LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Meta përplaset me Ramën/ Presidenti vë në lëvizje KED pa pritur vetingun

6 Mars 2018, 09:06, Aktualitet CNA

Pas çështjes së detit dhe zvarritjes së dekretimit të kreut të SHISH, Helidon Bendo, mes mazhorancës qeverisëse dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta ka nisur edhe një tjetër përplasje.

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë që kreu i shtetit të mbajë një qëndrim të kundërt nga ai i Partisë Socialiste, duke kërkuar që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të vihet në lëvizje, pavarësisht faktit se anëtarët e saj nuk e kanë kaluar akoma procesin e vetingut.

Pak ditë më parë, Presidenca bëri të ditur emrat e 22 kandidatëve që kanë aplikuar për vendet vakante në Kushtetuese. Pas këtij publikimi, Ilir Meta ka kërkuar që KED të mblidhet për të kryer vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve, në mënyrë që kryetari i shtetit të ketë mundësi më pas të zgjedhë.

Por problemi qëndron në faktin se deri tani asnjë nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk e ka kaluar procesin e rivlerësimit dhe sipas ligjit, ky institucion në këto kushte nuk mund të marrë asnjë mbledhje. Mirëpo Meta siç duket ka ?preferuar? që ta anashkalojë këtë fakt, duke bërë thirrje që të zhvillohet sa më shpejt mbledhja e KED dhe të zgjidhet ngërçi i Gjykatës Kushtetuese, raporton gazeta Sot.

Por një kërkesë e tillë nga ana e Ilir Metës është kundërshtuar nga Partia Socialiste, duke shkaktuar kështu edhe përplasje Qeveri-Presidencë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, njëherësh deputet i PS, Ulsi Manja e bëri të qartë ditën e djeshme se ligji thotë se anëtarët e KED duhet të kenë kaluar më parë procesin e vetingut që të mund të mblidhen më vonë për të marrë vendime.

Ai theksoi gjatë një prononcimi për mediat se në Kushtetutë është e përcaktuar shumë qartë që institucioni i KED duhet të ketë kaluar më parë në filtër në mënyrë që të ushtrojë detyrën e tij.

Pas shpalljes së vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Presidentit dhe Kuvendit, të gjithë gjyqtarët e interesuar mund të dorëzojnë dokumentet e kërkuara brenda afatit kohor të përcaktuar. Më tej, Kuvendi dhe Presidenca shpallin listat e plota të kandidatëve, të cilat më pas i dërgojnë tek Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

KED duhet të mblidhet për të shqyrtuar dosjet e mbërritura dhe më pas bën një renditje të kandidatëve. Pastaj hartohet një listë përfundimtare që i shkon Presidentit dhe ky i fundit ka të drejtë të zgjedhë mes kandidatëve ?Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, brenda 5 ditëve nga publikimi i listës së kandidatëve mblidhet për të shqyrtuar kushtet dhe kriteret e plotësuara nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Lajmet e fundit nga