LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

INTERVISTA/ Bamir Topi: Greqia, roli i Ilir Metës dhe degradimi i PD-së

23 Shkurt 2018, 19:37, Politikë CNA

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar një sërë çështjesh të aktualitetit në vend, duke sjellë edhe sugjerimet e tij për klasën politike.

Në një intervistë për gazetën ?TemA?, Topi ka folur gjerësisht për negociatat e Shqipëri-Greqi, duke hedhur dritë mbi projekt-marrëveshjen në tryezën e bisedimeve.

Kreu i FRD-së është ndalur tek  kompetencat e kreut të shtetit, ku nënvizon se qeveria dhe presidenca duhet të kenë një komunikim më të mirë për të pasur rezultate pozitive.

I ftuar nga presidenti Ilir Meta për një konsulentë mbi kërë çështje, ai tregon detajet e kësaj bisede dhe rekomandimet përkatëse.

Ndërkohë, Bamir Topi ndalet edhe tek gjendja aktuale e Partisë Demokratike dhe thekson se i vjen keq kur sheh se si ka degraduar forca politike ku ai ka aderuar prej shumë vitesh.

Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e plotë:

Nga Andrea Danglli

Z. Topi, opozita ka artikuluar akuza të forta ndaj qeverisë ?Rama? duke e konsideruar si ?qeveri të krimit? dhe si pengesë për integrimin evropian. Ndërkohë nga ana tjetër qeveria akuzon opozitën se ka frikë prej reformës në drejtësi. Si e keni përcjellë këtë klimë politike?

Është një situatë kaotike ku palët politike paradokalisht janë duke vuajtur akordin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Ashtu siç jam shprehur edhe asaj kohe, ndryshimet vendosën në mënyrë të tërthortë  bi-polarizimin, duke e kthyer situatën në problematike. Në skenën politike, ?de facto? janë dy palë dhe mjafton që njëra të mos jetë dakord me diçka, sjell kushtëzimin e tjetrës për vendimmarrje të rëndësishme. Është një klimë që të ngjan me një film të parë disa herë. Kur ka probleme madhore, pjesa e quajtur ?opozitë? tenton që ta vështirësojë administrimin e pushtetit nga pala tjetër. Natyrisht që është në misionin e saj  të kundërshtojë,  por kjo që kemi momentalisht është një opozitë shumë e dobët e cila nuk merret me çështje substanciale apo çështje që qeveria ?Rama? i ka me shumicë. Merret thjesht me gjëra sipërfaqësore dhe lufta e saj nga pikëpamja morale duket e zbehtë apo e pabesueshme. Mjafton t?ju kujtoj që i jepet kohë me shumicë një beteje demode e cila ka protagonist vetëm Sali Berishën.

Sipas jush sa ndikon kjo klimë politike në procesin e hapjes dhe vijimin e negociatave?

Palët  i kanë pranuar me njëlloj sintonie çështjet e integrimit. Duket sikur është sipërfaqësore dhe formale pasi kanë hall që mos marrin mbi supe peshën e sabotimit të procesit. E gjithë klima e krijuar prej tyre influencon në imazhin e Shqipërisë në BE. Duket sikur më shumë do që të na thithi Brukseli pas vetes, se sa vetë palët politike kanë vullnetin për të vijuar rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mazhoranca dhe opozita duhet të kishin një axhendë të përbashkët për çështje të rëndësishme të interesit kombëtar.

Palët politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me kapjen e reformës në drejtësi. Sa është rreziku që kjo reformë nuk do kontrollohet nga politikanët dhe do të funksionojë vërtet?

Mendoj që reforma në drejtësi është një prej më bazaleve që Shqipëria ka implementuar ndonjëherë. Jam i bindur se nëse janë miratuar ligjet dhe ndryshimet kushtetuese, faktori vendimtar ka qenë SHBA, më pas edhe BE. Po të jetë për politikën shqiptare, duket qartë se në aparencë e miraton por realisht e ka vonuar dhe ka krijuar pengesa artificiale. Theksoj se nëse është vonuar, kjo ka ardhur për shkak të vakumit të krijuar dhe mungesës së vullnetit politik. Normale e kam quajtur edhe zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme në atë pozicion dhe më pas zgjedhjen e re në bazë të paketës së reformës në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ketë një president të përbashkët që të simbolizojë ?unitetin kombëtar?. Ju si mendoni?

