LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Takimi i artistëve me ministren Kumbaro/ Shehu: Keqardhje...

14 Shkurt 2018, 18:33, Politikë CNA

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, ka reaguar pas takimit të zhvilluar midis një grupi artistësh dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, në ambientet e Ministrisë.

Me anë të një komenti në rrjetet sociale, Sherefedin Shehu, shprehet se ndjen keqardhje për artistët, të cilët ditë më parë ishin shprehur se takimi me ministren do të bëhej vetëm në ambientet e teatrit, ndërsa sot një pjesë prej tyre shkuan në zyrat e Ministrisë, ku sipas tij më shumë ka folur ministrja sesa vetë artistët.

“Keqardhje Për Artistët
Kur pashë revoltën e artistëve për Teatrin Kombëtar shpresova që më në fund një grup qytetarësh “me mend” po përballen seriozisht me Qeverinë. Dhe Kryeministri, fillimisht u tall me ta, por sot u pa që e kishte ndjerë frikën e kësaj revolte.
Por kur i pashë artistët në takim me Ministren u zhgënjeva. Në vend të revoltës së ditëve më parë dhe të ultimatumit që takimi do të bëhej vetëm në teatër, pashë një grup artistësh shumë të ekzaltuar që Ministrja i kishte pritur në një dhomë që të merrej fryma. Por nuk ishte ky zhgënjimi im. Unë u zhgënjeva sepse në takim foli më shumë Ministrja se sa artistët dhe se në fjalët e artistëve dëgjova më shumë falënderime për takimin se sa pyetje për situatën e vështirë dhe shqetësimet e shprehura publikisht.”, – shkruan Shehu.

Më tej Shehu shprehet se, “Shqetësimi më i madh që prisja të dëgjoja ishte se a do të shtrihej “Kullizimi” edhe në teritorin e Teatrit Kombëtar. Por, në vend të pytjeve dhe garancive për një godinë dinjotoze të Teatrit Kombëtar dëgjova falënderime dhe këshilla nga poshtë për një ligj që do të hartohet dhe miratohet nga lart.
Në vend të garancive për rritjen e buxhetit të artit dhe nxitjes së filantropizmit për zhvillimin e tij, dëgjova retorikën e Ministres për vëmendjen e madhe të Qeverisë ndaj artit. Dhe si të mos mjaftonte kjo, artistët mu dukën të kënaqur kur në fund Ministrja ju tha se me ju e bëmë formalitetin e dëgjimit ndërsa me mandatin që na ka dhënë populli ne do ta bëjmë këtë punë ashtu si duam ne.
Në vend që të kërkonin llogari dhe të merrnin garanci nga Qeveria, artistët përfaqësues falënderuan dhe kritikuan edhe Kryetari I Bashkisë, disa se i kishte garantuar për ndërtimin e një teatri të vërtetë dhe disa se ai duhej t’i garantonte se në vendin e teatrit nuk do të bëhet kullë.”

Për përmbyllje ai thekson, “Por u çudita që artistët përfaqësues nuk e dinin se ai nuk ka asnjë lidhje me Teatrin Kombëtar dhe se nuk mund të jetë garant për asgjë. Ai propozon planin rregullues por ai as nuk e miraton këtë plan dhe as nuk bën projekte zbatimi. Dhe për më tepër ai nuk ka asnjë rol në financimin dhe zbatimin e projektit të Teatrit Kombëtar.
Megjithatë unë besoj se komuniteti i artistëve do të dijë të mbrojë veten. Mos harroni atë që po ndodh tek stadiumi kombëtar ku kulla po gërvisht qiellin ndërsa ndërtimi i stadiumit është akoma në themele.” /CNA.al

Lajmet e fundit nga