LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Roli i grave shqiptare në shtet-formimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë”/ Bushati: Gruaja, shtylla kryesore e shoqërisë

8 Mars 2018, 16:32, Politikë CNA

Zhvillohet në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme aktiviteti me temë: ?Roli i grave shqiptare në shtet-formimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë?

Në kuadër 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka organizuar aktivitetin me temë: ?Roli i grave shqiptare në shtet-formimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë?.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ministra, politikanë, diplomatë, studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, etj.

Qëllimi i tij ishte sensibilizimi i shoqërisë mbi të drejtat e grave, forcimi i rolit të tyre dhe barazisë gjinore, i mishëruar në politikat aktuale të qeverisë shqiptare si dhe angazhimi për të përqafuar vlerat evropiane në procesin e anëtarësimit, duke u përgatitur për negociatat.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati foli për rolin vendimtar të grave në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit, duke theksuar domosdoshmërinë e angazhimit të shoqërisë shqiptare për t?i dhënë atyre hapësira më të mëdha në vendin që meritojnë.

Sipas ministrit, ?nuk mund t?a mohojmë faktin se debati ynë për shifrat, për përfaqësimin e gruas në jetën publike, ende nuk ka arritur dot të penetrojë tek shtylla kurrizore e shoqërisë.

Më tej në fjalën e tij, ministri theksoi se, ?gruaja është shtylla kurrizore e shoqërisë. Ky është një debat që ka të bëjë me Shqipërinë që ne kemi në mendje dhe Shqipërinë që ne dëshirojmë t?i lemë gjeneratave të tjera?.

Ish deputetja Majlinda Bregu u ndal në rolin e grave në shoqëri dhe lidhjen e fortë të tyre me integrimin evropian. ?Ne, të gjitha bashkë, nga pozicionet tona, duhet të mundohemi për të sjellë një axhendë të re për gratë dhe vajzat në Shqipëri. Të ulemi dhe të gjejmë ide brilante për mbështetjen e grave në nevojë, viktima të dhunës?.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Holandës, znj. Dewi Van De Weerd, duke folur për të drejtat e grave pohoi se në Shqipëri është përballur me një shoqëri të fortë që ka bërë hapa para në përmirësimin e barazisë gjinore. Ajo tha se roli pozitiv i grave është thelbësor në emancipimin e botës tonë dhe se për këtë qëllim ajo ka punuar me aktorë të ndryshëm shqiptarë.

Ambasadorja kroate, Sanja Bujas-Juraga bëri një ekspoze të barazisë gjinore në Kroaci, duke përmendur ndërmarrjen e hapave konkretë për një shoqëri të vërtetë me të drejta të plota për çdo grua.

Deputetja Eglantina Gjermeni kërkoi fuqizimin e rolit të grave në vendimmarrje, duke bërë të mundur shpalosjen e gjithë potencialit të tyre. Për këtë, tha ajo, shteti dhe qeveria kanë një përgjegjësi shumë të madhe.

Profesoreshë Nevila Nika përcolli mesazhe me vlera historike të grave të shquara shqiptare, bazuar në arkivin shqiptar.

Në fund, pjesëmarrësit u njohën me ekspozitën e hapur në ambientet e MEPJ-së me fotografi të grave shqiptare gjatë historisë dhe dokumente të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të Arkivave Qendrore të Shtetit (AQSH), si dhe të Arkivës së MEPJ-së, që flisnin mbi rolin e grave shqiptare në diplomaci.

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati

Shumë faleminderit Jonida për moderimin dhe atmosferën pozitive që krijove këtu sepse kjo shtëpi e ka pak të vështirë që të merret me moderimin e aktiviteteve të  ndryshme dhe përveç se zonjë e nderuar, jeni edhe një nga gazetarët tona më të preferuara. Realisht faleminderit që e pranuat ftesën tonë dhe gëzuar 8 Marsin.

Po më duket vetja si te Dita e Falënderimeve por meqenëse ne burrat jemi sot në minorancë, duhet të vazhdojë me falënderime. Dua të falënderoj profesorësh Nevilën, drejtoreshën e parë grua të Arkivës së Shtetit e cila na ofroi një panoramë, ndonëse të shkurtër,  shumë domethënëse mbi rolin e gruas shqiptare në procesin e vështirë të shtet-ndërtimit demokratik dhe në emancipimin shoqëror, qoftë edhe në elemente të panjohura për publikun pak më të gjerë.

Natyrisht unë e kam thënë edhe gjatë intervistave dhe sidomos para periudhës së fushatës zgjedhore,  duke qenë se jemi një ambient përgjithësisht maskilist. Mbaj mënd kur pata thënë për një intervistë që jam djalë mami apo djalë nëne, patën filluar kritikat nga më të ndryshmet, por secili në një mënyrë a një tjetër, influencohet nga familja që vjen. Natyrisht të jesh bir nëne, të jesh bashkëshort por edhe baba vajze në një mënyrë a një tjetër, ndikon mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit në aktivitetin publik.

