LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kriminale/ Reklama për kompani bastesh pa mbarim para, gjatë dhe pas ndeshjeve

17 Qershor 2018, 18:12, Aktualitet CNA
Kriminale/ Reklama për kompani bastesh pa mbarim para, gjatë dhe pas

Prej disa ditësh ka nisur evenimenti më i ndjekur sportiv në botë, “Botërori 2018”, eveniment ky i shoqëruar me një vepër kriminale që Televizioni Publik Shqiptar, platforma sportive dhe shumica e televizioneve private japin reklama pa mbarim për kompani bastesh, duke i shtyrë shqiptarët drejt kumarit. E gjithë kjo që ndodh, duke nisur me TVSH-në, është tërësisht e kundërligjshme, kjo pasi ligji e ndalon reklamën e basteve. Reklamohen baste online, kompani bastesh, ndërkohë që qeveria në shtator të 2013-ës, puna e parë që bëri ishte operacioni “Fundi i marrëzisë”, i cili sot mund të quhet një dështim, jo vetëm për shkak të sallave të lojërave të fatit, pra kazinove, por edhe për shkak të basteve. Ka pika llotoje çdo metër, e jo vetëm që e ka legjitimuar por edhe reklamuar. Kujtojmë se në atë kohë, qeveria bllokoi faqe të ndryshme të huaja ku mund të luheshin bastet online dhe shpalli si fitore dhe sukses për të mbrojtur familjet e shqiptarëve.

Ndërkohë që tha se do t’i kontrollonte lojërat e fatit, do të ulte me politika frenuese mundësinë për të luajtur, do të mjaftonte një vëzhgim i thjeshtë në Tiranë, Elbasan, Durrës apo kudo, është pëllëmbë dhe baste, dhe nuk mjafton kjo por në frymën e botërorit po reklamohen në televizor. Po reklamohet gjatë ditës, para ndeshjeve, gjatë dhe pas tyre, a thua se Edi Rama është gati ‘i marrë të gjithë paratë e shqiptarëve dhe t’ua çojë kompanive të basteve.

Nga të dhëna jo zyrtare raportohet se luhen gjatë eventeve të mëdha sportive si Kampionati Botëror, Europian, rreth 3 milionë euro në ditë nga shqiptarët. Të gjitha këto para qarkullojnë në kompanitë e basteve dhe sa fitohet realisht nga lojtarët për të cilët bëhen thirrje që të luajnë, në televizionin publik, diferenca duket të jetë thuajse qesharake. Pra shumica e parave shkon në xhepat e kompanive të basteve. Paratë e shumicës së shqiptarëve shkojnë në disa duar të vetme. Ndërsa në muaj të zakonshëm luhen rreth 2 milionë euro.

Jo vetëm qeveria, por edhe Ministria e Financave, Autoriteti i Mediave Audiovizive, të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë, dhe kjo jo vetëm për shkak të Kampionatit Botëror. Kujtojmë se dita platforma private, gjatë eventeve të tyre sportive, si kampionate të ndryshme apo ligat europiane, edhe gjatë ndeshjeve reklamonin kompani bastesh. Tani i japin gjatë ditës, përpara, gjatë, në pushim dhe pas ndeshjeve. Një gjueti kriminale kundër xhepave të varfër të shqiptarëve, për t’i varfruar dhe shkatërruar edhe më tej ato. Kushdo që ka dëshirë të luajë mund të luajë dhe kjo nuk diskutohet sepse nuk jemi në kohën e diktaturës, por qeveria duhet të ketë politika të forta për mbrojtjen e familjeve kundër stimulimit të basteve dhe kazinove. Mund të quhet kriminale ajo që bën Televizioni Publik Shqiptar, i cili reklamon pa pushim kompani Bastesh, online apo jo. Përtej këtij këtij fakti se sa kriminale mund të duket reklamimi, është dështimi i qeverisë Rama që filloi me “Shpatë të fortë” kundër basteve online, lojërave të fatit në përgjithësi apo kazinove, ndërsa sot e shohim 24 orë në reklamë në televizion.

Këtë e bën Televizioni Publik, i cili paguhet me taksat e shqiptarëve për edukim, kulturë dhe informim, e jo për të reklamuar kumaret dhe shkatërrimin e familjeve shqiptare.

Ajo që ndodh ndonëse reklamohet duke thënë hajde luajmë për qejf e jo për hall, reklama në të cilat përfshihen figura të njohura për publikun, duhet të dimë se nuk ka kumar e baste të luajtur për qejf. Për qejf mund të ftohen shqiptarët të shkojnë e shpenzojnë në turizëm, kulturë e argëtim, e jo për baste. /CNA.al

Lajmet e fundit nga