LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çelja e negociatave/ Ahmetaj: Ëndrra europiane nuk kërcënohet aspak

28 Korrik 2018, 09:55, Aktualitet CNA
Çelja e negociatave/ Ahmetaj: Ëndrra europiane nuk

Qeveria reformatore e Shqipërisë i ka konsoliduar shpresat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pak ditë para një vote thelbësore të Këshillit Europian në Qershor, e cila i dha Shqipërisë rezultatin e dëshiruar por me një afat të shtyrë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj në një intervistë me Courtney Fingar shprehet se identiteti europian i vendit dhe axhenda e reformave nuk mund të tjetërsohen.

Si po ecën ekonomia shqiptare?

Ekonomia po ecën mjaft mirë. Kur qeveria jonë mori detyrën, rritja ekonomike ishte më pak se 1%, thuajse në prag të një recesioni ndërsa financat publike kishin deficit të lartë. Kështu që ne vendosëm të hyjmë menjëherë në ristrukturim; filluam një marrëveshje me FMN me shume kushtëzime sa i takon reformave strukturore, fiskale, financiare dhe institucionale.

Sot ekonomia është përmirësuar konsiderueshëm: rritja në vitin 2017 ishte 3.84% e GDP. Ndërkohë ne arritëm të finalizojmë një program të suksesshëm tre-vjecar me FMN. Prodhimi është rritur; në manifakturë shifrat janë të konsiderueshme, ndërsa sektori i turizmit në rritje po kontribuon pozitivisht në ekonomi. Në tre muajt e parë të vitit 2018 patëm një fluks rekord të investimeve të huaja direkte prej 284 milione euro. Nëse ecim në këtë trend, në fund të vitit besoj do të kalojmë 1 miliardë euro. Për një vend të madh mund të duket shifër simbolike, por për ne është një kapërcim cilësor.

Unë besoj se në 28 qershor (në takimin e Këshillit Europian për diskutimet mbi zgjerimin), nëse Shqipëria do të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave, do të thotë që BE do ta vlerësojë faktin që ne i kemi përmbushur të gjithë detyrat tona. Në vijim ne do të prezantojmë një set tjetër reformash të rëndësishme, të lidhura me cilësinë e administratës, legjislacionin, sistemin gjyqësor, sigurinë ushqimore etj. Hapja e negociatave do të rrisë besimin e qytetarëve shqiptarë.

Po nëse nuk e merrni?

Nëse nuk e marrim, do të jetë shumë e padrejtë për Shqipërinë. Shqipëria në fund të ditës është një vend europian. Ankora jonë do të vazhdojë të jetë Europa. Nëse negociatat nuk hapen, do të ketë zemra të thyera, do të ketë pesimizëm, do të jetë një shans i humbur për Europën dhe për ne, por destinacioni ynë mbetet Bashkimi Europian. Unë jam I bindur që endrra jonë europiane nuk kërcënohet aspak.

Pra ju nuk do të hiqni dorë nga anëtarësimi në BE dhe rruga e reformave, në cdo rast?

Si mund të heqim dorë nga Europa? Ne jemi europianë në fund të ditës. Europa ka vendosur të vizatojë një hartë dhe thotë ?ky brenda hartës është Bashkimi Europian?, por edhe jashtë saj, Shqipëria është nje vend europian. Ju mund të mendoni se ne nuk i kemi bërë detyrat tona nëse nuk hapen negociatat, por ne besojmë se i kemi përmbushur ato. Por përtej debatit, kjo nuk na bën ne më pak europianë. Ndoshta nuk dukemi aq të sofistikuar sa disa vende të tjera europiane, por patjetër që ne jemi Europianë, fondamentalisht dhe në genet tona.

Shënim i redaktorit: Këshilli Europian vendosi qershorin 2019 si datën për hapjen formale të negociatave me Shqipërinë.

Cfarë reformash priten në të ardhmen?

Janë disa reforma që do të lehtësojnë investitorët që vijnë në Shqipëri. Njëra është reforma në administratën publike e cila vazhdon, për ta bërë administratën publike më të përgatitur për të pritur investimet dhe investitorët. Sistemi ynë i taksave është shumë i thjeshtë, por ne kemi nevojë të përmirësojmë administrimin. Reforma në sistemin e drejtësisë po avancon dhe pastaj është reforma që sapo kemi filluar, për sigurinë ushqimore.

Një nga elementët ku ne po shpenzojmë shumë energji dhe para është formimi dhe trajnimi profesional për të ngushtuar hendekun mes nevojave të tregut dhe asaj që sistemi arsimor ofron. Ky nuk është një proces që sjell fryte me një vit, por jam i sigurt se në një periudhë 4-10 vjecare, tregu i punës do të ndryshojë tërësisht.

Lajmet e fundit nga