Connect with Us

Flet Zv/drejtori i FMN: Pse Shqipëria ka mbetur një nga më të varfërat e Europës, e zgjidh reforma në drejtësi

Ekonomi

Flet Zv/drejtori i FMN: Pse Shqipëria ka mbetur një nga më të varfërat e Europës, e zgjidh reforma në drejtësi

Publikuar

-

Zyrtari i lartë i FMN-së, që ndodhet këto ditë për një vizitë në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për Monitor thotë se tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme…

Teksa ekonomia europiane e globale është në fazë rimëkëmbje, ky është momenti më i mirë edhe për qeverinë shqiptare, që të mos vetëkënaqet dhe të përshpejtojë reformat. I këtij mendimi është DMD Tao Zheng, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, i cili është për një vizitë në Tiranë këtë javë. Kjo është vizita e parë e një zyrtari kaq të lartë të FMN-së, që nga viti 2007.

Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, z. Zheng pohon se Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet, të cilat duhet të synojnë infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore.

Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë partneritetet publike-private duhet të zbatohen me kujdes për të zbutur rreziqet ndaj financave publike, thotë ai. Z.Zheng tërheq vëmendjen edhe për procesin e konsolidimit bankar, ku praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura.

Ai thotë se Shqipëria ka mbetur ende një prej vendeve më të varfëra të Europës për disa arsye, si niveli i ulët ekonomik në fillim të viteve ‘90, kriza e vitit 1997, reformat e ngadalta, të cilat kanë bërë që vendi të mos arrijë të tërheqë investime në sektorë me vlerë të lartë.

Ndaj, rekomandon ai, e rëndësishme mbetet sidomos reforma në drejtësi, si një parakusht që Shqipëria të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik. “Ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike”, rekomandon zyrtari i lartë i FMN.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet ekonomia globale në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Në përgjithësi, perspektiva afatshkurtër është pozitive, ndërsa në afatin e mesëm ka më shumë sfida që do të kërkojnë veprime për të përmirësuar rritjen në të ardhmen. Si rrjedhojë, nuk shohim vend për vetëkënaqësi.

Duke filluar me lajmin e mirë: ekonomia botërore po rikuperon shpejtësinë. Raporti ynë i Perspektivës Ekonomike Globale, i publikuar së fundmi, parashikon rritje globale prej 3.9% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Për të dy vitet, kjo është një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje mbi parashikimin tonë të tetorit të kaluar. Kushtet financiare kanë qenë akomoduese, duke përforcuar këtë ndjesi pozitive dhe duke ndihmuar aktivitetin e ekonomisë reale.

Rishikimi në rritje i parashikimeve tona ka ardhur pjesërisht për shkak të perspektivës së përmirësuar afatshkurtër për ekonomitë e zhvilluara. Ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por, kjo është gjithashtu një rimëkëmbje ciklike, dhe sapo cikli të hyjë në rrjedhën e tij, rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet. Kjo është pasojë e disa çështjeve strukturore afatgjata, si rritja e ulët e produktivitetit dhe plakja e popullsisë, të cilat ngadalësojnë rritjen potenciale.

Ndër ekonomitë në zhvillim, rimëkëmbja në çmimet e mallrave të bursës ka ndihmuar eksportuesit e mëdhenj si Brazili, Rusia dhe Nigeria të rimarrin veten nga recesioni. Përsëri, ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por kjo nuk mund të zgjasë, sepse perspektiva afatmesme për çmimet e mallrave të bursës është më e ulët në krahasim me të kaluarën dhe vendet në zhvillim, të varura nga lëndët e para mund, të përballen me një situatë të vështirë shtrënguese në të ardhmen.

Pra, ndërsa është joshëse të rrish dhe të shijosh momentin aktual të rritjes, udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit duhet të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë ata për të nxitur rritjen potenciale të ekonomive të tyre, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.

Ata gjithashtu duhet të përqendrohen në krijimin e qëndresës financiare për të përballuar një ndryshim të mundshëm të kushteve të tanishme lehtësuese financiare dhe të mbrohen nga tronditjet e ardhshme. Një sfidë e përbashkët midis ekonomive të përparuara dhe atyre në zhvillim është se si ta bëjnë rritjen më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që përfitimet të mund të ndahen gjerësisht.

