LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BERZH: 43% e firmave në Shqipëri mendojnë se lidhjet me politikën garantojnë suksesin në biznes

13 Prill 2018, 17:31, Aktualitet CNA
BERZH: 43% e firmave në Shqipëri mendojnë se lidhjet me

Në Shqipëri lidhjet politike janë domosdoshmëri për të  garantuar suksesin në biznes. Jakov Milatovic, ekonomist i asociuar në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në një prezantim të posaçëm në kuadër të raportit të Tranzicionit 2017-2018, zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ka gjetur se në vendet e Ballkanit lidhjet politike janë shpeshherë shkaku i suksesit në biznes.

Shqipëria u rendit e treta nga vendet e BERZH, pas Maqedonisë dhe Bosnjës ku lidhjet politike prevalojnë në suksesin e bizneseve. 43% e firmave të anketuara në Shqipëri janë përgjigjur se lidhjet me politikën garantojnë ecurinë pozitive të aktivitetit, në një kohë që në vendet e tjera të rajonit dhe në ato në zhvillim, përqindja e bizneseve që mendojnë në këtë mënyrë është shumë më e ulët.

Ekonomisti i BERZH tha se sektori privat e sheh korrupsionin si një pengesë të madhe. 23% e bizneseve në rajon e konsiderojnë korrupsionin si një pengesë të madhe ose shumë të rëndë. Sipas Milatoviç, lidhjet politike janë parë nga shumë njerëz si çelësi i suksesit në jetë.

Sondazhi ka treguar se më shumë se një e treta e njerëzve mendojnë se lidhjet politike në Ballkan kanë më shumë rëndësi se sa përpjekjet që vijnë nga puna, inteligjenca dhe aftësitë, të cilat duhet të ishin çelësi i suksesit në jetë. Për pasojë, në Ballkan mungon përzgjedhja për shkak të meritokracisë dhe në vend të saj prevalon klientelizmi për shkak të interesave.

Ekonomisti i BERZH thotë se bizneset në rajon paguajnë kosto të larta të korrupsionit. Firmat në Ballkan humbasin 13.2% të shitjeve të tyre vjetore për shkak të katër pengesave në mjedisin e biznesit, përkatësisht: krimit, mungesës së energjisë elektrike, infrastrukturës dhe korrupsionit.

Duke pasur parasysh se këto katër përmasa përfaqësojnë vetëm një të katërtën e 16 pengesave të përdorura në anketë humbja totale për shkak të mjedisit të papërshtatshëm të biznesit është padyshim shumë më e lartë. Në ekonomitë e zhvilluara problematikat në klimën e biznesit lidhen me madhësinë e tregut, eficencën e tregut të punës, përdorimi efikas i talenteve, teknologjinë etj.

Për pasojë, punëdhënësit po përballen me mangësi aftësish në punonjësit e rekrutuar. Mesatarisht 12% e firmave në Ballkan raportuan se forca punëtore ka arsim të pamjaftueshëm dhe kjo po shihet si një mangësi për perspektivën e tyre. Mospërputhja e aftësive shihet kryesisht në sektorët e prodhimit dhe të turizmit. /Monitor

Lajmet e fundit nga