

Rilindja përdor teknologjitë e reja për të ringjallur nostalgjitë e vjetra, me iluzionin se po mpin varfërinë, por sigurisht kjo nuk zgjat në kushtet kur kafshatën e fundit nuk e jep dot. Valvulën e sigurisë se kafshata që nuk jep s?do ta penalizojë e gjen te zgjidhja e fundit, shkëmben një shenjë te fleta e votimit në këmbim të 50-shes të radhës. Një tufë e stërmadhe me 50- she, kjo është valvula e sigurisë rilindëse. Valvula që siguron zgjedhjet, por që varros me vite të tëra zgjidhjet.

Në këto kushte, kontrata alternative duhet të jetë një kontratë pa asnjë keqkuptim, një kontratë që lidhet me përfaqësimin dhe me qartësinë e sigurt që bëhet realitet. Kjo është sfida dhe nuk është patetike ta quash historike. Sfida është ndërtimi i një alternative që shihet si kontratë e qartë dhe qartësisht më shpërblyese se një shitblerje e thjeshtë vote. Një kontratë që jep siguri për zgjidhje, një përqasje që zgjidhjet ia mbivendos partishmërisë, një perspektivë që ideologjinë e sheh si funksion të zhvillimit dhe mungesën e saj si justifikim shumë të keq, kjo është alternativa që duhet ndërtuar.

Kjo kontratë, që është përgjegjësi e forcave opozitare, duhet të jetë e tillë që në çdo element të saj të ketë ngritjen e besimit të munguar dhe të forcës jo si moral denoncues, por si levë zgjidhëse. Një kontratë që nis me konkretizimin e modelit përfaqësues dhe aktivizimin e brendshëm me të njëjtën qartësi të vetë këtyre forcave. Është e mundshme, është e realizueshme dhe nuk duhet të justifikohet se pengohet nga disa dhjetëra kriminelë, shtatë-tetë oligarkë, pesë lobistë, disa miliarda lekë.

Në fund, partitë politike janë organizma vendimmarrëse dhe jo analitike e si të tilla vendosen para përgjegjësisë edhe kur dëmi është i kundërshtarit, por zgjidhja mungoi nga vetvetja.

 

Lajmet e fundit nga