LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kur ngelesh në dorë të Salianjit

20 Qershor 2018, 09:19, Aktualitet CNA
Kur ngelesh në dorë të Salianjit

Disa javë më parë, Partia Demokratike dhe opozita filloi të ngrinte një kauzë, atë kundër ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Një kauzë që fillimisht u duk e menduar mirë dhe po tregonte se PD-ja, për herë te parë ndoshta, në aksionin e saj politik ishte e qartë.

Ditë pas dite, deputeti i saj Enkelejd Alibeaj artikulonte akuza ndaj ministrit të Brendshëm, faktin të dokumentuar se vëllai i tij ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali dhe se ky ministër, pra Fatmir Xhafaj nuk mund të bënte Vettingun e policisë. Minimalisht ai duhej të dorëhiqej pas denoncimeve që PD-ja bënte ditë pas dite.

Një kauzë e drejtë që mori vëmendjen e publikut dhe pati një reagim shumë të gjerë. Një reagim që vinte për faktin se Fatmir Xhafaj do të bënte Vettingun në polici, ndërkohë që ishte ai vetë që duhej ti nënshtrohej i pari Vettingut.

Kjo pasi ai kishte deklaruar se do të largonte nga policia çdo kënd që mund të kishte qoftë edhe një lidhje të vogël familjare me dikë që ishte dënuar për krime.

Në fakt, vetë ministri i Brendshëm kishte vëllain e tij të dënuar vite më parë dhe të shpallur në kërkim nga policia italiane.

Në fakt, mediat raportonin shpesh se vëllai i ministrit kishte ndryshuar emrin dhe kjo ishte arsyeja që bënte të vështirë identifikimin e tij.

Por, gjithësesi përtej këtyre qëndrimeve, të medias apo të politikës, moralisht ministri i Brendshëm duhej të jepte dorëheqjen, por ai nuk e dha atë kurrë.

Kryeministri e mbrojti fort dhe më fort pas publikimit të një audio-skandali.

Pra, kauza e opozitës, e filluar në mënyrë tepër morale dhe e artikuluar ndoshta për herë të parë në mënyrë aq të mirë dhe të drejtë nga Enkelejd Alibeaj, i cili dhe me eksperiencën e tij juridike i jepte peshë çështjes, u kthye në boomerang.

Pra, nga avantazh për opozitën, u kthye në humbje për të, por jo deri në momentin e denoncimit të vëllait të tij si i dënuar e duke shfaqur dokumentat e vendimeve të gjykatave italiane.

Por në momentin që doli një audio-përgjim, i cili në atë kohë në korridoret e Partisë Demokratike u tha se ishte sjellë nga deputeti Ervin Salianji. Ky fakt u konfirmua në një dalje publike edhe nga gazetari, i cili pretendohej se kishte realizuar audio-përgjimin, Jetmir Olldashi.

Pas daljes së audio-përgjimit, ku pretendohej se ishte Agron Xhafaj me një person të quajtur Albert Veliu, i njohur si ?Babale?, flitej për problematika të ndryshme.

Por çfarë rezultoi më pas dhe çfarë po ndodh?

E gjithë kauza që PD ngriti me këmbë kundër Fatmir Xhafës, tani thuajse është shuar. PD përpiqet dhe përpëlitet ta mbajë gjallë, por duket se ka humbur kredibilitetin e asaj çështje.

Kjo për shkak të audio-përgjimit dhe jo për shkak të faktit se ministri i Brendshëm, nuk duhet të largohet se vëllai i tij është i dënuar.

Audio-përgjimi po del fallc, pra po del i montuar. Albert Veliu në Kosovë ka deklaruar se audio-përgjimi ishte një inskenim dhe se nuk ja merrte mendja se do të kishte kaq reagim të fortë publik.

Një tjetër person i është ofruar prokurorisë, duke treguar se është ai zëri i dytë dhe nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke kryer të gjitha ekspertizat, ç?ka po çojnë ditë pas dite në përfundimin se audio-përgjimi ka qënë i inskenuar.

Por, përse duhej ky inskenim i këtij audio-përgjimi kur PD e kishte ngritur kauzën e saj. Kur vetë opozita po ecte në një rrugë mjaft të mbarë, duke denoncuar dënimin e vëllait të ministrit dhe duke luajtur me kartën morale. Duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafës nga institucioni, për shkak se vëllai i tij ishte një trafikant droge.

Në këtë moment kur gjithçka ishte duke shkuar në favor të opozitës, del audio-përgjimi, i servirur nga Ervin Salianji në selinë e Partisë Demokratike dhe realizuar nga gazetari Jetmir Olldashi, ashtu sikurse kanë deklaruar vetë të dyja palët. Dhe në fund sot opozita nuk e ka më kauzën morale, por e ka humbur sepse audio-përgjimi po rezulton fals, duket që ishte një skenar.

E kishte përgatitur Ervin Salianji vetë këtë skenar apo ishte paaftësia dhe injoranca e tij politike për të kuptuar se ishte e montuar?

Pra, që Salianji politikisht nuk kishte kuptuar asgjë, por kishte rënë në kurthin e ?Babales?.

Një ?Babale? që në fillim u konsiderua si ?hero? dhe ?Dëshmitari X?, por më pas nga Lulzim Basha u quajt kriminel.

Një audio-përgjim që ju servir Partisë Demokratike nga Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi. Tha se ishte ai që e kishte zhvilluar audio-përgjimin, por që nuk kishte shkuar vetë në katin e dytë, ku ishte zhvilluar biseda midis ?Babales? dhe të të pretenduarit Agron Xhafaj.

Nga ana tjetër Salianji e merr këtë audio-përgjim pa bërë asnjë verifikim, pa bërë asnjë konsultim, pa verifikuar hapat dhe pa investiguar më tej, audio-përgjimi del dhe publikohet nga vetë Salianji dhe trumbetohet fort nga Lulzim Basha.

Gjithçka rezulton një flluskë sapuni, opozita humbet edhe moralin e kauzës që kishte fituar./ CNA.al

Lajmet e fundit nga