LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Horrat” e Hysni Kapos, thirrje për revolucion dhe bojkot

1 Prill 2018, 19:24, Aktualitet CNA
“Horrat” e Hysni Kapos, thirrje për revolucion dhe bojkot

Ndoshta nuk është etike dhe ndoshta e tepruar të quash horr dikë, por kur gjithçka sa vjen dhe bëhet më e ndyrë dhe më perverse, dikush duhet të flasë dhe të përgjigjet, për ata që kanë marrë shpatën e gazetarit dhe analistit në media.

Ata që shpesh i kemi quajtur kanalistë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër por lart e poshtë dalin flasin nëpër televizione, kanë portale, janë milionerë dhe të shumë-paguar,  pasuria e tyre shkon në qindra milionë-dollarë.

Por, çfarë ndodh, dalin dhe flasin kundër pronës private, dalin dhe flasin kundër sistemit kapitalist, dalin dhe bëjnë rolin e një “Marksisti”, apo komunisti ekstremist, duke kërkuar që të grabitet dhe të vidhet prona private, dhe kjo sepse duhet të justifikohet me argumentin se është në shërbim të publikes.

Askush nuk del të mbrojë pronën private dhe biznesin që është shtylla dhe themeli kryesor i kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut.

Dje, nipi i Hysni Kapos, Andi Bushati, një nga gazetarët dhe analistët më të paguar në Shqipëri, që fiton dhjetëra-milionë lekë, të cilën mund ta vërtetosh, lehtësisht duke parë aktivitetin në QKR, duke parë reklamat dhe tarifat e shtrenjta në portalin e tij, ashtu dhe duke ditur tarifat e larta që merr në mediet ku punon, e quajti revolucion dhe fitore djegien e një investimi.

Andi Bushati, e ka quajtur sulmin dhe goditjen ndaj kabinave në “Rrugën e Kombit”, ku disa dhjetëra qytetarë sulmuan zonën ku do të paguhej tarifa prej 5 eurosh për kalimin në këtë rrugë, një betejë të fituar të publikes mbi privaten.

Në fakt, ajo që ka ndodhur dje, nuk është gjë tjetër veçse një akt barbar, një vandalizëm i padiskutueshëm.

Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, ta rrethojnë zonën, të rrinë te trau 24 orë, të mos lejojnë të kalojë asnjë makinë, të bëjnë protestën e tyre, por kurrsesi askush nuk mund të pranojë, që ata t’i vënë flakën kompjuterave, tabelave , godinave, kioskave dhe të gjitha objekteve të tjera, të cilat janë investim i një kompanie private.

Andi Bushati e quajti fitore atë të djeshmen. Në fakt, ajo e djeshmja nuk ishte fitore, por një reagim i qytetarëve që janë në të drejtën e tyre për të protestuar, por që përfundoi me vandalizëm dhe sot ka dhjetëra qytetarë të arrestuar dhe policë të plagosur.

Përtej këtij debati, është apo jo e drejtë vendosja e tarifës dhe nëse ajo duhet të jetë më e lartë apo më e ulët, të gjithë gazetarët dhe analistët në Shqipëri e pranojnë, që po, “Rruga e Kombit” do një taksë. Duhet me 5 apo 3 euro, ky është një debat tjetër. Vetëm Bushati nuk e pranon këtë. Bushati dhe ndonjë kanalist tjetër në qarkullim, të cilët duke folur në parimet e tyre, marksiste, sulmojnë dhe akuzojnë bizneset private sikur ata janë problemi.

Në fakt, problemi është qeveria, por kurrsesi nuk mund të jetë biznesi. Biznesi ashtu siç ka qenë në shumë vende të Evropës, do të zhvillohet dhe në Shqipëri për të ecuar përpara dhe për të zhvilluar vendin, por duke e sulmuar dhe duke e djegur nuk mund ta zhvillojmë.