Kjo është hera e parë që ju vini në Shqipëri në këtë detyrë. Si do ta vlerësoni ecurinë e vendit tonë në këtë periudhë tranzicioni?

Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm që nga fillimi i tranzicionit në vitin 1991. Ajo ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka pasur një nga normat më të larta të rritjes për frymë në rajon gjatë dekadës së kaluar. Ka pasur pengesa, të tilla si kriza në vitin 1997 dhe ngadalësimi i rritjes së shkaktuar nga kriza financiare europiane. Por falë reformave, Shqipëria tani po bën përparim të qartë në konvergjencën drejt nivelit të zhvillimit me pjesën tjetër të Europës.

Ka ende sfida të rëndësishme në këtë rrugë tranzicioni. Shteti ligjor duhet të forcohet. Shpresoj se Shqipëria do të bëjë përpjekjet maksimale për të zbatuar reformën gjyqësore dhe se ambienti politik do të mbetet i qëndrueshëm. Forcimi i institucioneve publike dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë çelësi për të inkurajuar investimet dhe për të rritur mundësitë për punësim. Zgjerimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i jetës së shqiptarëve varet nga reformimi i sistemit tatimor, infrastrukturës publike dhe të drejtave të pronësisë.

Ashtu si në pjesën tjetër të botës, të dhënat e fundit të raportit të Forumit Ekonomik Global për indeksin e zhvillimit (inclusive development index) treguan se edhe në Shqipëri ka pasur një rritje të pabarazisë 5 vitet e fundit. Cilat do të ishin rekomandimet tuaja për politikat që duhet të ndjekë qeveria që ta bëjë rritjen me gjithëpërfshirëse?

Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në uljen e varfërisë gjatë dy dekadave të fundit, edhe pse kriza ekonomike europiane ka qenë pengesë gjatë viteve të fundit. Gjatë këtij tranzicioni, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë parë përmirësime të konsiderueshme në standardin e tyre të jetesës si rezultat i reformave që hapën ekonominë.

Rritja ekonomike e qëndrueshme është hapi i parë për uljen e varfërisë. Por nuk është e vetmja. Rritja duhet gjithashtu të jetë më gjithëpërfshirëse. Ne të Fondit mbështesim fuqimisht masat për mbrojtjen e grupeve të prekshme, përmes investimeve në shërbimet sociale, shëndetësisë dhe ndihmës sociale të synuar për më të varfrit.

LEXO EDHE:  Pse nuk ka falimentuar Shqipëria deri më tani?

Janë të nevojshme investime më të mëdha në arsim dhe trajnimin e aftësive për të përmirësuar punësimin e të rinjve. Një sistem më i drejtë taksash, me më pak hapësira shmangieje dhe përjashtimesh, gjithashtu kontribuon në më shumë drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave. Një shembull i mirë është tatimi mbi pronën, i bazuar në vlerë, që qeveria po zhvillon me ndihmën tonë teknike.

Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me të ardhura më të ulëta për frymë në Europë (me përjashtim të Ukrainës, Moldavisë dhe Kosovës), sipas të dhënave të FMN-së. Nëse mund të jepni një vlerësim se pse ka ndodhur kjo (vendi ka një pozicion gjeografik të përshtatshëm dhe burime të shumta natyrore) dhe çfarë duhet ndryshuar në politikat e zhvillimit?

Të ardhurat për frymë në Shqipëri, në terma nominalë, janë rritur më shumë se gjashtë herë gjatë dy dekadave të fundit, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Megjithatë, më shumë duhet dhe mund të bëhet për të rritur të ardhurat dhe cilësinë e jetës së të gjithë shqiptarëve.

Niveli aktual i zhvillimit ekonomik është rezultat i disa faktorëve.

Së pari, Shqipëria filloi nga një bazë shumë e ulët. Në vitin 1991, ishte vendi më i varfër në Europë me kapital shumë të kufizuar, infrastrukturë të vjetruar, pothuajse asnjë industri dhe institucione të dobëta.

