LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Artan FUGA/ 7 marsi si kërkesë për falje! 

7 Mars 2018, 09:16, Opinione CNA

Dakord, mësuesit kanë një profesion fisnik. Por, sot më 7 mars koha është për të pyetur a u jep shkolla jonë mësuesve mundësitë ta ushtrojnë si duhet atë?

Aspak.

Nga kjo pikëpamje ne mësuesit bëhemi pa ose me dashje bashkëfajtorë me shkollën, dhe me politikën, që praktikisht jemi shumë larg nivelit që duhet. Dhe pasojat e punës sonë mediokre e shoqërojnë njeriun të gjithë jetën.

Ne nuk kemi të drejtë t’u lemë pasardhësve tanë një komb debil.

Prandaj mos gënjehemi nga deti i iluzioneve që na shkëput edhe ndonjë lotkë nga sytë kur vogëlusha apo zonjusha na nderojnë dhe na thonë një mijë fjalë të mira. Nuk kanë faj ata, ca janë zemërmirë, ca na besojnë sikur të ishim perëndi sepse nuk kanë ku gjejnë siguri tjetër, ca na shohin me shpresë, por ka edhe që na bëjnë qefin kot sepse e dinë se çfarë jemi realisht.

Unë i dua nxënësit e mi kur vijnë më 7 mars në klasë dhe as u shkon ndërmend të më bëjnë ndonjë urim.

A thua se jemi në qoka!

Ne jemi me të mirat, por edhe me të gjitha të metat tona. Mjaft o nxënës dhe studentë qatë nëpër rrjetet sociale sot se nuk ju shkon: o zysha ime e mirë, o pedagogu im fisnik, o mësuesi im burrë zotni!

Mjaft. Mos hyjnizoni mësuesin si kombet primitivë ka nja dy shekuj.

Mos u qaravitni sot përpara nesh sepse na rrisni dozat tashmë të pamata të narcizmit !

Punën bëjmë dhe nuk e bëjmë aspak mirë ca për fajin tonë ca për fajin e ministrisë ca për fajin e politikës së gabuar, krejt, ca për faj të të gjithëve.

Kur sapo kthej kokën nxënësit nisin e kopjojnë, më dhemb shpirti sepse mendoj se çfarë edukate hajnash ju kemi dhënë në shkollë e në familje. Fajin e kemi ne dhe jo ata.

Kur shoh boshlliqe në formim te nxënësit e mi, më vjen të qaj e ulurij dhe brebnda vetes bërtas : “Pse o qen nuk e ke bërë punën si duhet!”
U drejtohem brenda meje atyre që nuk e kanë bërë mirë punën e mësuesisë në fillore, tetëvjeçare apo shkollë te mësme! Nuk di ku ta nxjerr inatin!

Prandaj në këtë 7 mars, në çdo 7 mars, unë kam turp. Me turp dhe faj njëherë them se është ditë kërkimi faljeje.

Kam falur të gjithë ish mësuesit e mi, një pjesë në atë botë, për të gjitha ato gjëra që më pas kam kuptuar se m’i kishin mësuar gabim. Aq dinin aq mësonin!

Kërkoj falje para të gjithë nxënësve dhe nxënësve të mi në dekada për gjërat që u kam mësuar gabim dhe ata pasi janë bërë mësues ua kanë mësuar gabim nxënësve të tyre e kështu pa fund.

Cfarë gabimi kolektiv! Aq kam ditur aq kam bërë nuk ka qenë me dashje!

Pastaj ju kërkoj falje të gjithë nxënësve aktualë për të gjitha gjërat që nuk ua mësoj në nivelin më të lartë ku ka arritur njerëzimi sot dhe madje ua mësoj ndoshta sipas nja njëqind vjetëve të shkuara sepse shkolla dhe politika nuk na jep mundësi të përditësojmë dijet dhe aftësitë tona.

Ka shkolla, universitete dhe fakultete që gënjejnë studentë dhe pasi u marrin lekët u shesin gjoja dije që në fakt nuk janë veçse broçkulla bajate, u shesin ajër, janë fabrika injorance.

Por, ministria e arsimit nuk do që t’i shohi me gjithë denoncimet publike që bëjmë!

Kam një kërkesë nxënës dhe nxënëse për sot: Mos u qaravisni sot nëpër banga shkolle, rrjete sociale, duke hyjnizuar mësuesit tuaj a thua se janë perëndi politeiste!

Mjaft u kemi futur instiktin që çdo 7 mars duhet të qaraviteni para nesh!

Bëhuni burra dhe gra me dinjitet të lartë! Kaq! Ky është shpërblimi, dhurata. Niseni që nga sot! Na thoni të vërtetat në sy!

Mësoni, na kërkoni llogari, na kundërshtoni kur nuk jeni të bindur se kemi saktësi në dijet tona, mos na pranoni në klasa dhe auditore nëse bëjmë sjellje të poshtra jo etike, na cirrni maskat kur kuptoni shenjat e korrupsionit, mos kini frikë nga ne, na diskreditoni nëse kemi ardhur me mik si gra politikanësh në punë, a si militantë politikë, na hidhni librat në fytyrë nëse u shpjegojmë thjesht duke lexuar tekstet, mos hajdeni në mësim nëse në lëndët e fizikës, anatomisë, astronomisë, biologjisë, etj., nuk ka laboratore të pajisur, bojkotoni mësimin dhe revoltojuni poqese shkolla në vend t’u mësojë ju prish jetën duke ju lënë në injorancë. .

Pak respekt? Patjetër, si për cdo prind, polic, mjek, kalimtar në rrugë dhe aq sa duhet për të na dhënë qetësinë që të tregojmë çfarë dimë përpara jush! Na lini t’jiu mësojmë ato që dimlë! Kaq.

Mjaft lexova qarje e qaravitje që në mëngjes sot!

Ju meritoni shumë më tepër dhe nuk ua japim dot, ca për fajin tonë, dhe ca jo për fajin tonë, por në të gjitha rastet bashkëfajtorë jemi!

Prandaj 7 marsi është ditë kërkimi faljeje!

Falje!

21:11 Opinione

Heronjtë e mi...

Disa të kërrusur e të lodhur nga jeta, të zbardhur flokësh p...

18:01 Opinione

Opozitë dembele

Nga Dr. Bledar Kurti*Që nga 1 prilli, shqiptarët do paguajnë...

Lajmet e fundit nga