LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nënproduktet e qumështit dhe drithërat rrisin çmimet e ushqimeve në shkurt

1 Mars 2018, 11:11, Ekonomi CNA

Rritja e çmimeve botërore për drithërat kryesore dhe produktet e qumështit nuk ka mundur të kompensojë uljen e çmimeve për vajrat bimore, duke ngritur çmimet globale të mallrave ushqimore në shkurt.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s mesatarisht ka arritur në 170.8 pikë në muajin shkurt, duke u rritur 1.1 përqind nga muaji i kaluar dhe tani vetëm 2.7 përqind më pak se niveli i një viti më parë.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s është një indeks matës i çmimeve të tregut ndërkombëtar për pesë grupe të mëdha ushqimore.
Indeksi i Çmimeve të drithërave, që përfaqëson grurin, orizin dhe drithërat kryesore ku përfshihet dhe misri, u rrit me 2.5 për qind, duke shënuar rritjen e dytë radhazi brenda muajit, gjatë të cilit moti i keq ndikoi negativisht në parashikimin për prodhimin e drithërave gjatë dimrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe misrit në Argjentinë.
FAO gjithashtu uli parashikimet e saj për rezervat e grurit në mbarë botën këtë vit, duke vënë në dukje se nivelet e stokut janë gati të arrijnë një rekord të lartë.
Indeksi i Çmimit të nënprodukteve të qumështit u rrit 6.2 për qind në muajin shkurt, duke rritur çmimet ndërkombëtare të grupit ushqimor që përfshin gjalpin, djathin dhe pluhurat e qumështit të plotë dhe të skremuar. Kërkesa e lartë globale e shoqëruar me uljen e prodhimit të qumështit në Zelandën e Re nxiti këtë ndryshim.
Indeksi i Çmimit të mishit ishte përgjithësisht i pandryshuar, pasi çmimet e mishit të shpendëve u ulën për muajin e katërt radhazi, duke kompensuar rritjen e çmimeve të mishit të gjedhit.

Indeksi i Çmimit të Vajrave në FAO ra 3.1 për qind duke arritur nivelin më të ulët në 19 muaj, mes perspektivave të një suficiti në rritje të prodhimit global në vitin aktual. Çmimet e vajrave të palmës ranë përgjithësisht, duke reflektuar rezervat në rritje në Malajzi dhe Indonezi.
Indeksi i Çmimit të sheqerit në FAO ra 3.4 përqind, duke arritur një nivel të ulët dyvjeçar, pasi prodhuesit kryesorë si Tajlanda dhe India vazhduan të shtojnë prodhimin dhe tregtarët mbështesin rritjen e shpejtë të prodhimit në Bashkimin Evropian për shkak të rritjes së prodhimit të panxharit e shoqëruar me rritjen e mbjelljeve në vitin e kaluar.

Nivele rekord rezervash ndërsa pritet të ulet prodhimi i drithërave

Gjendja e furnizimit global për drithërat kryesore mbeten të qëndrueshme dhe FAO ka rritur parashikimin e fundvitit për nivelet e stokut me 14 milion ton.
Rezervat globale të grurit dhe drithërave janë gati të arrijnë nivele record këtë vit tregtar, respektivisht 272.7 milion ton dhe 309.8 milion ton, sipas Raportit të Rezervave të Drithërave, të nxjerrë sot.

Me përfundimin e korrjeve të drithërave në vitin e kaluar, FAO ka rritur vlerësimin e prodhimit global të drithërave për 2017 në 2 642 milion ton pas rishikimeve në rritje për drithërat e plota si misri në Australi dhe Afrikën Lindore e Perëndimore. Prodhimi i orizit arriti në 502.2 milion ton në vitin 2017, një nivel i lartë i të gjitha kohërave.

FAO nxorri gjithashtu parashikimin e saj të parë për prodhimin global të grurit në 2018, që tani pritet të jetë 744 milion ton. Ndërsa mbi mesataren, kjo do të përfaqësonte rënien e dytë vjetore, duke reflektuar uljen e rendimentit të parashikuar për Bashkimin Evropian dhe Federatën Ruse.

Moti i pafavorshëm në Amerikën e Jugut dhe Afrikën Jugore, së bashku me një tkurrje të pritshme në mbjellje, tregon një rënie të mundshme të prodhimit të misrit në hemisferën jugore./CNA.al

Lajmet e fundit nga