LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjykata pezullon ekstradimin e liderit të Katalonjës

6 Prill 2018, 20:35, Aktualitet CNA
Gjykata pezullon ekstradimin e liderit të Katalonjës

Puigdemont arriti një fitore të parë në konfliktin e tij me organet gjyqësore gjermane. Gjykata vendosi ta lirojë me kusht ish-kryetarin e Katalonjës.

Gjykata e Lartë e Schleswig-Holstein-it në fakt kishte lëshuar një urdhër ekstradimi, por ekzekutimi i tij u pezullua me kushte. Pra, Puigdemont-i duhet të depozitojë një shumë prej 75.000 eurosh, bën të ditur gjykata në një deklaratë. Ai nuk lejohet të largohet nga Gjermania dhe çdo javë duhet të paraqitet në polici. Se kur do të lirohet nga burgu i arrestit, kjo nuk dihet.

Senati ishte i mendimit se nuk mund të bëhet ekstradim për shkak të akuzës së “kryengritjes”; për akuzën e korrupsionit dhe abuzimit të fondeve publike. Pra, ekstradimi parimisht nuk rezulton i paligjshëm, arsyetojnë gjykatësit vendimin e tyre.  Prokuroria e përgjithshme e Schleswig-Holstein-it kishte kërkuar të martën lëshimin e urdhërit për ekstradim.

Akuza e Spanjës për “kryengritje”, në sistemin juridik gjerman korrespondon me “tradhtinë e lartë”. Por, sipas gjykatësve, për një akuzë të tillë nevojitet cilësia e “dhunës”. Vërtet që ato akte dhune që ndodhën në ditën e referendumit i atribuohen të akuzuarit, si nismëtar i referendumit të pavarësisë. Por për nga “natyra, përmasat dhe efekti nuk kanë qenë të përshtatshme” për të ushtruar aq presion ndaj qeverisë saqë kjo ta shihte veten të detyruar “të kapitullonte para kërkesave të dhunëbërësve”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata e Lartë e Landit, veç të tjerash, konstatoi se nuk ka prova se Puigdemont-i do të persekutohet në Spanjë për arsye politike. Avokati i Puigdemont-it, Jaume Alonso-Cuevillas, kishte deklaruar të martën se do të dëshmonte se shteti spanjoll i kishte “shkelur të drejtat themelore” dhe se klienti i tij ishte një “i burgosur politik”.

Ish-presidenti rajonal i Katalonjës ishte njëmbëdhjetë ditë në paraburgim në burgun e Neumünster-it, në veri të Gjermanisë. Më 25 mars 2018 qe arrestuar në autostradën A7 në Schleswig-Holstein teksa kthehej nga vendet skandinave në Bruksel. Si bazë për këtë arrestim shërbeu një urdhër arresti i nxjerrë më parë nga Spanja që vlente për gjithë Europën.

Drejtësia spanjolle e akuzon 55-vjeçarin për kryengritje dhe abuzim me fondet publike. Akuzat vijnë si pasojë e referendumit të tetorit 2017 për pavarësinë e Katalonjës, të cilin e kishte ndaluar më parë qeveria qendrore në Madrid, ndërsa gjyqësori e shpalli në kundërshtim me kushtetutën. Më pas, parlamenti i atjeshëm deklaroi shkëputjen e krahinës nga Spanja…/DW- Shkrimi vjen i redaktuar nga CNA.al/

Lajmet e fundit nga