Gjithsesi qëndrimi i Bushatit është krejtësisht personal, por do të kishte kuptim në rast se Bushati nuk do të mbushte xhepat me milionat që merr si gazetar. Pra, një njeri që bëhet milioner në këtë sistem kapitalist dhe sulmon në emër të populizmit të tij.

Përveç kësaj ka edhe një detaj tjetër. Andi Bushati është nipi i Hysni Kapos. Të parët e tij këtë gjë kanë bërë në vitet 44′, dolën dhe nën parrullën “tua marrim të pasurve dhe tua japim të varfërve?, vranë, rrëmbyen përsekutuan, burgosën, me qindra mijë shqiptarë, u vodhën edhe pasuritë, të cilat i përdorën për të jetuar si sulltanat për gati 45 vjet në në një sistem kriminal diktatorial, oborrit të të cilit i ka shërbyer edhe Andi Bushati.

Pra, nipi i Hysni Kapos, nuk mund të na thotë një gjë tjetër se nuk ka çfarë të thotë. Me mentalitetin e tij marksist-komunist, del edhe flet kundër pronës private, por nga ana tjetër jeton si një kapitalist i vërtetë. Këtej fiton dhe merr miliona, mbush xhepat, si një gazetar, nga ana tjetër në opinionin publik bën personazhin populist, njeriun në mbrojtje të të drejtës dhe pronës publike.

Sot, pas gati 60 vjetësh, turpësisht dëgjojmë gazetarë dhe analistë që të flasin kundër pronës private, ashtu siç flitej në vitet 44′. Flasin njësoj si atëherë kur morën pushkët dhe i ekzekutuan, morën taksidarët e tyre me libra dhe u sekuestruan florinjtë dhe këtë e bënë për të jetuar vetë. Nga ana tjetër njerëzit që kishin jetuar me djersën e tyre, u burgosën dhe vuajtën. Këtë po kërkon sot Andi Bushati, atë që ka kërkuar Hysni Kapo, klani “Kapo” apo klani “Hoxha” për gati 50 vjet ndaj shqiptarëve.

Po kërkojnë që t’i marrin pronën, t’i vjedhin pasuritë e fituara biznesmenëve, qytetarëve të lirë që zhvillojnë aktivitetet tregëtare në Shqipëri dhe t’ia kthejnë publikut.  Pra, “t?ua marrin të pasurve dhe t’jua japin të varfërve”, dhe ky mentalitet flitet pas gati 60-70 vjetësh dhe nga kush, nga nipi i Hysni Kapos.

Në fakt, nuk ka asnjë lajm të ri dhe nuk ka më asgjë nga fronti i lindjes. Fronti i lindjes të cilit i përket dhe Andi Bushati, nuk mund të sjellë asgjë të re. Reagimi dhe qëndrimi i tij tani nuk ka pse të çudit më askënd, një “marksist-komunist” me teori të vjetruara dhe me një mentalitet të pavlerë, anti-biznes, anti-pronë, nuk mund të thotë gjë tjetër.

Ajo që ka bërë Andi Bushati, apo ndonjë koleg i tij është njësoj sikur ata lexues që nuk e pëlqejnë portalin e Andit, të bënin thirrje se do t?i digjnin shtëpinë. Ky do të ishte gjithmonë një akt barbar dhe i turpshëm në rast se do të sulmohej gazetari për qëndrimet e tij, ashtu siç është i turpshëm dhe barbar qëndrimi I Bushatit kundër biznesit, pronës dhe pronarëve.

Është e tepruar hipokrizia e Andi Bushatit, apo ndonjë Andi tjetër dhe kanalisti të mirëpaguar, gazetarë që fitojnë miliona në biznesin e tyre privat apo nga pagat e majme, dhe nga ana tjetër dalin si marksistë dhe bërtasin kundër pronës private dhe biznesit, ashtu siç fliste Hysni Kapo në vitin 44′./CNA.al

Lajmet e fundit nga