LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kosova, 10 vjet pavarësi nga Serbia, 106 vjet e ndarë nga Shqipëria

17 Shkurt 2018, 14:08, Aktualitet CNA

Gazetari Arben Vata ka komentuar 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, gazetari Vata shkruan ?Sot është një ditë për të festuar shkëputjen përfundimtare nga Serbia, por edhe për të rikujtuar edhe faktin se Kosova, Çamëria, Presheva dhe troje të tjera shqiptare, janë shkëputur pa drejtësisht nga trupi i nënës Shqipëri më shumë se 100 vjet më parë.?

Postimi i plotë: 

Kosova, 10 vjet, pavarësi nga Serbia; 106 vjet e ndarë nga Shqipëria

Kosova kremton sot 10 vjetorin e pavarësisë nga Serbia, një ditë e shënuar në historinë e trazuar dhe të dhimbshme të kombit shqiptar që vijon të jetojë i shpërndarë në disa treva. Sot është një ditë për të festuar shkëputjen përfundimtare nga Serbia, por edhe për të rikujtuar edhe faktin se Kosova, Çamëria, Presheva dhe troje të tjera shqiptare, janë shkëputur pa drejtësisht nga trupi i nënës Shqipëri më shumë se 100 vjet më parë. Sot është dita për të përkujtuar ata qindra e mijëra burra e gra që luftuan për lirinë e trojeve arbnore, që kundërshtuan fuqitë e mëdha në vendimin e tyre për ndarjen e Shqipërisë ; është dita për të kujtuar ata shqiptarë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës si dhe vendet mike që mbështetën aspiratën e drejtë të shqiptarëve në Kosovë për liri.
Por sot është gjithashtu dita për të qortuar ata njerëz që për arsye të ndryshme kërkojnë të hiqet flamuri ynë kombëtar, që duan të heqin simbolin e Skënderbeut nga Kosova, që flasin për komb kosovar. Nuk është ditë për debat, por për thirrje për të mos u ndarë ; për të mos e shitur Kosovën dhe Shqipërinë; për të qenë bashkë dhe shpresuar se një ditë do të hiqen edhe kufijtë doganore dhe politikë dhe historia të shkojë në vendin e vet.
Kosova si shtet do të ketë flamurin e vet (edhe ose askush nuk e pëlqen), por populli nuk mund të detyrohet të mos ketë në zemër, shtëpi, rrugë e sheshe flamurin kombëtar, atë për të cilin luftoi Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari./ CNA.al

Lajmet e fundit nga