LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Artan Fuga/ Në Pogradec, te "Dashnorja e Fundit"

14 Gusht 2018, 19:54, Aktualitet CNA
Nga Artan Fuga/ Në Pogradec, te "Dashnorja e Fundit"

(Pjesa e dytë e reportazhit : Si mund ta kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Durrësin, Vlorën, Korçën, Himarën?)

Pogradeci dhe rrethinat e tij përbëjnë jo vetëm një zonë bukurish të rralla gjeografie, por edhe një trevë perlash kuzhinarie. Sepse kultura e një popullsie te ushqimi që përdor dhe gatuan duket në radhë të parë në jetën e përditshme. Njerëz të mishit por po aq edhe të peshkut. Të të kripurave, por edhe të të sheqerosurave. Klimë e ftohtë Pogradeci sidomos në dimër. Njerëzit kanë kërkuar energji ushqimore për të tretur dhe çliruar kalori. Njerëz të mishit të viçit, por edhe të gicit me famë. Të gjitha larmitë kulturore, fetare, të shijeve, i gjen atje.

Duke dalë nga hoteli aq i rehatshëm, modern, i pastër, «Pogradeci 2», ku kam qendruar bashkë me miqtë e mi të huaj, dhe shkuar në drejtim të qendrës të qytetit, sapo del nga Voloreka, mbi tabelë e shkruar me pirografi, mbi dru të errët, lexon : Restorant « Dashnorja e Fundit ».
Sa e fillon shëtitjen e mëngjezit nis e vret mendjen se çfarë kuptimi ka logoja : « Dashnorja e fundit » ? Hajde të gjesh kuptimin se cila është lidhja midis një restoranti buzë gjolit dhe një dashnoreje ! Apo sepse dashnorja donte që ta çosh në restorant ? Apo se mos dashnorja në fjalë ka qenë kamerjere ! Kushedi.
Pastaj nis hapat buzë gjolit dhe pyetjet vijnë me furi: Cfarë kuptimi ka togfjalëshi « dashnorja e fundit » ? «E fundit», në kuptimin e asaj që pas asaj, njeriu nuk kishte më dashnore ? Apo që ajo që vjen e fundit në një çast kohe në radhën e gjatë të tyre ? Ky koleksionist dasshnoresh! Kushedi se çfarë drame ka pasur ai që i ka vendosur atë emër atij restoranti. Vetë hyrja e restorantit është shumë misterioze. Te ndjell të hysh brenda!

Por, përpos kësaj, kupton shpejt se Pogradeci i ka pasur zonja gratë në kulturën shtëpiake, veçanërisht në gatim. Gatimi është mbi të gjitha një çështje filozofike sepse krijon harmoninë midis burimeve natyrore të të jetuarit, artit të njeriut për të krijuar margaritare në pjatat e stolisura, si edhe në lidhje të fuqishme me organizimin e njeriut dhe nevojat e shijet e tij.

Sikurse e theksuam, pogradecarët kishin arritur sidomos dy shekujt e fundit, deri aty nga vitet ?60 të shekullit të kaluar, të kishin ngritur në mënyrë monumentale kulturën e një qyteti buzë gjoli. Bashkëjetonte urbanizimi me gjolin si estetikë, si mjedis, si marrëdhënie e njeriut me natyrën, si formë riprodhimi urban që ndikonte edhe psikologjinë kolektive të pogradecarit: e pastër si uji i gjolit, e sinqertë si transparenca e ajrit, e drejtpërdrejtë si peshkimi i bollshëm në ujrat e ëmbëla, e e butë në dukje por e vendosur, si ky diell që ndrit e shkëlqen atje dhe të duket se digjet i butë nga freskia e ajrit.
Atë kulturë qindravjeçare urbane që e rrafshoi komunizmi. E vërteta është se nga Pogradeci i shekujve të kaluar kanë mbetur pak gjë, disa farëra që i gjen me kujdes dhe dëshiron të rriten. Mendoj se atje gjendet e ardhmja e atij qyteti. Jo te betonizimi si në Sarandë a në Vlorë, mos o zot si në Tiranë. Pogradeci duhet të ringrihet mbi traditën e tij sikurse Korça, jo të bëhet krejtësisht tjetër.