Por sot unë kisha shumë dëshirë dhe jam i lumtur që  kolegia ime, mikja ime, Tina Gjermani, ishte këtu me ne dhe tha disa fjalë sepse është një nga ata njerëz që kur ishim në shoqëri civile, ka influencuar gjithashtu për mirë-mendimin tim dhe idenë time deri diku, apo paradigmën mbi rolin e shoqatave të ndryshme. Sidomos ato shoqata që merreshin më të drejtat e grave më dukeshin sikur ishin  të përqëndruara më shumë në perimetrin e unazës së Tiranës dhe dinim pak se çfarë ndodhte përtej Tiranës. Tina është rasti tipik që i balancon të dyja këto elemente, qoftë atë që konsiderohet si politika e madhe për të cilën ne shpesh i referohemi, por edhe dimensionin social që është shumë i rëndësishëm e që reflekton në një mënyrë a një tjetër, zhvillimin tonë shoqëror.

Së treti, dua të falënderoj Dewin, dihet marrëdhënia ime speciale me Holandën dhe më vjen shumë mirë që një ndër vendet më të përparuara të Bashkimit Evropian, një nga vendet më të civilizuara dhe më të hapura, ka se çfarë të ndajë me ne nga pikëpamja e përfshirjes gjinore dhe nga pikëpamja e kontributit në shoqëri, pavarësisht se Dewi u ndal tek elementet e rolit të gruas në diplomaci por edhe përpjekjet që ne bëjmë së bashku me Rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara, duke qenë se kemi një fokus për rolin e gruas, për pozicionin e gruas, për mbrojtjen e gruas në situata konflikti.

Nuk mund të harrojmë faktin që një pjesë sot për sot e botës përjeton një lloj pasigurie dhe e ka të vështirë apo luks të mendojë për atë diskutim që ne po bënim pak më parë. Dhe në një mënyrë a një tjetër, Dewi na solli disa nota realizimi edhe për atë çka ne duhet të bëjmë më mirë si forcë politike, si shoqëri për t?i dhënë vendin që meriton gruas.

Sanja, natyrisht na ofroi eksperiencën kroate e cila për ne është mjaftë e çmuar, është domethënëse, është vetëm disa kilometra larg nesh. Nga një vend që vetëm para dy dekadash ishte i përfshirë nga flakët e konflikteve ndëretnike, ndërfetare, sot për ne Kroacia është një model i suksesit në rrugën e transformimit demokratik, anëtar i Këshillit Evropian dhe natyrisht, mbështetëse e të gjitha vendeve tona në rrugëtimin evropian dhe e falënderoj që  ishte këtu me ne dhe ndau këtë eksperiencë duke u fokusuar tek presidentja kroate. Por janë të paktën dy ministre të Jashtme me të cilat unë kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj që janë një shembull i mirësisë, i konstruktivitetit dhe  i përpjekjeve të pareshtura për të gjetur gjuhën e kompromisit për çështje shpesh edhe të natyrës politike.

E fundit dhe jo më pak e rëndësishme, Majlindën, që e konfirmoj dhe një herë sot me fjalën e saj që nuk ka zgjerim të koalicionit por ka një pjekuri nga ana e shoqërisë shqiptare, nga ana e institucioneve shqiptare, për të mbështetur jo thjeshtë një grua në karrierë dhe me karrierë të spikatur në disa drejtime dhe në disa fusha të jetës por, mbi të gjitha, e falënderoj sepse dhe shpalosi platformën, një pjesë të platformës dhe e kuptoj që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal nën drejtimin e Majlindës, do të ketë një dimension edhe më të fortë tek çështjet gjinore, si pjesë edhe e ndershmërisë të rajonit tonë dhe si pjesë e pandashme për procesin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik që rajoni ynë e ka të domosdoshme.

Dua gjithashtu të them një fjalë sot për ekspozitën, të cilën ne do të kemi mundësi t?a vizitojmë më pas.

Në këtë sallë, shpesh me ekipin kemi debate jo rreth shijeve të Marubit, dinastisë Marubi sepse deri më sot besoj  që ka një konsensus që është dinastia më e shquar shqiptare në fushën e fotografisë. Por, në rast se i hedhim një sy të shpejtë, do të vëmë re që përgjithësisht është e dominuar nga burrat dhe teksa profesoreshë Nevila po fliste për rolin e spikatur të grave në procesin e vështirë të shtet ndërtimit, besoj se do t?ia vlente që në periudhën në vijim, ne të kemi edhe hapësira më të dedikuara siç është rasti për shembull i motrave Qirjazi që nuk u përmend këtu, që në 1909 themeluan shoqatën e parë të grave në Korçë, në të njëjtin vit me të cilin merr spunto edhe lëvizja e gruas dhe ajo që sot ne e përkujtojmë si 8 Marsi apo Dita Ndërkombëtare e Gruas. Besoj se roli i grave, i nënave, i motrave në këtë proces ka qenë vendimtar dhe mbetet i tillë.