Së dyti, kriza e vitit 1997 ishte një hap i madh mbrapa në procesin e zhvillimit.

Së treti, përparimi në reformat lidhur me zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ka qenë më i ngadaltë. Si rrjedhojë, Shqipëria ka pasur më shumë vështirësi në tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë më të lartë.

Prandaj, ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.

Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe FMN-së pas viteve ‘90 dhe vendimin e fundit të qeverisë shqiptare për të mos nënshkruar një marrëveshje të re, pasi ajo trevjeçare përfundoi në shkurt 2017?

Marrëdhënia ka qenë e fortë dhe e frytshme. Shqipëria u bë anëtare e plotë e FMN-së në tetor 1991. Që atëherë, ne kemi mbështetur Shqipërinë përmes këshillave për politikat dhe ngritjes së kapaciteteve gjatë gjithë procesit të saj të tranzicionit. Qindra zyrtarë shqiptarë kanë ndjekur kurse trajnimi të mbajtura nga FMN. Kemi dërguar këshilltarë në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in për të forcuar operacionet e tyre.

Aktualisht, dy këshilltarë të FMN-së janë në Bankën e Shqipërisë. Ekspertët tanë nga Instituti i Përbashkët i Vjenës dhe Qendra për Ekselencë në Financa në Lubjanë gjithashtu ofrojnë shpesh trajnime dhe asistencë teknike. Ne mbajmë një kontakt të ngushtë me autoritetet për çështjet ekonomike dhe kemi bërë të disponueshme financime për të mbështetur reformat, të cilat kanë arritur në gati 350 milionë euro në 2014-‘17. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet për reforma dhe do të jemi të lumtur të diskutojmë për ndihmë apo financim shtesë, nëse kërkohet nga qeveria shqiptare.

Reforma në drejtësi

Ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.

Cilat shikoni si rreziqet kryesore të Shqipërisë në zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë? Çfarë politikash rekomandoni për t’u ndjekur?

Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet. Shqipëria ka qenë e suksesshme në rivendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik gjatë viteve të fundit, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme. Rritja po rimëkëmbet. Si mund të vazhdojë qeveria të mbështesë rritjen ekonomike?

Në aspektin më të gjerë, duke ofruar më mirë shërbimet publike – infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore – ndërkohë që ruan qëndrueshmërinë makroekonomike. Qeveria është fokusuar me të drejtë në forcimin e sistemit tatimor dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kjo do të thotë se ata përpiqen të mbledhin më shumë të ardhura dhe më pas t’i shpenzojnë ato në mënyrë më efikase.

Kjo është e rëndësishme, sepse borxhi publik është ende i lartë, pavarësisht se është ulur kohët e fundit dhe ende varet nga financimi afatshkurtër. Kjo e lë vendin të pambrojtur ndaj goditjeve financiare. Pra, përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të garantohen shpenzimet sociale.

Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë Partneritetet Publike-Private duhet të zbatohen me vendosmëri për të zbutur rreziqet ndaj financave publike. Javën e kaluar, kemi botuar një dokument se si të rritet investimi në infrastrukturë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne konkludojmë se një nxitje e infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste të ardhurat për frymë deri në 3-4 pikë përqindjeje në një periudhë afatgjatë.

Nga ana financiare, ne mendojmë se konsolidimi aktual në sektorin bankar është i mirëpritur, por autoritetet duhet të sigurojnë që praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura. Banka e Shqipërisë ka mbajtur në mënyrë të përshtatshme norma të ulëta interesi, por do të duhet të përshtasë politikën monetare nëse fillon rritja e inflacionit.