Tê paktën kjo është bindja ime. Unë mendoj si pragmatist në filozofi që e kaluara afatgjatë, pra përvoja, ka njëmijë herë të drejtë mbi të sotmen. E kaluara është e verifikuar, kurse e sotmja nëse nuk është vazhdim i së kaluarës në kushtet e reja të kohës rrezikon të jetë jo vetëm shkatërrimtare, por edhe një ndërtim i dobët.

Vilat buzë liqenit që erdhën deri në vitet ?70, besoj, ishin një mrekulli urbane që mund ta kishin pasur zili qytete me famë në Evropë. Dy katëshe, me tulla të kuqe që të kujtonin shtëpitë londineze apo belge, ku dallohej përbërja e hekurit në shkëmb. Me dritare të gjata. Me një ballkon që dilte mbi gjol. Përballë lundronte një varkë e shtëpisë. Kati përdhes me një korridor që përfundonte në një derë prej xhami, me katrore metalike, dhe që të nxirrte buzë gjolit. Pinin kafen alla turka zonjat mbi ballkon. Te bregu i liqenit parkuar një varkë me lopata jo për të shëtitur mbrëmjeve mbi gjol nën dritën e hënës, por për të peshkuar.

Ajo varkë me lopata ishte vetura e asokohe e pogradecarit të fuqishëm dhe puntor. Pa karburant, por me forcën e krahëve. Pa gazra ndotës, por që pllaq – plluq, njeriu i shtonte tinguj elegantë mbi ujë zhurmave të natyrës.
Dilte bandilli nga shtëpia kur nuk kishte shkuar në mërgim, gjuante koranin ? peshkun e famshëm, mbretin e peshqëve, dhe ja sillte zonjës ta gatuante si dinte ajo nazelia.
Trëndafilat në bahce. Në mal parcela me vreshta, pemëtari, etj. Kosheret e bletëve me nam të Pogradecit dhe të zonave përreth.

Një qytetërim ku familja ishte pothuajse autonome nga shteti, madje disi edhe nga shoqëria. Unë gjithmonë kam menduar se një lloj kryeneçësie e shokëve të mi të rinisë nga Pogradeci vinte nga mënyra e tyre e jetesës e nje qyteti që ishte kthyer me fytyrë nga gjoli. Ishte kthyer nga natyra, peshqit, duke i kthyer shpinën beut, pushtuesit, totalitarizmit, sekretarit të partisë a çdo pushteti tokësor. Prandaj edhe e fshinë nga faqja e dheut atë qytetërim ku individi është i punësuari i vetvetes, i vetmi qytetërim, i pronarëve të vegjël, ku liria e individit ka kuptimin e një pavarësie pothuajse tërësore të gjithkujt nga të tjerët.

Ku mund ta pranonte totalitarizmi këtë mënyrë jetese që prodhon pyetje : « Ce bre ? »
Shoh me admirim monumentin e Pojskës ku djem pogradecarë dhanë jetën për çlirim duke ngritur pritë mbi nazistët dhe mendoj se për ta fjala liri dhe çlirim ndofta kishin kuptim të njejtë.
Kudo gatuhet korani sot në guzhinat pogradecare të hoteleve dhe restoranteve të turizmit. Por, edhe peshk tjetër. Aty te kanali në Tushemisht, te një lokal i qetë mes lulesh dhe pemësh që varin degët e tyre drejt ujit, «Qetësia», korani noton si nëndetëse krenare në ujin e ëmbël duke bashkëjetur me rosa të mëdha që qendrojnë në çifte, apo edhe me zogj të tjerë lundrues, emrat e të cilëve nuk i mesova që nuk i mësova dot. Sa specie ka natyra dhe sa pak fjalë ka për to njeriu!

Duke mbajtur në mendje emrin e restorantit « Dashnorja e Fundit », duke parë çiftet e zogjve dhe peshqëve në një bashkëjetesë në kanalin e Tushmishtit, pyes veten : Kush e ka bërë kështu që individët e specieve të ndryshme nuk kryqëzohen seksualisht es tyre, edhe sikur të jenë specie të afërta me njera tjetrën. Pi kafen e shijshme dhe kundroj pemët që varen mbi kanal, koranët që duken si nëndetëse të zeza nën ujë, si edhe fluturimet mbi ujë dhe pastaj zbritjen në ujë si aviona amfibë të zogjve madhështorë në ngjyrë të bardhë. Ngjanë si avionë gjigande prej gjasme.

