LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çështja Skënderbeu, nuk është koha për të fërkuar duart!

22 Shkurt 2018, 12:25, Blog CNA

Nga Julian Hoxhaj 

*Prej ditësh, tashmë është krijuar një situatë aspak normale në futbollin shqiptar. Publikimi i dosjes me 98 faqe, ku dy inspektorë të Komisionit të Etikës në UEFA kërkojnë dënimin me përjashtim të Skënderbeut për një periudhë 10-vjeçare nga garat europiane. Shkaku është dyshimi për rezultate të fiksuara në dhjetra ndeshje nga klubi korçar, si në kampionatin shqiptar, por edhe në Kupat e Europës. Fillimisht publikimi i dosjes u interpretua në forma dhe mënyra të ndryshme, e megjithatë situta vijon të jetë objekt i medias sportive në vend çdo ditë. Telesport iu qëndroi korrekt parimeve bazë të gazetarisë, duke mos u nxituar për publikimin e lajmit pa u qartësuar dhe zbardhur përmbajtja e dosjes, duke i bërë një përkthim korrekt faksimileve të publikuara në media të tjera sportive. Këtë e bëmë padyshim për t`i shërbyer të vërtetës dhe qindra e mijëra sportdashësve që ndjekin çdo ditë lajmet në ekranin e Telesport, por dhe në sajtin www.telesport.al. Konfuzioni tashmë ka kaluar, buja mediatike ka nisur të lihet pas, ndërkohë që protagonistët e ngjarjes kanë filluar të reagojnë për të përgatitur mbrojtjen në organin disiplinor të UEFA-s, ku do të merret dhe vendimi për çështjen e Skënderbeut në javët në vijim.

Kjo ishte një parantezë e asaj që vijon, një qëndrim redaksional mbi situatën. Futbolli në Shqipëri nuk mund të veçohet nga pjesa strukturore e organizmit të shoqërisë, politikës, ekonomisë, gjendjes sociale, botëkuptimit, vizionit apo gjithçkaje tjetër që krijon boshtin e shoqërisë sonë. Për hir të së vërtetës, këtu ka pak përjashtim. Futbolli bën diferencën në disa aspekte, të paktën në nivel ndërkombëtar, ashtu si disa sporte të tjera si: peshëngritja, mundja, atletika etj, me të cilat shqiptarët dhe Shqipëria mund të krenohen. Pjesëmarrja e Kombëtares Kuq e Zi në Euro 2016 ishte një sukses historik, që unifikon zemrën, mendjen, bindjet, besimin, dhe botëkuptimin e çdo shqiptari në një gjë të vetme. Entuziazëm, gëzim, emocion, pasion, kënaqësi dhe mbi të gjitha krenari. Pra, ai sukses ishte pika më e lartë e historisë së sportit shqiptar, duke mos anashkaluar këtu faktin që në shumë sporte vendi ynë ka kampionë absolutë dhe medalistë botërorë. Por futbolli na ka bashkuar, ka thyer barrierat e ndarjes së kombit dhe na ka sjellë më afër me njëri-tjetrin, kudo, në çdo cep të globit ku jetojnë shqiptarë.

Suksesi i Kombëtares u parapri nga Skënderbeu, klubi i futbollit që në sezonin 2015/16 kaloi për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Europa League. Një kompeticion futbolli prestigjoz në Europë, ku marrin pjesë klubet më në zë të ligave të kontinentit. Ky sukses u pasua nga një dënim për Skënderbeun me një vit pezullim nga garat europiane në vitin 2016 për shkak të dyshimeve për fiksim të rezultateve të ndeshjeve. Një vit më pas Skënderbeu rikthehet në garat europiane, madje merr pjesë si skuadra që e mbylli në vendin e tretë kampionatin në Shqipëri dhe arrin të kalojë me sukses katër turet eleminatore të Europa League. Një rekord dhe sukses historik për futbollin shqiptar, teksa në fazën ?play-off? arriti të kalojë Dinamon e Zagrebit. Edhe në fazën në grupe ekipi korçar arriti të bëjë paraqitje dinjitoze dhe me pak më shumë fat mund të kishte kaluar grupin. Gjithsesi, sukseset janë të mëdha, ndoshta dhe më të mëdha se sa dyshimet për fiksim rezultatesh. Por, sot të gjitha këto rrezikojnë të bien poshtë, pasi në rastin e një dënimi 10-vjeçar, Skënderbeu humbet shumë, po aq sa humbet dhe futbolli shqiptar.