Në përfundim, tani është momenti për të përshpejtuar reformat. Pse? Për shkak se ekonomia globale po rritet, siç përmenda në fillim. Inflacioni dhe normat e interesit janë të ulëta në Europë. Tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen tuaj ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme. Ka rreziqe të jashtme, siç e përmenda më herët, dhe ky moment i mirë nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Brenda vendit, kemi parë sfidat që kanë ardhur nga kushtet e pafavorshme të motit, si thatësira më parë gjatë vitit dhe përmbytjet në fund të vitit të kaluar. Një ngadalësim i reformave gjithashtu mund të dëmtojë besimin dhe të dëmtojë perspektivat e rritjes. Prandaj, siç e përmenda në fillim, nuk ka vend për vetëkënaqësi./ Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Ekonomi

Euro, në rënie jo të zakonshme për muajin Shtator

Publikuar

-

Nga

cna lajme ekonomi

Euro po pëson një rënie jo tipike në kursin e këmbimit me Lekun gjatë muajit shtator.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 121.4 lekë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga mesi i muajit gusht, duke iu afruar vlerës më të ulët të shënuar këtë vit. Euro preku nivelin më të ulët vjetor më datë 11 gusht, në vlerën e 121.18 lekëve.

Nëse gjatë muajve korrik-gusht nënçmimi i euros është një tendencë e zakonshme sezonale, e lidhur kryesisht me prurjet valutore nga turizmi, zbritja e monedhës europiane sërish pranë këtyre nivele gjatë shtatorit nuk është shumë e zakonshme.

Po të shohim të dhënat historike, duke filluar nga fundi i gushtit ose fillimi i shtatorit, kursi i euros ngrihet gradualisht dhe një kthim pranë niveleve të sezonit veror mund të regjistrohet vetëm në fund të vitit, edhe kjo periudhë e lidhur me pushimet. Vitin e kaluar në këtë periudhë, euro këmbehej me 124.13 lekë, me një rritje të lehtë, por të qëndrueshme nga niveli më i ulët (prej 123.36 lekësh) që ishte shënuar në Gusht.



Ekspertë nga sektori financiar mendojnë se një tendencë e tillë mund të shpjegohet me disa faktorë. Ajo çka ata konstatojnë është se kërkesa për blerje të euros nga bizneset ngelet në nivele të ulëta dhe jo në linjë me sjelljen e zakonshme gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, tregu vazhdon të ketë ofertë konstante për euro. Sipas tyre, kjo mund të lidhet me zgjaten e sezonit të pushimeve, por, sidomos edhe me prurjet e shumta informale të valutës, që janë të vështira për t’u matur.

LEXO EDHE:  Shqipëria e kërcënuar nga sulme kibernetike nga Irani

LEXO EDHE:  Vdekjet nga aksidentet rrugore/ Zbardhen shifrat e frikshme

Mbiçmimi i Lekut ndaj Euros këtë vit gjen pjesërisht mbështeteje edhe në faktorët fondamentalë që e përcaktojnë ecurinë e kursit. Deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e dytë të vitit u ngushtua me pothuajse 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor e ka dhënë përmirësimi i ndjeshëm i bilancit të shërbimeve, por edhe bilancit të të ardhurave dytësore. Përmirësimi i bilancit të shërbimeve lidhet me rritjen e ndjeshme të të ardhurave nga turizmi dhe nga shërbimet e përpunimit të inputeve për llogari të klientëve jorezidentë (fasoneria).

Në veçanti efekti i ringritjes së turizmit, që është reflektuar dukshëm në statistika qysh në tremujorin II, vlerësohet se ka qenë edhe më i lartë në periudhën korrik-gusht. Nga ana tjetër, rritja e të ardhurave dytësore lidhet sidomos me shtimin e dërgesave të emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri. Të gjithë këta faktorë në teori kanë bërë që prurjet valutore nga kanalet formale të shënojnë një tendencë në rritje. Prurjet më të mëdha në euro konfirmohen edhe nga tendenca në rritje e depozitave bankare në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut, rritja vjetore e depozitave në valutë të huaj arriti nivelin 10.2%.

Megjithatë, ekspertët ngelen të mendimit se një rol shumë të madh në ecurinë e kursit të këmbimit luajnë të ardhurat nga aktivitetet jo formale. Këto para po ndikojnë shumë një cikël të ri të rritjes së fortë të çmimeve në sektorin e ndërtimit, që është e vështirë të shpjegohet plotësisht me faktorët e zakonshëm që përcaktojnë kërkesën dhe fuqinë blerëse në këtë treg./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Pas “qiellgërvishtësve” Tirana vijon zgjerimin në periferi/  Vila nga Petrela në Farkë e Vaqarr

Publikuar

-

Nga

cna lajme ekonomi

Ndërtimi, një sektor që nuk arriti ta lëkundte pandemia e COVID-19, ashtu sikurse ndodhi me shumicën e sektorëve në ekonomi, po vijon aktivitetin me ritme të njëjta.

