LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse një ligj special për të rigjykuar proceset e korruptuara?!

24 Korrik 2018, 16:32, Aktualitet CNA
Pse një ligj special për të rigjykuar proceset e korruptuara?!

Nga Skënder Minxhozi

Në një shkrim të tijin një ditë më parë, kolegu Karlo Bollino ka shfaqur një tundim të cilin e kanë pasur shumë prej nesh këto vite. Bollino ka kërkuar, në parim jo pa të drejtë, që të ngrihet një mekanizëm ligjor i posaçëm, për të nisur rishqyrtimin e proceseve qe kanë kaluar nëpër duar gjyqtarët e nxjerrë jashtë sistemit, pas verifikimit nga procesi i Vettingut. Logjika është e thjeshtë dhe e drejtë parimisht: këta që kanë vënë pasuri e janë majmur në rrugë të dyshimta, duhet të kenë bërë diçka gjatë ushtrimit të profesionit, për t?i ?merituar? milionat e vilave, makinave e luksit. Një deduksion i thjeshtë por i saktë, që revolton çdo shqiptar që sheh sesi po bien me rradhë emrat më të njohur të drejtësisë shqiptare, për deklarime pasurish që i kanë mbushur me duart e tyre.

Megjithatë, ka pasur një arsye madhore, qysh në fillimet e reformës në drejtësi, për ta ndarë kontrollin mbi pasurinë e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, nga rishqyrtimi i proceseve gjyqësore që ata kanë kryer. Gjyqtarë apo prokurorë qofshin. Ka qenë pak a shumë e njëjta arsye që ka shtyrë qeveritë e 20 viteve të fundit, që të ngrenë flamurin e bardhë përballë fenomenit të ndërtimeve pa leje. Masiviteti i kësaj dukurie (rreth 400 mijë ndërtime pa leje në gjithë vendin), ka bërë që të shpallet amnistia për to, e të nisë procesi i legalizimit, meqë shembja ka qenë e pamundur. Edhe në rastin e vendimeve gjyqësore, logjika e ligjvënësit ka qenë që sistemi duhet pastruar duke fotografuar e verifikuar gjendjen aktuale. Pa i hyrë listës kilometrike të dhjetra mijë çeshtjeve që kanë kaluar nëpër duart e gjykatësve e prokurorëve në 28 vjetët e fundit. Pamundësia praktike për ta kthyer mbrapsht shiritin e sistemit nga e para, ka shtyrë që të gjendet një kompromis, i cili vërtet krijon një të çarë të konsiderueshme morale në ngrehinën e drejtësisë së re.

Të verifikosh një gjykatës a prokuror, nuk do të thotë të numërosh vetëm katet e vilave, makinat në parking, apo eurot në llogaritë e bankare. Duhet parë burimi i vërtetë i kësaj pasurie shpesh revoltuese. Por, për t?ju kthyer propozimit të Bollinos, kjo nuk ka nevojë të ndodhë me një ligj apo paketë ligjesh ?sui generis?. Për faktin e thjeshtë, se ligjet për ta bërë këtë gjë, egzistojnë tashmë të shkruara e zeza mbi ta bardhë. Ajo që ka munguar dhe mungon, është vetëm vullneti për të bërë drejtësi. Me ligjet apo nismat e posaçme nuk është vënë në vend asnjëra nga padrejtësitë e tranzicionit shqiptar. Kuvendi i Shqipërisë ka hetuar, ose më saktë ka bërë sikur ka hetuar, me nisma të posaçme, piramidat financiare, Gërdecin, 21 janarin dhe thuajse të gjitha ngjarjet e bujshme të çerek shekullit të fundit. Nismat ligjore, qofshin komisione hetimore apo diçka tjetër, kanë pjellë retorikë, sharje dhe tension. Tym pa zjarr, me fjalë të tjera.

Që të vendosësh në vend një vendim gjyqësor korruptiv e tendencioz në ditët tona, është proceduralisht e mundur ta bësh edhe me ligjet e procedurat që kemi në fuqi. Mjafton të hapësh Kodin e Procedurës penale, për të kuptuar se në teori, rishikimi i një procesi gjyqësor nuk është aspak i pamundur. Përkundrazi. Ai është tërësisht i kodifikuar dhe i rregulluar nga ana e procedurës. Për më tepër,  shumë nga proceset e zhurmshme, të cilat bujën e kanë bërë pikërisht për shkak të devijimit dhe falsitetit të vendimeve që janë publikuar në fund, mund të rigjykohen fare lehtë. Do të mjaftonte që organi i akuzës të marrë një nisëm kryesisht, për të hetuar le të themi korrupsionin e Rrugës së Kombit, e të nisë procesi gjyqësor. Ashtu siç po bëhet gati të rihapet gjyqi i Hajdarit, pas kthimit të Izet Haxhiajt nga Turqia. E njëjta gjë vlen edhe për procese skandaloze për të cilat është folur gjatë në media e opinionin publik, në 20 vitet e fundit.

Shqipëria i ka ligjet për ta luftuar padrejtësinë. Por ajo nuk ka ende dëshirën për ta bërë këtë. Ky është problemi i vërtetë që e ka devijuar Vettingun, kryesisht drejt numërimit të orëve të dorës dhe unazave të shtrenjta, e jo të shqyrtimit të vendimeve që kanë nxjerrë nga burgjet vrasës, trafikantë apo që kanë lënë të lirë politikanë me një mal gjynahe mbi shpine.

Lajmet e fundit nga