LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Duhet Vetting edhe në universitete

27 Nëntor 2017, 18:19, Aktualitet CNA

Nga ARTUR  AJAZI

Reforma në sistemin e arsimit të lartë në vendin tonë, është padyshim një nga nevojat më të mëdha, pasi është e qartë se përmbushja e objektivave si ajo e integrimit europian, varet nga suksesi i zbatimit të kësaj reforme. Por gjithsesi në thelb, qëllimi i kësaj reforme është bërja e mundur e ndërtimit të një sistemi arsimor perfekt, që nis nga parimet universale siç janë profesionalizmi, integriteti, pavarësia dhe përgjegjshmëria. Nevoja e kësaj reforme ka bërë të mundur që ky proces të futet në fazën më të rëndësishme të ndryshimeve të mëdha ligjore, duke përfshirë edhe ndryshime kushtetuese. Deri tani rreth nevojës së reformimit  të sistemit të arsimimit universitar në vendin tonë, si një parakusht mbetet profesionalizmi.

Reformimi i arsimit  të lartë (universitar)  nuk mund të jetë vetëm diçka formale  dhe vetëm me  ndryshim të legjislacionit, por duhet të jetë një reformë  rradikale, madje  duke zbatuar edhe atje procesin e  Vettingu-t. Kjo pasi është  pikërisht ky sistem i arsimit të lartë, që përgatit specialistë të fushave të ndryshme, si dhe mundëson një ndryshim tërësor të mentalitetit mbi vlerësimin, rekrutimin, dhe përshtatjet e bërthamave shkencore në universitetet tona publike. Aktualisht, sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri vuan nga disa probleme kronike, që lidhen me programet mësimore  që mundësojnë mbivendosje masive të dijeve nga një lëndë në tjetrën, dhe nga një program mësimor në tjetrin.  Madje në  shumicën e rasteve, programet (master) janë një përsëritje e njohurive të nivelit ?bachelor? dhe nuk paraqesin  ngritje profesionale, e krahasueshme me ato të vendeve europiane.

Një prej problemeve që u shtohen problemeve të tjera mbetet edhe ai i   rekrutimit  të personelit akademik  dhe  administrativ, duke krijuar shpesh  dyshime për lidhje dhe  emërime  nepotike, pa zbatuar kriterin e meritokracisë, si dhe lidhje të forta  familjare,  dyshim ky i lidhur  edhe me  marrjen e gradave shkencore dhe titujve akademikë. Madje këto të fundit janë lajuar të jepen edhe nga institucionet private të arsimit të lartë.  Mungesa e zbatimit të kriterit të meritokracisë në sistemin e vlerësimit  të karrierës profesionale,  ka sjellë si model studentin  e dobët, neglizhent, që nuk lexon  dhe që urren literaturën  dhe që provimin e merr me rryshfet.

Sot si asnjëherë më shumë, Vetting-u mbetet një nevojë urgjente edhe në universitetet tona publike, duke nisur nga fakultetet, dekanatet, departamentet, rektoratet, administrata etj. Kjo për faktin se prej 27 vitesh, pranimet, punësimet dhe rekrutimet e stafit  akademik, dhe zyrtarëve të tjerë  janë bërë shpesh mbi baza njohjesh, tarafesh dhe jo mbi baza meritokracie , profesionalizmi, duke dëmtuar rëndë imazhin e çdo universiteti  dhe duke stopuar prej vitesh revolucionin e bërthamave dhe kërkimeve shkencore. Mjafton ti rikthehesh procesit të akreditimit dhe do të bindesh se në universitetet tona publike ka nevojë urgjente për reformim të thellë, për një Vetting të imtëzuar, që do të spastronte ?barin e keq? nga stafet akademike, dhe do të rriste performancën e atyre që kanë marrë ?pasaportën? e pedagogut dhe akademikut, me aftësi profesionale dhe jo lidhje të tjera të cilat përfliten prej vitesh në këto institucione arsimore.

Ashtu si edhe procesi akreditimit, edhe Vertting-u, në universitetet tona publike duhet bërë nga profesorët dhe elita e institucioneve tona akademike.  Ka lindur si nevojë urgjente që nga universitetet tona publike të largohen ata që nuk plotësojnë asnjë kusht dhe kriter të meritokracisë dhe profesionalizmit, ata që në vite e vite nuk kanë kryer qoftë edhe një kërkim shkencor dhe kanë sot grada dhe tituj shkencorë, ata që në gjithë këto vite e kanë kthyer institucionin dhe rektoratin në ?strehë? për të papunët e familjes, farefisit, dhe që shpesh ekipet e kontrollit u kanë zbuluar dhe skandale të tjera financiare.

Ka ardhur koha që arsimi lartë të vihet në binarë të sigurtë, duke realizuar  me sukses Vetting-un, që pastaj fakultetet  të nxirrnin  breza të pergatitur profesionalisht dhe jo thjesht studentë me një librezë notash të blera. Kryerja e këtij procesi, do ti priste rrugën  edhe lidhjeve korruptive që kanë vite që kanë mbërthyer segmente të veçanta në universitetet tona publike, si një njollë e zezë që po nxjerr zbuluar mangësi të tjera në tërësinë e problemeve që ka sot arsimi i lartë në Shqipëri.

Lajmet e fundit nga