LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Financimi partiak në Shqipëri, xhungël gati e padepërtueshme

5 Prill 2018, 20:53, Aktualitet CNA
Financimi partiak në Shqipëri, xhungël gati e padepërtueshme

Lajmi i publikuar nga revista amerikane “Mother Jones” ishte një bombë politike në Shqipëri. Sipas kësaj reviste, në favor të një fushate lobimi për Partinë Demokratike e të kryer nga “Nick Muzin Company” janë paguar qindra mijëra dollarë nga një firmë hije “Biniatta Trade”. Partia Demokratike e kundërshtoi ashpër artikullin. Ajo pranon kontratën me Nick Muzin, por thekson se pagesa e saj ka qenë vetëm 25.000 dollarë në muaj.

Demokratët akuzojnë kundërshtarin politik për fushatë shpifjeje kundër PD-së. Por Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk e pranon këtë. Afera e parave prek edhe sigurinë kombëtare, thotë ai për Deutsche Wellen. “Kjo çështje është një çështje që prek sigurinë kombëtare të Shqipërisë, po të kemi parasysh edhe një prirje të kahershme të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj. Ndoshta Shqipëria dukej i vetmi vend imun deri më tani.”

Një aferë me lëndë shpërthyese, po të kujtosh se tradicionalisht shqiptarët nuk e kanë parë si ndonjë vend-mik të veçantë Rusinë, përjashto kohën e miqësisë me sovjetikët në kohën e diktaturës. Po fusin hundët rusët edhe në Shqipëri?

Politologu Afrim Krasniqi thekson se në Shqipëri “pranohet gjerësisht se asnjë parti politike shqiptare nuk përfaqëson ndikim rus në politikë.

” Efekti i kësaj afere është më shumë politik, thotë ai. Për momentin çështja e burimeve financiare për fushatën lobuese të PD-së ka mbetur pezull, por edhe e pazbardhur përfundimisht.

Ndërkohë që furtuna e ngritur për burime të pasqaruara financimesh duhet të ishte kthyer në një uragan të vërtetë derisa opinioni publik shqiptar të dijë se si e nga kush financohen partitë politike, të cilave votuesi u jep votën? Por heshtja flet nganjëherë më shumë. Dihet se transparenca e financimit të partive politike është një problematikë e vjetër në Shqipëri, një problematikë realisht gjithmonë e dështuar.

Prej vitesh partitë politike japin shuma luksoze për të lobuar jashtë apo për të organizuar fushata e mitingje që në një vend të varfër si Shqipëria tingëllojnë më shumë si tallje për njerëzit në nevojë. Rreth 2 milionë euro dhanë tre partitë kryesore politike për lobim në SHBA në vitet e fundit, sipas Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri. Ndërkohë buxheti i shtetit shqiptar jep mesatarisht (sipas vitit zgjedhor) rreth 2 milionë dollarë (rreth 1,6 milionë euro) për të gjitha partitë politike në Shqipëri. Nga vijnë kaq shumë para?

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, që e vëzhgon prej vitesh këtë problem, konstaton një sistem klientelist dhe abuzues.”Formalisht partitë i deklarojnë financimet e shpenzimet, por pa dhënë detaje mbi pagesat. Shifrat e deklarimit jashtë sistemit (pa transparencë e deklarim të rregullt në KQZ) janë shumëfish më të mëdha…”,/DW-Shkrimi vjen i redaktuar nga CNA.al/

Lajmet e fundit nga