LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pollo shpjegon votën e përbashkët me maxhorancën

13 Shkurt 2018, 14:45, Politikë CNA

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka dalë në një deklaratë për shtyp pas përfundimit të Sesionit të 12-të të Komitetit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, ku PD bashkoi votat me Maxhorancën.

Në deklaratën për shtyp, Pollo u shpreh se ky është kontributi i vetëm që mund të jepet nga PD për të ndihmuar në avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Më tej ai është shprehur se në këtë deklaratë të përbashkët janë përfshirë disa nga shqetësimet kryesore të opozitës që nga marrja e masave për shitblerjen e votës deri tek hetimi i politikanëve të lartë si njerëzit e zakonshëm, pa mbrojtje nga Parlamenti.

Komunikimi i plotë i Genc Pollos pas miratimit të deklaratës së përbashkët:

Kjo deklaratë u miratua edhe me votat e opozitës. Është kontributi i vetëm që ne mund të kemi për të ndihmuar në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për të ndihmuar në çeljen e negociatave të cilën shpresojmë të ndodhë në qershor. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe pse qeveria mund të vazhdojë me refrenin e saj se fajtore është opozita për gjithçka, përfshi edhe votimin e Integrimit Europian. Faktet flasin më shumë se deklaratat dhe do të thoja që ky sot është një test, i cili përfshin shumë nga shqetësimet tona, i cili mori votat edhe të Partisë Socialiste dhe të gjithë partive të Parlamentit Europian, të përfaqësuara nga eurodeputetët, duke nisur nga shqetësimi për blerjen e votave, në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga presioni mbi votuesit, siç e parashikon e ligji penal shqiptar. Është një tekst që parashikon që politikanët e lartë, përfshirë ish-ministrat e brendshëm dhe deputetët aktualë, të mos kenë mbrojtje ndryshe nga qytetarët e këtij vendi. Këto rekomandime njohin shqetësimin e madh të ngritur nga opozita në tre vitet e fundit për kanabizimin e madh të vendit. Dhe fakti që kjo pranohet nga i gjithë spektri i europarlamentarëve, tregon që BE është i ndërgjegjshëm për këtë. Mund të mos jenë dy ose tre nëpunës të tij, por çka është e rëndësishme është theksi i këtij dokumenti i avancimit të grupeve kriminale të kanabisit dhe kokainës.
Tjetër shqetësim i opozitës që reflektohet në këtë dokument janë partneritetet private-publike. Bëhet thirrje që të ketë kontroll dhe vlerësim të investimeve publike dhe PPP-ve, pasi ato janë shqetësim në shumë drejtime. Çështja e azilkërkuesve dhe shkaqet që qytetarët shqiptarë lënë vendin janë bërë një problem jo vetëm për Europën, por edhe për Shqipërinë dhe thirrja për qeverinë është të marrë masa për këtë gjë.
Liria e medias është një temë që ne gjerësisht po e debatojmë dhe problemi i ndërhyrjes politike është aktuale, dhe e pasqyruar në rekomandimet e sapomiratuar.
Është një dokument më të cilin të gjithë jemi të kënaqur. Më vjen mirë që shqetësimet tona, ndryshe nga ç?ndodh në seancë plenare, morën votat e mazhorancës dhe të gjithë eurodeputetëve të pranishëm.

Pyetje: Cilat ishin shqetësimet kryesore të opozitës?

Pollo: Votëblerja dhe presioni kriminal ndaj votuesve; kryesore është përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur zyrtarët e lartë kur ata përballen me akuza penale. Nuk mund të kenë mbrojtje legjislative më të lartë se sa qytetarët e thjeshtë. Shqetësim ishte jo vetëm kanabizimi, por kalimi i drogave të rënda, si kokaina. Përmenden drogat e forta me fjalë në tekst. Shqetësimi ynë ishte abuzimi me PPP dhe kërkojmë vlerësim dhe kontroll të tyre. Para dy vjetësh Parlamenti Europian specifikisht e ka përmendur në një rezolutë të tij për Shqipërinë dhe ka ngritur këtë shqetësim. Çështja e azilkërkuesve është në numër shumë të lartë në Francë dhe Gjermani dhe rekomandimet i kërkojnë qeverisë shqiptare që të trajtojnë rrënjën e problemeve që i detyrojnë shqiptarët që të ikin. Sepse nuk është një ikje normale, por ikje masive. INSTAT thotë se në tre vitet e fundit janë larguar një qytet sa Fieri apo sa Durrësi. Kjo përbën një problem në Shqipëri, por kur këta njerëz nuk dinë ku të shkojnë, përbën problem për vendet pritëse dhe konkretisht Franca. Liria e medias dhe ndërhyrja politike ishte çështja tjetër. /CNA.al

Lajmet e fundit nga