Unë e kam dëgjuar me vëmendje deklaratën dhe me pas atë ç?ka është komentuar nga z. Rama. Mendoj se është deklaratë e pamenduar dhe në një mjedis që nuk i mirëkupton këto deklarata.  Duket sikur i shkon një tendence nacionaliste për të fituar kredibilitet politik në Kosovë. Mendoj që ndërhyrja në Kosovë qoftë edhe përmes deklaratave, është e dëmshme. Besoj se nuk është kjo rruga dhe ne kemi me mijëra mënyra të tjera për ta ndihmuar Prishtinën zyrtare.

Dua të ndalemi pak në bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministri Nikos Kotzias ka deklaruar së fundmi se çështja ?Çame? nuk ekziston por komisioneri Johannes Hahn dhe Brukseli e kanë njohur këtë dosje. Çfarë do ndodhë me këtë pikë të nxehtë mes dy vendeve?

Z.Kotzias nuk mund të jetë zëdhënës dhe as interpretues i çështjeve shqiptare. Ai është thjesht ministër i Jashtëm në misionin e tij dhe do t?i shkojë çështjeve në interes të Greqisë. Ti referohesh deklaratave që ai ka bërë, tregon njëlloj papjekurie nga politika jonë. Ne duhet t?i qëndrojmë çështjeve me radhë dhe çështja ?çame? ekziston. Mënyra se si ajo do të zgjidhet, duhet të jetë në tavolinë.

Megjithëse kreu i shtetit fqinj Pavlopolos ka kërcënuar hapur me votën e Greqisë në BE nëse hapen këto çështje?

Jetojmë në një kohë tjetër kur Shqipëria nuk është më e izoluar. Ne jemi vende të NATO-s dhe kemi një raport me Greqinë ndryshe nga shumë vite më parë. Marrëdhëniet tashmë janë në një fazë tjetër dhe s?mund të pranohen më ultimatume të tilla. Kjo nuk është në gjuhën e politikës moderne dhe ai që i bën, i sjell ato në planin personal dhe rrjedhimisht merr kosto personale. Reciprociteti është norma e parë në bisedimet mes dy vendeve.

Një pikë e rëndësishme nga marrëveshja janë edhe ujërat territoriale të cilat kanë nxitur debate të forta në Shqipëri dhe Greqi, ku  fokus është deti. Si e shihni këtë marrëveshje pas asaj të vitit 2009 të nënshkruar gjatë qeverisjes ?Berisha??

Marrëveshja e vitit 2009 dhe mosmarrja e plotfuqisë nga presidenti i kohës, nuk duhet të merret në konsideratë pasi është çështje jashtëzakonisht e papranueshme për procedurat që duhet të ndjekë shteti. Fakti që gjykata kushtetuese e ka rrëzuar dhe e ka bërë nul, tregon mungesën e seriozitetit dhe tendencën për t?i bërë gjërat kundër Kushtetutës. Sot në vitin 2018 kemi disa bisedime të natyrës politike të cilat janë normale pasi pa to nuk mund të futesh në negociata. Natyrisht kemi edhe një kërkesë për plotfuqishmërinë nga ana e qeverisë që nga pikëpamja formale është thjesht fillimi i procedurës. Në pjesën e përmbajtjes së kërkesës, i ka takuar dhe i takon kreut të shtetit që të bëjë të gjithë komunikimin zyrtar dhe publik.

Ju çfarë keni qenë i thirrur nga presidenti Ilir Meta për t?u konsultuar mbi këtë çështje. Cilat ishin rekomandimet tuaja për t?u zgjidhur sa më drejt?

