LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/ “Mesazhi aktual edhe sot”

10 Qershor 2018, 12:14, Aktualitet CNA
Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/

Presidenti Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Së bashku me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Rifat Jasharin në prani të deputetëve e përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Kosovës, akademikëve, historianëve, pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, krerëve të bashkësive fetare, ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj., Presidenti Meta fillimisht mori pjesë dhe përuroi gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit: Ymer Prizeni, Abdyl Frashëri dhe. Më tej Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast në Kompleksin Memorial të Lidhjes.

Presidenti përshëndeti seancën solemne të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, duke iu drejtuar të pranishmëve:

?Jemi mbledhur sot në këtë qytet të bukur dhe historik për të përkujtuar të gjithë së bashku 140-vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje lapidare në historinë e kombit tonë.

Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t?ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Qysh në themelimin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi të panumërta për bashkimin politik të katër Pashallëqeve, për formimin e strukturës së saj organizative mbarëkombëtare, për ndërtimin administrativ, për krijimin e ushtrisë dhe për ndërmarrjen e aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak për realizimin e programit të saj.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj në një prej situatave rajonale dhe ndërkombëtare më të rrezikshme dhe më kërcënuese për fatet e kombit shqiptar dhe territoreve të tij.

Kriza Lindore Ruso-Osmane dhe Traktati i Shën Stefanit që e pasoi atë, tentonin të fshinin nga faqja e dheut kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e tij në dobi të interesave të shteteve të reja të sapokrijuara të Ballkanit dhe të disa Fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit i mbledhur për të adresuar Krizën Lindore njohu shumë shtete të reja të pavarura në Ballkan, por as që i përfilli aspiratat legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në këto rrethana Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të përballej nga njëra anë me rrezikun shovinist të politikave aneksioniste të shteteve fqinje dhe nga ana tjetër me injorimin dhe heshtjen ndaj çështjes kombëtare shqiptare prej Fuqive më të mëdha të kohës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u gjend e rrethuar fqinjësisht dhe ndërkombëtarisht qysh në gjenezën e saj.

Prandaj asaj iu desh të ndërmerrte një veprimtari shumëplanëshe politike, diplomatike dhe ushtarake. Politikisht për ndërtimin e platformës shtet-formuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diplomatikisht për bërjen e saj të ditur te Fuqitë e kohës dhe në vendet fqinje, ushtarakisht për të mbrojtur me armë, gjak dhe sakrifica popullin shqiptar dhe territoret e tij.

Për shkak të rrethanave jashtëzakonisht të vështira të krijuara nga agresiviteti militarist i shteteve fqinj si dhe nga koalicioni ushtarak i Fuqive të kohës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk jetoi gjatë.

Por pavarësisht kësaj, platforma politike e saj, aksioni diplomatik ndërkombëtar, vlerat e shquara të identitetit kombëtar shqiptar që ajo lartësoi, rezistenca dhe sakrificat e jashtëzakonshme që ajo ndërmori do të mbeteshin të gjalla përjetë dhe do të ushqenin përgjithmonë aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet politike të vendeve fqinje, por edhe të Fuqive më të mëdha të kohës.

Mediat e tyre e pasqyruan gjerësisht platformën dhe veprimtarinë e saj, duke vënë në dukje aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, identitetin e tij kombëtar, vendosmërinë për të themeluar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, por njëkohësisht edhe fuqinë ushtarake kundër një bashkësie shtetesh fqinj dhe një koalicioni fuqish kundër tyre.

Ndonëse në një kohë relativisht të shpejtë kjo Lidhje u shua, ajo avancoi programin e saj të bartur në ngjarje të tjera mbarëkombëtare.

Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Lidhja e Junikut janë hapat e hedhura nga populli shqiptar për të jetësuar hap pas hapi programin madhor që nisi pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit.

Në historinë e popullit shqiptar sa më shumë kohë do të kalonte aq më shumë do të lartësohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe do të kuptohej mesazhi i saj frymëzues përgjithmonë. Shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë në vitin 1912, shpallja e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, nga programi, vizionet dhe aspiratat e saj për të lartësuar identitetin kombëtar dhe evropian të shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndron edhe sot e gjithë ditën në përpjekjet e mëdha të mbarë shqiptarëve për të zgjeruar hapësirat e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Si e tillë ajo nuk është një relike historike, por është edhe sot një vepër e gjallë frymëzuese për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat.

Prandaj sot përkulemi me ndjenjë të jashtëzakonshme të respektit dhe mirënjohjes për Abdyl Frashërin, për Ymer Prizrenin, për Sulejman Vokshin e gjithë ata burra të mençur e atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Sot përkulemi me respekt të jashtëzakonshëm edhe përpara sakrificave të Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës, që janë në themel të këtyre arritjeve që Kosova ka shënuar gjatë 10 viteve të pavarësisë së saj.

Veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit, udhëheqësit e saj vizionarë dhe legjendarë, pasuesit e tyre janë një frymëzim për rininë shqiptare, që të rritet me frymë atdhetare, me shpirtin e lirisë, me formim qytetar e demokratik, me kulturë bashkëkohore dhe evropiane. Vetëm me një rini të tillë ëndrra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm do të mbahet gjallë, por aspiratat e saj legjitime do vijojnë të jenë frymëzim mbarëshqiptar në kohët që do vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!

Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!?

Lajmet e fundit nga