LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Enno ngujohet përsëri

27 Maj 2018, 12:50, Aktualitet CNA
Enno ngujohet përsëri

Enno pat si tharje fyti gjatë natës ! Sa më shumë pinte aq më tepër i thahej gjyryku. Djersë e mornica i përshkruan kurmin. Zgjohej ecte nëpër korridor e hungëronte gjithë piskamë aq sa xhamat e dritares u tronditën dy a tri herë.

Plot mahmutllëk u zgjua në mëngjes dhe doli nga dera e apartamentit plot furi. Njerzia e ngjatëtonte rrugës, por Enno i murrëtyer nuk shikonte njeri me sy. Mbërriti te shkallët e selisë dhe tek e fundit u ndal. Roja hapi derën po ai nuk hynte. Ndenji ashtu nja 5 a 6 minuta të paqëta. Zyrtarët e partisë nxirrnin kokën në parvaz, por gjithë ajo zymtësi u kallte datën.

Një ditë pas protestës Enno ishte i menduar dhe i ngarkuar me re. Aty erdhi Salianji. U panë në sy dhe u hodhën në krahët e njeri- tjetrit. Dana sekretarja e Bashës, nxorri kryet në dritare e psherëtiu. As Akili me Hektorin nuk bartin kaq madhështi. Pa folur ngjitën shkallët dhe u futën në zyrën e Ennos i cili porositi dy kafe pa sheqer. I pinë si në vaki ..nuk folën asnjë fjalë..

Salianji u ngrit dhe përsëri me ngashërim përqafoi Ennon. Tek dera u ndal. Basha gaboi rëndë që nuk respektoi planin tënd të shpëtimit kombëtar. Duhej të lexonte fjalimin që i shkrove ti. Madje edhe parullat e tua ngjisin shumë në popull, por dikush e bindi për të kundërtën. Enno nuk foli.

U mbështet mbi gushën e vet dhe e la ti varej buza e poshtme edhe më për të shprehur kësisoj zemëratën e tij. Salianji doli i hepuar si kalorës dhe Enno mendoi. Shyqyr që i bashkuam forcat. Një ditë do ja dalim dhe u kredh në heshtje e meditim. Mbylli derën nga pas dhe nuk po shfaqet më. Kërkon arsyet e dështimit të protestës. Basha i dha fjalën që do respektonte planin e tij. Kush ta ketë këshilluar për të kundërtën?

Nuk gjente paqe, pesë orë kanë kaluar dhe ai nuk pipëtin. As ujë nuk kërkon. Dana lajmëroi Jemin Gjanën të vinte aty me një sharrë nëse orët kalojnë dhe ai s’bëhet i gjallë. U dëgjuan ca rënkime. Edi Rama, Edi Rama ti mund t’ia hedhësh Lul Bashës po kurrë Enno Bozdos.

Nga vrimë e çelsit kureshtarët e PD shikonin një pergamenë të madhe të hapur mbi tavolinë dhe Ennon që shkruante….

Ndoshta po stërhollon planin e shpëtimit kombëtar pas zhgënjimit që solli protesta. /SATIRË

Lajmet e fundit nga