Natyrisht që ruaj të drejtën për të qenë konfidencial për temat e bisedës, por sa i përket mendimeve ato janë publike dhe unë jam i hapur. Kam vlerësuar ftesën për konsulentë ashtu siç kam vlerësuar edhe kërkesën e qeverisë ndaj presidentit. Një sjellje tjetër nga ajo e vitit 2009.  Natyrisht që brenda kësaj korrespodence kam pasur vërejtjet e mija pasi presidentit duhet t?i drejtohej kryeministri dhe jo ministri i Jashtëm. Ne kemi parë se si këto dy figura publike takoheshin çdo të mërkurë për çështje elementare dhe  shohim që sot nuk bisedojnë për çështje kombëtare. Brenda kërkesës së depozituar  janë të parashtruara edhe dikastere të tjera që nuk mund të jenë në tagrin e ministrit. Vërejtja e parë formale ishte lidhur me grupin negociator  të cilët duhet të propozohet me emër dhe mbiemër pasi institucioni i presidentit nuk mund të bëjë thjesht noterizimin pasi është përfaqësuesi i unitetit të popullit. I gjithë procesi është përshkruar nga një pamjaftueshmëri informacioni dhe transparence. Sa më shumë transparencë të ketë, aq më pak paragjykime dhe kontestime ka.

A është e justifikueshme pengesa që po bëhet nga Presidenca lidhur me paktin detar?

Çdo paragjykim i kësaj natyre, e fut problemin në debatin politik. Çështje të tilla nuk duhen debatuar në këtë mënyrë. Në rast se presidenti është kërkues për diçka që involvon institucionin e tij, unë besoj se nuk duhet parë si pengues i një procesi që nuk duhet ta pengojë askush. Ne duhet t?i ndajmë në mënyrë definitive mosmarrëveshjet me fqinjët, pasi të gjitha shtetet i kanë ndarë me njëri-tjetrin.

A ka të drejtë presidenti të vendosë të tilla kushte? Mos ndoshta po tejkalohen pak kompetencat e përcaktuara nga instrumentet ligjor?

Jo, është në të drejtën e tij për t?i kërkuar. Madje dua të them që vetë qeveria duhet të jetë e kujdesshme për të bërë biseda private me presidencën në mënyrë që të evitohen përplasjet publike dhe  të dalin me një sintoni.

Një çështje që ka krisur raportet presidencë-qeveri ka qenë edhe vota e Shqipërisë në OKB për të kundërshtuar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Ju vetë si do kishit vepruar në të tilla kushte?

Nuk bëhem interpretues i askujt pasi kam emrin dhe profilin tim. Sa i përket votës, unë mendoj se në të gjithë historinë e kombit shqiptar ka një aleat që është i patjetërsueshëm dhe i pangatërrueshëm, dhe padyshim janë SHBA-të. Në historinë e kombit tonë, ka qenë ky aleat i cili e ka shpëtuar nga zhdukja prej hartës gjeopolitike. Nëse ne kemi një mik pa asnjë interes, janë SHBA-të dhe duhet që në çdo vendim, moment dhe pozicion të jemi krah tyre.

Dhe pyetja e fundit ka të bëjë me përkujtimin e hedhjes së diktatorit dhe lidhjes që ka me Partinë Demokratike. Si e shihni sot këtë forcë politike që dikur frymëzoi shqiptarët për liri dhe demokraci?

Unë e njoh shumë mirë situatën se si ka qenë dhe është Partia Demokratike. Ajo që më vjen keq është kur shoh aksionin e saj politik dhe konstatoj se nuk është më PD-ja me emrin që ka pasur. Unë i takoj të djathtës dhe sigurisht një të djathte të moderuar. Nëse ka ardhur në këtë pikë, ka ardhur sepse nuk ka qenë kompaktibël emri dhe veprimi konkret brenda strukturave. Aty ka pasur vazhdimisht tendencë për të krijuar një kult të individit dhe ai individ e ka krijuar dhe vijon ta mbajë ende. Madje kur ?de juro? kemi një kryetar të ri, ?de fakto? vijon të mbajmë kultin e Sali Berishës. Mjaft probleme PD i ka jo nga  paaftësia e liderit aktual, por nga bashkëpunimi mban me ish-kryetarin./TemA

Lajmet e fundit nga