Zonjën e fisme të restorantit « Te Koçoja » e kam fanse të faqes time në facebook. Kurse i shoqi, Koçua pra, edhe ai aty afër të gjashtëdhjetave, thotë se merret me gjëra serioze, nuk i jepet për facebook. Pogradecar që sheh qetësisht punën e tij, ma ka bërë të qartë qysh më parë, që atij i intereson kryesisht mbarëvajtja e restorantit të tij, ku ai ka angazhuar veç gruas, edhe djalin që një sy e ka mbi kamarierët, por po ashtu vigjëlon mbi kujdesin ndaj klientit dhe aspekte të tjera.

Të zonjën e lokalit e pyeta nëse mund të më gatuante tre lloje lakrorësh pogradecar, me mish e qepë, me kungull, dhe me djathë. Sa edukatë pashë në sjelljen e saj. E nderon klientin, e trajton si mik, si thuhet në marketing bën çmos ta personalizojë marrëdhënien me klientin. Personalizim që në kulturën e mënçur pogradecare ka ardhur shumë kohë përpara sesa përdorimi i web-it për marketing.
Sikurse çdo gjë e fisme, edhe lakrori me famë i Pogradecit, ha dhe vdis, do pak mund që ta kesh në pjatën tënde. Jo ndonjë stërmundim kushedi se çfarë sidoqoftë! Sepse duhet porositur pak përpara lakrori i famshëm në restorante përndryshe del pa gjë. Duhet një kohë për t?u pjekur në saç. Lakrorin e shijshëm, me petë të trashë, e tregtojnë edhe byrektore në qytet. Unê që kam vesin për të ngrënë duke ecur, dhe për të blerë si fëmijë gjëra të shijshme që shoh në vitrina byrektoresh, ëmbëltoresh, apo marketesh, e shijoj më shumë një lakror të mbështjellë në një letër të pastër, valë të sapo dalë nga furri.

Për një qytet turistik si Pogradeci fakti që turistët ushqehen në kontekstin lokal është një bekim për bujqësinë, blegtorinë, dhe industrinë e përpunimit të produkteve ushqimore. Nëse popullsia e qytetit do të shtohej nja dhjetë a më shumëe fish përgjatë muajve të verës, përse jo edhe gjatë gjithë vitit, kjo do të bënte të lulëzonte e gjithë ekonomia e zonës. Mjalti i Pogradecit, recelrat e bëra me frutat e zonës, qumështi dhe nënproduktet e tij, peshku, e kështu me radhë. Cfarë kuptimi do të kishte atëhere që popullsia rurale të vinte në qytet, kur atje ku banon dhe ka pronat e veta, do të ishte furnizuesja e qytetit me produkte ushqimore! Përse djali nga fshati do të vinte për t?u bërë e shumta shotës uturakësh plastikë në qytet, ndërkohë që mund të ishte bletërritës i suksesshëm në fshatin e tij pak kilometra më larg?

Sa ngjitesh në qafën e Thanës ndjen se nga malet burojnë e vërshojnë ujra të bollshme. Kudo laavazhe. Edhe në Pogradec shumë lavazhe. Te një i tillë shkoj edhe unë në Tushemisht. Sapo kthej veturën për të hyrë në cepin e tokës ku mund të parkoja, lavazhisti më jep të njohur:
«Jemi miq në Facebook!»
«Sa mirë!» – i them.

Më tregon se ka biznesin e lavazhit. Por, luan edhe një rol si qendër informacioni turistik. Sa jam aty vijnë dy turistë dhe e pyesin nëse njeh dikë që mund t?u shërbejë si shoqërues me veturën e tij deri në Ohër. Djaloshi i telefon dikujt. Dy dhoma të shtëpisë aty ngjitur jepen me qira. «Po ajo arë aty?» e pyes. «Eshtë kopshti ynë.» – përgjigjet. Më shpjegon se jeton vetëm me të jatin, i cili është minator në pension. E ka qef pemëtarinë dhe bujqësinë – tregon djaloshi. Ndërkaq shoh se çfarë ndodh. Turistë të ndryshëm vijnë për të blerë domate të freskêta, patate, rrush. Ftohen të shkojnë t?i mbledhin vetë në arë, produktet peshohen dhe gjithçka shkon për bukuri.
Tregti nga më modernet që bëhet vetëm në qytete luksoze me popullsi shumë tekanjoze. E po ja në Pogradec mund ta bësh gjithashtu!

