LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Demarkacioni të martën në Kuvend/ A u siguruan 80 votat për miratimin e tij?

17 Mars 2018, 18:48, Aktualitet CNA
Demarkacioni të martën në Kuvend/ A u siguruan 80 votat për

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota, nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Koalicioni qeverisës dhe LDK thuhet se i kanë siguruar 79 vota e janë në kërkim edhe të një vote.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në pajtim me të gjitha grupet parlamentare përfundimisht vendosi që vazhdimi i seancës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të mbahet të martën me datën (20.03).

Seanca ishte thënë se mund të mbahej këtë të premte, por u shty për datën 20.03 me arsyetimin e mungesës së disa deputetëve, të cilët, thuhet se janë jashtë vendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se pret që deputetët e kuvendit të Kosovës të reflektojnë dhe ta mbështesin ligjin e demarkacionit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dalin nga izolimi dhe të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është kusht i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vetëm gjatë këtij viti, parlamenti i Kosovës tentoi tri herë që ta ratifikojë këtë marrëveshje, por nuk arriti ta kalojë, sepse kishte mungesë të votave.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Mirëpo a do të arrihen 80 vota e duhura në seancën e të martës, apo edhe këtë herë do të kemi si surprizë sërish shtyrjen e seancës? Megjithse pati një përpjekje të Kryeminisrit për të thithur votat e duhura nga Lista Serbe kjo nuk ndodhi dhe sytë e Haradinajt u drejtuan më pas nga grupi i deputetëve të ndarë të VetëVendosjes nga kum flitet se ka mundur të sigurojë të vetmen votë të duhur të Donika Kadaj-Bujupi, e cila u largua nga VV dhe iu bashkua AAK-së së kryeministrit Haradinaj.

Gjithsesi, mbetet të shihet deri të martën nëse është arritur të sigurohet edhe një votë për ta arritur numrin e nevojshëm prej 80 votave që të kalojë demarkacioni, raporton “Zeri.Info”.

Lajmet e fundit nga