Projekte të mëdha shumëkatëshE “hedhin shtat” në zemër të kryeqytetit çdo ditë, një pjesë të ngritura edhe nën petkun “brand name” për të përfituar nga lehtësitë e taksave. Por Tirana, po zgjerohet edhe më shumë në periferitë e saj. Tendenca e ndërtimit të vilave ka vazhduar edhe gjatë këtij viti dhe këtë e konfirmojnë edhe projektet e mbërritura pranë autoriteteve që kërkojnë marrjen e miratimeve të lidhura me mjedisin.

Konkretisht vetëm në muajin gusht janë paraqitur pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tre projekte. Një prej tyre është ai i përqendruar në Farkë ku ndërtimi i vilave nga subjekte të veçanta ka nisur prej kohësh. “Lake Shore” ka aplikuar pranë Agjencisë duke dorëzuar një Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis paraprak për projektin e saj “Ndërtimin e kompleksit rezidencial me vila 1,2 dhe 3 katëshe me destinacion banim”.

Një tjetër projekt është ai për vila me mur rrethues dhe pishina në zonën e Petrelës nga “AS Construcsion”. Ky i fundit ka dorëzuar gjithashtu vlerësimin e ndikimit në mjedis paraprak për projektin që parashikon vila banimi me 1 dhe 2 kate me një kat nëntokë.

LEXO EDHE:  Nga Mitro Cela/RAMA: NË SEVDA ME SERBINË-I THARTUAR ME GREQINË

LEXO EDHE:  Prof. Falcone: Mbrojtja e lirisë dhe drejtësisë i takon të gjithë qytetarëve



Një tjetër subjekt që ka kërkuar miratim nga AKM është Lulëzim Cenolli për ndërtim kompleks vilash me 2 kate dhe me mur rrethues në zonën e Vaqarrit në Prush. Në këtë rast AKM ka kërkuar informacion shtesë lidhur me projektin, një vendim që ka kaluar në fund të muajit gusht.

Këto janë vendime dhe projekte që kanë kaluar vetëm në periudhën gusht-shtator ndërkohë që përgjatë gjithë vitit ka pasur herë pas herë kërkesa nga subjekte për ndërtim vilash.

Ndërtuesit kanë konfirmuar për “Monitor” më herët se kjo tendencë për të ndërtuar vila lidhet me dy zhvillime. E para ka të bëjë me tërmetin e 26 nëntorit 2019 që goditi rëndë disa qarqe dhe ku pati disa dhjetëra humbje jete dhe e dyta ka të bëjë më pandeminë. Gjithmonë e më shumë qytetarët duan të jenë të distancuar./ Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Turistët “pushtojnë” Shqipërinë në Korrik-Gusht/  Kryesojnë polakët, ukrainasit dhe arabët

Publikuar

-

Nga

cna lajme ekonomi

Korriku dhe gushti kanë shënuar një dyndje të turistëve të huaj përmes charterave në vend, duke tejkaluar ndjeshëm edhe nivelet e parapandemisë.

Krahas hyrjeve të shtetasve të rajonit, që nuk na “braktisën” gjatë pandemisë, në verë janë rikthyer turistët nga vendet e tjera të Europës e më gjerë, ndërsa janë shtuar edhe destinacione të reja.

Shtimi i turistëve është reflektuar dhe në rritjen e ndjeshme të trafikut përmes charterave në Aeroportin e Rinasit. Sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport (TIA), në total, pasagjerët që kanë udhëtuar me charter (pa përfshirë Turqinë dhe Egjiptin, ku udhëtojnë shtetas shqiptarë) për periudhën korrik gusht 2021 ishin rreth 174 mijë (vajtje-ardhje), me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Shqipëria u deklarua këtë verë si një vend COVID-free nga ana e qeverisë duke hapur dyert për të gjithë turistët që do të duan ta vizitojnë. Kjo nxiti shtetas nga shtete të ndryshme që të vinin në Shqipëri, duke shmangur në këtë mënyrë kufizimet që mund të hasnin në vende të tjera, sidomos në Europën Perëndimore.