Nëse Skënderbeu do të dënohet me mospjesëmarrje në garat europiane, padyshim që UEFA do të kërkojë dënim edhe në garat kombëtare. Kështu, Shqipëria do të humbte një prej klubeve më të mira të historisë së saj, një klub që ka krijuar një model të qartë loje dhe mentaliteti në futboll. Një klub që, pavarësisht dyshimeve, sot për sot është trampolina më e mirë për shumë futbollistë dhe talente, që kërkojnë të luajnë në klube europiane. Ka shumë elementë që mund të përmenden, por që nuk është e nevojshme të listohen në këtë shkrim. Shumë klube shqiptare nuk do ta dëshironin dënimin e Skënderbeut, sepse një dënim i mundshëm do të thotë që gara sportive në vend do të bëhej më e dobët, me më pak rivalitet. Nuk janë ditët më të mira të futbollit në Shqipëri dhe mjafton të shohësh praninë e tifozëve në stadiume për të kuptuar situatën. Por, kurrsesi dënimi i një klubi si Skënderbeu nuk do të sjellë aspak një futboll më të mirë, më të bukur, me më shumë rivalitet, me më shumë grintë dhe me më shumë sukses në Europë se tani. Ndaj, nëse ndodhemi përpara (qoftë edhe të një fakti real, pasi deri tani janë dyshime), nuk është koha të kërkojmë penalizim, por është koha për reflektim.

Është koha dhe momenti i duhur për të reaguar, për të ndarë përgjegjësitë dhe me laps e letër për të shkruar rregulla të reja se si do të organizohet gara. Për pastërinë e deritanishme në garat sportive nuk vë kush dorën në zjarr. Por, nga ana tjetër, shembujt ekstrem nuk prodhojnë aspak modele suksesi, përkundrazi, situata mund të dalë jashtë kontrollit. Ndaj sot, pa dashur të marrim krahë dhe qëndrime, futbolli shqiptar ka nevojë për t?u bashkuar, për të krijuar Ligën Profesioniste, pse jo për të krijuar dhe Kupën e Kombit, një kompeticion Shqipëri-Kosovë, që mund të rrisë nivelin sportiv në vend. Pra, para entuziazmit për të ndëshkuar, duhet ftohtësi për të gjykuar rreth situatës aktuale dhe të ardhmes që na pret. Nuk është koha për gijotinë, por për ndarje përgjegjësish nga federata, drejtuesit dhe presidentët e klubeve, deri tek organet ligjzbatuese. Sot futbolli nuk ka nevojë për ?koka turku?, por për mbështetje dhe kultivimin e një kulture sportdashëse te brezat e rinj. Ka nevojë për mbështetje në infrastrukturë dhe krijimin e mundësive, që klubet të jenë rentabël, lojtarët të paguhen brenda logjikës së ekonomisë së vendit dhe padyshim klubet të japin më shumë transparencë ekonomike. Ndaj, sot, dënimi i Skënderbeut në këndvështrimin tonë nuk është rasti për t`u gëzuar dhe as mund të thuhet se me këtë dënim futbolli në Shqipëri bëhet më i pastër. Sot, më shumë se kurrë na nevojitet unitet, jo vetëm se nuk është në interes të futbollit shqiptar dënimi i një klubi si Skënderbeu, por sepse një dënim i tillë do të ketë efekte zinxhir, madje të paparashikueshme.

Lajmet e fundit nga