Elementi i dytë që dua t?i bëj pak eko dhe fjalëve të gjithë zonjave që u adresuan këtu, ka lidhje me debatin shpesh steril për kuotat apo aspektet formale të përfaqësimit të gruas në jetën publike dhe në jetën ekonomike të vendit. Është krejt e vërtetë  që edhe në Shërbimin e Jashtëm, më shumë se gjysma janë zonja dhe zonjusha. Në pozicione drejtuese kemi më shumë se 1/3 e zonjave dhe zonjushave që shërbejnë dhe përpiqen për të mbrojtur interesat e Shtetit Shqiptar.

Edhe unë gjeji rastin të falënderoj dy zonja të cilat sot, për arsye axhendash e kishin të pamundur të ishin këtu me ne, Arta Daden, ministren e parë të Jashtme të Shqipërisë grua dhe Tatiana Gjonaj, Ambasadore e Shqipërisë në UNESCO, drejtoreshë e Protokollit, Ambasadore e Shqipërisë në Brazil, me të cilën ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer sepse sot, është dhe dita për të falënderuar ata që nuk janë më në shërbim, ata të cilët e kanë dhënë kontributin e tyre edhe atyre të cilëve ne i detyrohemi jo thjesht një faleminderit, por, edhe për të vijuar punën e mirë që kanë bërë dhe për t?a konsoliduar më tej.

Por, gjithsesi kur lëviz jashtë Tiranës, kur kujtoj 8 Marsin e kaluar, ku unë pata mundësinë të vizitoj gratë artizanale në zonën e Shirokës, në zonën e Shkodrës, kur kam mundësi për të shkuar, qoftë edhe për shkak të përgjegjësive politike në Pukë, Fushë Arrëz, Vau Dejës, meqenëse zysh Nevila mori rastin e Shkodrës, nuk mund ta mohojmë faktin se debati ynë për shifrat, për përfaqësimin e gruas në jetën publike, ende nuk ka arritur dot të penetrojë tek shtylla kurrizore e shoqërisë.

Sepse besoj të gjithë biem dakord, pavarësisht në rast se kemi një vëmendje më të posaçme ndaj elementit gjinor apo jo, pavarësisht në rast se jetojmë në Holandë, në Suedi, që kanë shifra rekord për sa i përket përfaqësimit të gruas në jetën publike, pavarësisht në rast se për herë të parë kemi një kandidate grua për Sekretare te Përgjithshëm të Bashkëpunimit Rajonal, që është një ndër instancat më të rëndësishme këtu në Ballkan e Mesdhe, është e rëndësishme për të kuptuar dhe për të punuar të gjithë sëbashku, pavarësisht nga pozicionet nga të cilat vijmë, për emancipimin shoqëror. Sepse duhet të kuptojmë që gruaja është shtylla kurrizore e shoqërisë. Bie 100% dakord me Majlindën që ky nuk është një debat për ?lule mos e prek?.

Ky është një debat që ka të bëjë me Shqipërinë që ne kemi në mendje dhe Shqipërinë që ne dëshirojmë t?i lemë gjeneratave të tjera. Një Shqipëri shumë herë më e zhvilluar, një Shqipëri shumë herë më përfshirëse, ndaj, jo thjesht elementit gjinor, por edhe ndaj mendimit ndryshe, një Shqipëri disa herë më e civilizuar, aq më tepër që kam përshtypjen se epoka dixhitale në të cilën ne jetojmë, sado të ankohemi për rolin e medias, të portaleve, e kështu me radhë, nuk na e lejon ndoshta që të kemi të njëjtën pritshmëri me atë që kishim përpara shumë vitesh për sa i përket mënyrës se si trajtohen fenomene të ndryshme.

Sepse në botën dixhitale që jetojmë, pavarësisht nëse jetojmë në Konispol, në Vermosh, në Berlin, apo në Uashington, kemi të gjithë një llogari në Facebook, Twitter, apo në Instagram dhe kemi mundësi për të bërë këtë lloji komunikimi online pa kurrfarë barrierë. Por, dallimi kryesor është si të mbushësh hendekun, hendekun që ka të bëjë me edukimin shoqëror, hendekun që ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, hendekun që ka të bëjë me ritmin e rolit qendror të familjes në shoqëri. Prandaj, duke përfunduar, unë dua t?ju falënderoj të gjithëve nga zemra, në radhë të parë zonjat dhe zonjushat që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm që punojnë me mua, punojnë me ne burrat që shpesh na durojnë me huqet tona, në kuptimin e mirë të fjalës në marrëdhëniet e punës.

Dhe që në një mënyrë apo një tjetër, janë krenaria e Shërbimit të Jashtëm dhe që nga viti i kaluar, siç e demonstron dhe kjo sallë, ne jemi rritur jo vetëm në numra, por edhe në cilësi për shkak se kemi edhe degën tjetër, pjesën që ka të bëjë me Evropën dhe që e administrojmë si institucion.

Lajmet e fundit nga