Polakët ishin të parët që konfirmuan rinisjen e fluturimeve charter nga 25 maji. Të dhënat e TIA tregojnë se ata janë grupi më i madh i turistëve që kanë ardhur përmes ajrit, me një rritje të ndjeshme nga 2019-a. Për periudhën korrik-gusht, përmes TIA-s kanë fluturuar rreth 81 mijë pasagjerë me chartera-a të nisura nga qytetet polake, pothuajse në dyfishim në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Të dytët janë ukrainasit. Në korrik gusht nga Ukrania në Rinas dhe anasjelltas fluturuan 38.5 mijë pasagjerë, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë.

“Turisti ynë kryesor nëse mënjanojmë pjesën shqipfolëse është ai polak pasi ka pasur shumë rezervime, por edhe Ukraina. Në rajon Kosova është pjesa më e madhe dhe e orinetuar drejt Shqipërisë por vërej se edhe Serbia ka interes të rritur” tha Blerim Norja nga Royal G, një nga hotelet kryesore në Durrës.

Në vend të tretë janë turistët nga Arabia Saudite, pas nisjeve të fluturimeve direkte Rinas-Riyadh. Nga dhe drejt Rinasit fluturuan rreth 9 mijë pasagjerë. “Këtë vit, zhvillim shumë interesant është ai që lidhet me Arabinë Saudite. Këtu ka hyrë me chartera “Flynas”, që nga 15 qershori. Kompania ajrore solli përfaqësues të saj të marketingut, të cilët bënë një “fame trip” në 7 ditë. Filmuan gjithçka, provuan restorante të ndryshme dhe mbetën shumë të kënaqur. Komenti i tyre ishte që nëse klientët tanë do të ndiejnë këtë që ndiejmë ne këtu, do të ketë një turizëm të jashtëzakonshëm. Ky grup ka interes për turizmin e jahteve, pasi i kanë dhe mundësitë. Në krahasim me atë çfarë janë mësuar të paguajnë, ne jemi shumë të lirë si treg” pohoi pak kohe me pare Smerald Bozaxhi, i cili operon ne sektorin e qiradhënies se jahteve.

LEXO EDHE:  Nga Lutfi Dervishi/ Si ka ndryshuar Shqipëria në dhjetë vite

LEXO EDHE:  Pse nuk ka falimentuar Shqipëria deri më tani?



Nga Gjermania, pasagjerët që udhëtuan me charter u rritën lehë më 2%, në raport me 2019-n, nga Çekia ranë 24%.

Në rënie të ndjeshme ishin shtetasit nga Izraeli.

Në dyfishim ishin rusët, me rreth 7 mijë pasagjerë që fluturuan drejt dhe nga Rinasi. (shih grafikun në fund)

Ndryshe nga 2019-a nuk ka pasur në verën e 2021 chartera nga Danimarka, Sllovenia, Suedia etj.

Rritet trafiku i pasagjerëve në Rinas

Korriku dhe gushti kanë qenë muaj shumë të zënë për aeroportin kryesor në vend, Tirana International Airport (TIA), duke i tejkaluar nivelet e parakrizës për të njëjtën periudhë dhe duke rikuperuar ndjeshëm humbjet e periudhës së pandemisë.

Burime zyrtare të TIA bënë të ditur për “Monitor” se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë, me një rritje prej 21.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, që deri tani kishte qenë viti më i mirë i turizmit. Ndërsa në raport me korrik-gusht 2020, kur vendi po vuante pasojat e krizës, zgjerimi është 76%.

Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6% më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 (+70% me 2020-n), ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32% (+82% me të njëjtin muaj të 2020-s).

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut në korrik e gusht, për 8-mujorin tendenca mbetet në rënie për shkak të ecurisë së dobët për periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 6-mujorin e parë, hyrje-daljet e shtetasve të huaj përmes ajrit ranë me 46% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s./Monitor

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: