LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Guvernatori Sejko në takimet e FMN dhe BB/ Ja për çfarë është diskutuar

25 Prill 2018, 10:42, Aktualitet CNA

Në datat 20-22 prill 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Shqipëria mori pjesë në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë – me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, Zj. Elisabeta Gjoni, si dhe drejtues të tjerë të lartë të saj – dhe nga Ministria e Financave – me përfaqësues Zëvendësministrin e Financave, z. Erjon Luçi, dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se: ??rritja globale është forcuar më tej dhe mbështetet gjithmonë e më shumë në një bazë të gjerë, e nxitur nga rikuperimi i fortë i investimeve dhe tregtisë. Rreziqet janë gjerësisht të balancuara në afatin e shkurtër, por mbeten të anuara për poshtë, përtej disa tremujorëve të ardhshëm. Rritja e dobësive financiare, rritja e tensioneve në aspektet tregtare dhe gjeopolitike, dhe borxhi historikisht i lartë në nivel global, kërcënojnë parashikimet për rritjen globale. Faktorët demografikë dhe rritja e ulët e produktivitetit mund të reduktojnë potencialin për rritje më të lartë dhe më përfshirëse në të ardhmen.?.

Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: përfaqësues të FMN-së – z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, z. Alessandro Leipold, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Anita Tuladhar, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Dong He, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së – z. Cyril Muller, Zëvendëspresident për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, zj. Linda van Gelder, Drejtore Rajonale për Ballkanin Perëndimor, z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; z. Marcelo Guigale, Këshilltar pranë BB-së, zj. Arunma Oteh, Zëvendëspresidente për Thesarin etj.

Përveç takimeve me përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve, Guvernatori Sejko gjithashtu zhvilloi edhe takime të tjera të rëndësishme, ndër të cilat mund të veçojmë takimin me: zj. Elke König, Kryetare e Bordit të Vetëm të Zgjidhjes (Single Resolution Board -SRB); me Presidentin e Bankës Kombëtare të Gjermanisë, Dr. Jens Weidmann; dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkaya. Gjatë takimeve me homologët e bankave qendrore, u vlerësuan marrëdhëniet ndërinstitucionale të deritanishme, si dhe u diskutua për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Ai shtoi se zbatimi politikës monetare stimuluese ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit. Më konkretisht, në lidhje me zhvillimet në ecurinë e çmimeve të konsumit, z. Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë e fokusuar në përmbushjen e objektivit të saj kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Inflacioni po kthehet gradualisht në nivelin e synuar, duke ardhur në rritje, dhe parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.

Më tej, Guvernatori Sejko, shtoi se Banka e Shqipërisë, nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj si autoritet monetar, ka kontribuuar në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit. Në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar. Gjatë diskutimeve, Guvernatori nënvizoi se për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme mbetet jetik bashkërendimi në vazhdimësi i politikës monetare me atë fiskale.

Lidhur me sistemin bankar në vend, z. Sejko u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të mirë financiarë, megjithatë vuri theksin se nxitja e kreditimit dhe vijimi me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, mbetet një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen. Ai shtoi se zbatimi i këtij të fundit, ka ndihmuar në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në muajin dhjetor 2017 në vlerën 13.2%.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunimin me institucionet e tjera në vend, për stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare. Guvernatori theksoi se qëllimi kryesor i këtij angazhimi është përmirësimi i efektivitetit të politikës monetare dhe ulja e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.

Në përfundim, Guvernatori Sejko shtoi se institucioni që ai drejton do të vijojë me përmirësimin e vazhdueshëm të rolit të tij mbikëqyrës, përqasjes proaktive të rregullimit bankar, rritjes së sigurisë së sistemit bankar dhe nxitjes së zhvillimit të sistemit të pagesave, duke ndjekur standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së gjetën rastin të inkurajonin Bankën e Shqipërisë në angazhimin e mëtejshëm lidhur me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare.

Më tej, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se Shqipëria duhet të përfitojë nga trendi i rritjes ekonomike, stabiliteti financiar dhe sistemi i sigurt financiar, për të tërhequr investime të huaja, në mënyrë që kjo rritje ekonomike të jetë e shëndetshme në afat të gjatë.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, përshëndetën rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ata u shprehën se për të përmirësuar ambientin e biznesit dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit, mbetet i një rëndësie të veçantë vazhdimi i reformave strukturore në vend.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Banka Botërore për politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë.

Lajmet e fundit nga