E ka menduar mirë djaloshi, kompleks i thejshtë, modest, i një ekonomia që është bazuar te pluriaktiviteti ekonomik. Edhe bujqësi, edhe informim, edhe ekonomi shërbimesh. Ka pompë të fuqishme për larje veturash djaloshi. Më vonon sepse është nikoqir e pastërtor si një amvisë. Vetura ime e vjetër ndriçon si nuse e re. Nga brenda dhe nga jashtë.

Ja modeli i ekonomisë të zonës që mungon. Turizmi liqenor duhet të ketë zgjatime si turizëm agro-rural, po ashtu ekonomia bujqësore dhe peshkimi duhet të jenë plotësa të industrisë të turizmit.
Nuk sheh peshkarexha mbi liqen. Në qytet, disa tregtarë të lodhur paraqesin produktet e tyre në trotuar aty përballë ish kampeve të puntorëve, ushtarakëve, etj., që sot janë hotele. Pa asnjë kusht higjenik. Duhet ta dashurosh fort Pogradecin, që të pranosh të blesh fruta dhe perime te tregu i pisët i qytetit. Cmimet janë të ulta. Ti nuk mund të dish se ku janë mollët dhe dardhat e famëshme të Pogradecit. Ku janë punishtet që do të përpunonin recelrat e shijshëm të zonës. Qyteti i Pogradecit duket sikur ka turp nga fshati, nga bujqësia, nga blegtoria, nga peshkimi.

Në vend që pikërisht kur ka turistë të promovojë produktet e tij, t?u bëjë reklamë.
Kam parë se çfarë bëhej në një qytet midis Polonisë dhe Bjellorusisë për ta promovuar markên e tij. Gjithçka lidhej me bizonët që ndodheshin në një pyll aty pranë. Bizoni kudo. Sa ishin? Nja dhjetë bizonë gjumashë që dukeshin si kafshë parahistorike. Po të kisha qenë kryetar bashkie në Pogradec gjithçka do t?i vija logon e koranit. Edhe vulën e bashkisë do ta kisha një koran – mbret i peshqëve.
Sapo të hynte në qytet, turisti do të ndeshej me një monument të madh të një korani.
Pimë verën pak të athët, të hollë, me aroma druri pogradecare dhe mendojmë ku prodhohet ajo? Hiç! Asnjë informacion. Sa i luimtur do të kishte qenë turisti t?i vizitonte punishtet.

Duket sikur produktet e pemëtarisë, blegtorisë, bujqësisë në Pogradec dalin nga liqeni si me magji. Asnjë mundësi për vizitorët të dinë se ku janë bazat ushqimore të qytetit dhe çfarë bëhet me to.
Miqtë e mi të huaj më tërheqin drejt fshatit Tushemisht. Nuki e di se përse u pëlqen aq shumë të shkojnë atje. E kanë zbuluar bukurinë e tij të sotme përpara meje.

Rruga kryesore e fshatit që të çon drejt qendrës së tij është me kalldrëm të rregullt. Plot ndriçim natën, derdhur si një vello e verdhë nga llampadarë që rrezatojnë një dritë të butë. Te duket sikur je në universin e Harry Poterit. Te oborri i një shtëpie, afër një baseni me ujë me buzë betoni, qendron mbi një platformë të vogël : Monumenti në përmasa thuajse reale i aktores së madhe Violeta Manushi në rolin e personazhit të Ollgës, zonjës nga qyteti. Zonjë e madhe Ollga, por zonjë e madhe edhe Violeta Manushi. Ollga dhe Violeta nuk ndahen më dot nga njera tjetra. Fshati e nderon aktoren e teatrit dhe personazhin e saj si të ishte një monument i shenjtë. Cfarë do të kishte bërë komuna e Tushemishtit, e këtyre njerëzve që e nderojnë aktoren që ka xhiruar filmin e vet të njohur nga të gjithë në fshatin Tushemisht, për ta mbrojtur ndërtesën e vjetër të teatrit që bashkia e Tiranës me dell shkatërrimtar kërkon ta rrafshojë! Ajo, Violeta, erdhi aty se ishte Tushemishti, por Tushemishti sot është ai që është për shkak edhe të Ollgës, kësaj zonje nga qyteti që fati si personazh në teatër e hodhi në këtë fshat duke ndjekur pas vajzën e saj Melkën.

