LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndërtimi në lulëzim/ Kredia për këtë sektor po shënon rënie të fortë

3 Korrik 2018, 06:20, Aktualitet CNA
Ndërtimi në lulëzim/ Kredia për këtë sektor po

Sektori i ndërtimit i është rikthyer ciklit rritës përgjatë dy viteve të fundit, si rrjedhojë e rigjallërimit të lejeve të ndërtimit. Në vitin 2017,  në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë.

Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.

Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet. Në vitin 2016 janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi në Tiranë, për një sipërfaqe prej 209.3 mijë metra katrorë, ndërsa në 2017-n numri i lejeve arriti në 231 për një sipërfaqe totale prej 522 mijë metra katror. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë.

Kjo tendencë ka vijuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Bashkitë në vend kanë dhënë 221 leje ndërtimi në tre muajt e parë të vitit, me një rritje prej 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT. Vetëm në Tiranë, numri i lejeve të ndërtimit ishte 65, duke shënuar një rritje prej 51% në raport me tre muajt e parë të vitit të kaluar

Por kjo rritje e lejeve të ndërtimit nuk po shoqërohet nga zgjerimi i huasë për këtë sektor, në një tregues indirekt se lulëzimi i ndërtimit nuk po financohet në pjesën m ëtë madhe nga kreditë bankare. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në maj 2018, stoku i huasë për ndërtimin zbriti në 43.9 miliardë lekë, ose 13.7% e totalit të huasë dhënë për korporatat jo financiare private. Në krahasim me një muaj më parë, stoku ka rënë me 1 miliardë lekë, ose 2.2%. Në raport me fundin e vitit të kaluar, tkurrja është 2.4 miliardë lekë, ose 5.2%. Rënia e stokut tregon për një ecuri modeste të huasë së re (rritje 7.8% për 5 mujorin e parë), ndërsa kthimet dhe fshirjet janë të larta.-shkruan Monitor.

Më herët bankierët kanë pohuar për Monitor se e shohin me shumë optimizëm rendjen e sipërmarrësve drejt ndërtimit dhe as nuk janë shumë aktive në financimin e këtij sektori, madje janë të frikësuara se kjo mund të kthehet në një bumerang në afatin e gjatë. Ata pohojnë se për këtë kanë diskutuar dhe me autoritetet shtetërore, duke i paralajmëruar se po shtrohet rruga drejt një flluske.

Ndërtimi ka qenë historikisht një sektor problematik dhe deri në fund të vitit 2015, huaja e pakthyer në afat e ndërtuesve ishte sa 38.1% e totalit, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse pesha e huave me probleme ka rënë për shkak të fshirjeve, kjo bën që bankat të jenë shumë të kujdesshme me huanë e re.

Burimi: Banka e Shqiperise

Burimi: INSTAT

Lajmet e fundit nga