LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kreu i Krimeve të Rënda zbulon emrat e deputetëve që pritet të merren si të pandehur

18 Janar 2018, 18:02, Aktualitet CNA

Gjykata e Lartë ka nxjerrë jashtë kompetencës së gjykimit të saj çështjet penale  që ndodheshin në gjykim pranë saj si juridiksion fillestar e që kanë të bëjnë me padi penale apo kërkesa me të dëmtuar akuzues ku si të pandehur apo të paditur janë deputetë të Parlamentit si Tom Doshi, Alfred Peza, Astrit Veliaj , Edi Paloka.

Bëhet fjalë për akuza  apo padi të tilla ndaj deputeveve si ato të fshehjes së të ardhurave, ndërtimit të paligjshëm apo padi penale me të dëmtuar akuzues për veprat penale të shpifjes etj.

Kjo referuar ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale  sipas së cilave kompetente për gjykimin akuzave  në ngarkim të subjekteve të veçantë  deputetëve apo ministrave  është Gjykata e Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar dhe jo më Gjykata e Lartë.

I pyetur për këtë Kryetari i Gjykatës së Krimeve  të Rënda tha se për këto çështje nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë dërguar sërish për diskutim si mosmarrveshje për kompetencë në Gjykatën e Lartë pasi, gjyqtarët e kësaj Gjykate  kanë vlerësuar se nuk janë kompetente për gjykimin e tyre e se këto çështje duhet të gjykohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm deri sa të konstituohet Gjykata e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Do jetë Gjykata e Lartë e cila do të vendosë sërish tashmë si gjykatë që zgjidh mosmarrveshjen për kompetencë nëse këto çështje do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda apo nga gjykata e rretheve gjyqësore si ajo e Tiranës etj.

Në bazë të ndryshimeve kushtetuese Gjykata e Krimeve të Rënda pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor do të riemërtohet si Gjykatë e Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deri në këtë moment Gjykatat e Krimeve të Rënda ruajnë kompetencën fillestare  që kanë patur para ndryshimit të nenit 75/a te KPrP.

Me konstituimin e Gjykatës së Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar të gjitha çështjet penale që kanë të bëjnë me akuzat për korrupsion apo vepra penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës ndaj deputeteve, ministrave dhe funksionarëve të lartë pritet të kalojnë  për gjykim pranë kësaj Gjykate. /CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga