Aktualitet
Enno bie në dëshpërim të thellë

Një fjalë e urtë thotë që kur arrin famën, suksesin, madhështinë apo admirimin e popullit tënd, duhet të ruhesh nga disfatat. Enno e di këtë.
Natën nuk fjeti mirë, bëri një gjumë allasoj. Në ëndërr i shfaqeshin lugetër. Goja i shkrumbohej dhe sa me shumë etja i digjte qiellzat, i ngjante sikur dikush i hidhte kripë. Një parandjenjë e keqe i vërtitej si topuz mbi krye. Dy tre herë hapi dritaren por çuditërisht zjarrmia nuk i ulej. Ku je shpirt që nuk del derisa erdhi mëngjesi. Nuk foli asnjë fjalë.
Një shenjë bëri që nënkuptonte kafe turke të hidhur. E piu ashtu si në heshtje pa solemnitet por si i përzhitur nga një dhimbje fisnike, gjalpin e reçelin i pa me përbuzje as i preku me dorë. Nuk u rrua dhe ashtu me qime të kreshpëruara si kurriz peshku doli në rrugë. Nuk i flitej me askënd. Mori një taksi e drejt për në zyrë. Beni, dezhurni i selisë, i doli përpara, dridhej, dihatej, përpiqej të shpjegonte diçka por fjalët vrisnin veten një e nga një. Në shkallë Greta, shefja e kabinetit të Bashës, çirrte faqet e lotët i shkonin çurg. Strazo, si shkëmb ishte ulur këmbëkryq në korridor dhe dukej si Sef Kosharja pas betejës së Kaçanikut. Ta prisje në 100 vende si dilte një pikë gjak. As i nuk fliste. Kater rojet e armatosura që kishte vënë para zyrës së Ennos kishin rënë në gjumë të thellë… Asnjë shkundje nuk i zgjonte… Asnjë vikamë nuk jua çonte zërin në timpan. Enno pa derën e shqyer. Parandjenja nuk e kishte zhgënjyer. Syu i shkoi mbi kasafortë. Ajo ishte shpartalluar. Sirtari ishte bosh. Plani i shpëtimit kombëtar ishte zhdukur
-…O kob… o tmerr… o prapsi.. o dreq…. o shigjeta të helmatisura të fatit të tërbuar ç’keni bërë kështu! -vikati Enno dhe u trand, gjunjët e lëshuan, por Strazo gjeti forcë u ngrit për vete, e mbajti dhe e uli mbi kanape.
Donika pastruesja solli një kanë me ujë dhe ja hodhi mbi krye plot ankth. Enno kishte rënë në kllapi. Fliste përçart
-Shqipëria… unë… ata… atdheu… plani… Saliani… Edi Rama… Basha…ku rafsha mos u vrafsha… Shpëtimi, zgjimi, tërbimi…!
U mblodhën rreth tij si apostujt rreth krishtit në malin e shenjtë dhe hamendjet filluan.
Njëri tha që një grup rambosh nga lozhani fshati i Salianjit u pa natën të hynte në godinë dhe të vinte në gjumë Benin dhe rojet e armatosura të Strazos… pastaj shkallmuan derën dhe u bënë furi.
Të tjerë bënin be s’e kanë parë në aksham pa ja behur rojet bernard banushin me sharrë hekuri të priste bravën dhe të vjedhë planin, për t’ia dërguar Ed Lesit i përmbysur në krevat nga shiatiku.
Madje guxojnë të thonë se ky sa e ka parë i ka thënë po pse me këso gjepurash do merrem unë, me këtë hall që më ka zënë. Bernardi paskësh çapëluar sytë si dac nga habia, ndonëse kishte rrezikuar kokën në atë aksion gueril.
Hamendjet veçse shtonin dergjien. Si benzinë mbi zjarr binin ato. Enno nuk fliste po dhimbja e kishte shndërruar atë në monument të gjallë. Pas ca orësh tha një fjali të plotë: “Faik beu i Konicls i ngjashmi im në mendime e iluminizëm paskësh pasur të drejtë kur ka thënë: ‘Shqipëri të kam dh… nuk të mora vesh asnjëherë’. Unë i dhashë zgjidhjen, planin, shpresën, ringritjen dhe ja si ma shpërblyen nga smira”, dhe dy pika lot i rrëshqitën mollzave e ra në zali. /CNA.la