LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Reshjet e shiut krijojnë problemet e para/ Gurë dhe inerte në rrugë

17 Janar 2018, 19:50, Aktualitet CNA

Moti i keq ka filluar të krijojë problemet e para në qarkullimin e automjeteve.

Si pasojë e reshjeve mësohet se në aksin rrugor Xibrakë-Pishkash, në segmente të ndryshme ka pasur rënie gurësh dhe inertesh. Për këtë arsye Policia Rrugore e Elbasanit dhe Librazhdit është pozicionuar në të gjithë aksin problematik, ku orientojnë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes dhe të rregullojnë shpejtësinë.

Nga ana tjetër bëhet me dije se subjektet që mirëmbajnë rrugët vijojnë punën për pastrimin e rrugës nga inertet. Policia bën me dije se aksi rrugor Xibrakë-Pishkash është i kalueshëm në të dyja kahet e lëvizjes.

Drejtoria e Policisë Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor por dhe në të gjitha akset e tjera rrugore në qarqe, të tregojnë kujdes maksimal, të kontrollojnë shpejtësinë, mos kryejnë parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit, kaskat mbrojtëse për biçikletat dhe motoçikletat, si dhe mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit.

Ndërkohë në zonat malore, policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë asnjëherë pa pasur me vete zinxhirët për akullin dhe dëborën, kur kjo kërkohet nga patrullat e Policisë. Në rast nevoje telefononi menjëherë në numrat pa pagesë 112 e 129 dhe do të ndihmoheni nga Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Përgjithshme. /CNA.al

Lajmet e fundit nga