Ku komuna e Tushemishtit që nderon teatrin me traditën e tij dhe e lartëson estetikën e tij, ku Bashkia e Tiranës që nuk dihet se përse i ka hypur në kokë të vejë buldozerin e Lezes teatrit kombëtar, atë ndërtesë ku veç aktorëve të tjerë të mëdhenj ka luajtur edhe Violeta Manushi.
Lezja kundër Violetës
Lezja kundër Ollgës.
Bota e allishverisheve dhe bota e kulturës !
Sa larg njera tjetrës !
Aty djathtas, një shtëpi disa katëshe, edhe hotel, edhe restorant, ngrihet anash vijës të ujit që zbret nga larg, nga burimet e malit, dhe shkon në liqen. Hoteli dhe restoranti mbajnë emrin « Shtëpia e Teto Ollgës ». Nuk ka turist të huaj që kalon andej dhe të mos pyesi : Cila ka qenë kjo grua, themeluesja e fshatit ? Përulen përpara traditës të teatrit që i ka dhënë famën, pasurinë, aktivitetin kryesor tregtar, turizmin, këtij fshati ! «Po», «po», u them, «është e shenjta e fshatit, totemi mbrojtës i tij, veç fat i ka dhënë fshatit», por mendjen e kam gjetiu, atje te po shoh të vijë buldozeri dhe bërë masakrën urbane mbi ngrehinën e sotme të teatrit kombëtar.
« Po me teatrin çfarë patët more të uruar ?! »

Kamarjerët, vajza dhe djem të rinj, janë si flutura. Të mirëpresin qysh te holli dhe të shoqërojnë gjithë mirësjellje të sinqertë pogradecare, pakëz naive, deri te tavolinat e drunjta me stola po prej druri.
Në Pogradec petulla të fshira quajnë ato që unë jam mësuar t?i quaj krepa, ose palaçinka. I qajnë fare. «Si i dëshironi ?» ? pyet Donaldi, me master në inxhinjeri, kamarjer në kohën e verës, «me akullore, me nutella, me mish gici ose viçi», etj. Petullat e fshira mbështjellin ushqimin që kërkohet nga klienti dhe bëhen si tuba. Të lëpish duart. Te «Shtëpia e Teto Ollgës» shërbimi bëhet shpejt dhe me saktësi. Ke rastin që gjellët e shijshme t?i shoqërosh edhe me kulaç, nëse ai nuk ka mbaruar. Vera e kuqe vjen e hollë, me aromë dhe pak e athët. Tamam për t?a tretur koranin apo mishin e gicit a të viçit.
Petullat e fshira sikurse dhe lakrorin duhet t?i porosish që më parë sepse kuzhinat pogradecare si vështirë t?i përgatisin në çast. I japin rëndësi ritit.

Por çfarë e do? Pak shi dhe rruga kryesore e qytetit që të çon te «Shtëpia e Teto Ollgës», apo edhe te restorantet e tjerë të fshatit, buzë ujit, me tavolina të nxjerra poshtë yjeve në qiell, përmbytet krejt. Pllaq plluq nëpër ujë. Zonjushat ankohen për sandallkat e tyre që u bën pis. Zotërinjtë i kanë çorapet ujë. Nata pus, as drita. Te vejë tjetri gishtat në sy. Lart hëna përjeton eklipsin e vet. Një dritë e kuqe si gjak vjen që andej. Nje pamje apokaliptike. Në trotuare nuk hipën dot sepse ke frikë nga gropat që nuk shihen në atë natë. Në xhade kërcënohesh nga vetura që jo rrallë ecin si të marra. Marrin përpara çfarë gjejnë. Gomat fërshëllejnë në ujë dhe rrebeshi nga presioni përplaset mbi trupat tanë. Jemi bërë qull kokë e këmbë.

«Unë të vij më këtu?!» – por të nesërmen zbytur në bukuritë e natyrës e harron betimin e darkës. Nga restoranti i Hotel Pogradecit 2 vjen një muzikë e butë live. Kamarierët lëvizin me të shpejtë sa brenda sallës të restorantit, sa në tarracën me dyer të hapura, sa në kopshtin e ndriçuar me delikatesë të Hotelit.

Uron veten dhe zotin që ke dalë nga një hapësirë që e menaxhon pushteti publik lokal dhe ke hyrë në hapësirën që e meaxhon privati. Por, janë dy hapësira që varen e ndërthurren me njera tjetrën. Degradimi i hapësirave publike e dëmton rëndë biznesin lokal. Rëndë fare!
Petullat e fshira nuk duhen ngatërruar me petullat e vërteta. Petulla e vërteta i rinjoha te restoranti i Hotel Pogradeci 2, kur gjatë mëngjesit, në mënyrë shtesë, kamarierët me sjellje të butë dhe dashamirëse me të gjithë klientët, i sillnin duke i vendosur në tavolinë sëbashku me reçelin e qershisë, ngjyrë të errët, që vinte i shoqëronte.

Po në Tushemisht, atje në atë rrugën me kalldrëm që natën të jetë përshtypjen se je në ndonjë fshat diku në Europë, krepën me akullore mirë është ta hash te restoranti i hotel Dantes, që e kanë djem që kishin pasur emigruar dikur në Itali.

Sado që lokalet janë shtuar, unë asnjëherë, kur gjendem ne Pogradec nuk e humbas rastin për të vajtur te ish Hotel Turizmi i vjetër. Të gjithë hallin e kam se te bufeja e restorantit. Atje ka ëmbëlsira me sherbet që vështirë se i gjen dot më të mira gjetiu. Sheqerpare, bakllava, kopenkaj si edhe akullore, krem karamel, etj., për të lëpirë gishtat. Gjej një tavolinë të lirë në gjysmë tarracën e lokalit, kthehem me fytyrë nga liqeni dhe meditoj duke pritur shërbimin. Gjithandej shoh fytyra të njohura që kanë ardhur për t?u fshehur nga vapa e shëmtuar e Tiranës ose nga vapa e natyrshme e brigjeve të detit.
Askush nuk e ka këtë privileg si në Pogradec për t?i ikur vapës. Në ditët e vapës të tmerrshme ngado, e lija dritaren e ballkonit të dhomës të hotelit të hapur dhe natën atje më duhej të hidhja jorganin mbështjellë me jorganë bardhë si bora që zonjat e pastrimit e kishin futur në dollap. Nga dera e ballkonit të bollshëm hyjnë tingujt e liqenit dhe aroma e shelgjeve bashkë me freskinë e motit.
Miqtë e mi të huaj kërkojnë të lëvizin. Plazhi buzë gjolit nuk u mjafton për të kaluar ditën. Pas tij kërkojnë të njohin zonën. Vêshtirë se gjen në Pogradec informacion të kollajshëm se çfarë mund të vizitohet atje. E marr vetë çështjen në dorë.

Pushteti lokal nuk e di nëse e kupton që qyteti është disi i mbyllur në vetvete.
Po i merret fryma Pogradecit mbyllur në ato 500 metra rrugë turistike disi e mirëmbajtur. Qyteti ashtu sikurse është ka arritur tashmë kufijtë maksimalë që mund ta bënin të zhvillohej sadopak. Pa i thyer ato kufizime Pogradeci është i destinuar të mbetet një qytet rural që tërheq vetëm disa segmente shumë të kufizuara të një fluksi turistik të përbërë nga individë që u përkasin moshave thuajse të treta dhe që kërkojnë qetësi, fresk, inaktivitet. Ndërkohë që i gjithë ai breg gjoli mbetet ende i patrazuar, i pashfrytëzuar, që sa zbret pëerballë fshatit Lin e deri te dogana në kufi me Maqedoninë në pjesën lindore të gjolit.

Duket sikur lobitë e qytetit nuk dëshirojnë zgjerimin e aktivitetit ekonomik e financiar të tij përtej atyre 500 metrave të famshëm. Prandaj e kufizojnë hapësirën turistike të qytetit në një lloj pozite monopol që vjen nga zënia e terreneve me ndërime, hotele, restorante, ndërtesa për banim. Cfarëdo që vjen të vijë te ne!

Poqese është kështu kemi shembullin tipik që monopoli e bllokon zhvillimin!
Detyra e pushtetit lokal është t?i hapi rrugë konurrencës së lirë, pa dallime partiake apo klanike, nëse vërtet dëshiron ta justifikojë votën që i kanë dhënë qytetarët!

Vijon…

Lajmet e fundit nga