LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Presidenti rus nënshkroi ligjin që i konsideron mediat e huaja si agjentë

26 Nëntor 2017, 21:35, Aktualitet CNA

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi ligjin që i jep autoritet qeverisë për t’i konsideruar mediat që marrin fonde nga jashtë si “agjentë të huaj” dhe të vendosë sanksione kundër tyre.

Ligji i ri u publikua të shtunën në gazetën zyrtare ruse në internet.Ai u miratua të mërkurën nga dhoma e lartë e parlamentit rus me 154 vota, ndërsa ishte miratuar njëzëri në dhomën e ulët, Duma, më 15 nëntor.

Brenda orësh ministria e Drejtësisë u dërgoi paralajmërime disa shërbimeve të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.

Në letër nuk shpjegohen qartazi kufizimet e mundshme, por ligjvënësit thanë se media mund të jetë subjekt i deklarimit të hollësishëm financiar dhe kërkohet që materialet e publikuara të cilësohen si prodhim agjentësh të huaj.

Përveç Radios Evropa e Lirë, lista përfshin Zërin e Amerikës, CNN, dhe transmetuesin ndërkombëtar gjerman, Deutsche Welle.

Duke folur pas lajmit se Vladimir Putin nënshkroi ligjin, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent tha se “nuk mund të spekulojmë tani për tani mbi ndikimet që mund të ketë ligji i ri, meqë asnjë organizatë nuk është emëruar tamam si ‘agjent i huaj’ dhe nuk janë bërë të ditura ende kufizimet që mund t’u vihen ‘agjentëve’ të tillë.

“Mbesim të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë gazetareske për t’i ofruar audiencës sonë rusisht folëse lajme të sakta dhe objektive”, tha ai.

John Lansing, drejtor i Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë, tha në një deklaratë të shtunën se “Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës dhe rrjetet tjera të medias ndërkombëtare amerikane, do të mbeten të përkushtuara ndaj misionit tonë, të përcaktuar me ligjin amerikan, për të ofruar gazetari të saktë, objektive e gjithëpërfshirëse për audiencën tonë globale, përfshirë edhe Federatën ruse”.

“Ne do të shqyrtojmë me kujdes të gjitha komunikimet që mund të marrim nga autoritetet ruse në lidhje me operacionet tona. Derisa nuk do të spekulojmë për efektin që çdo hap i ri nga qeveria ruse do të ketë në punën tonë gazetareske, çdo karakterizim i hapave të tillë si veprim i ndërsjellë ndaj veprimeve amerikane, shtrembëron realitetin “, tha zoti Lansing.

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International, tha se ligji do të jetë një “goditje serioze” ndaj lirisë së medias në Rusi, edhe pse zyrtarët rusë kanë thënë se ai nuk do të vlejë për mediet vendase.

Zyrtarët rusë e kanë cilësuar ligjin si “përgjigje simetrike”, ndaj asaj që e ata e kanë quajtur trysni amerikane ndaj medias ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj.

Zoti Lansing, megjithatë mohoi që veprimi i Moskës të jetë “simetrik”.

“Mediat ruse, përfshirë RT dhe Sputnik, janë të lira të veprojnë në Shtetet e Bashkuara dhe transmetohen nga operatorët televizivë kabllor në Shtetet e Bashkuara si dhe radio stacionet që transmetojnë në valët FM. Megjithatë, Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë janë të ndaluara të transmetohen nga televizionet dhe radiot në Rusi”, tha ai në një deklaratë të shtunën.

Departamenti amerikan i Drejtësisë i kërkoi RT-së të regjistrohet në dritën e gjetjeve të janarit nga agjencitë amerikane të zbulimit RT dhe agjencia ruse e lajmeve Sputnik, përhapën dezinformata si pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Më 15 nëntor, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria tha në një deklaratë se “gjendja e medias ruse ne SHBA dhe medies amerikane ne Rusi, është thellësisht e pabarabartë”.

“RT dhe Sputnik veprojnë lirshëm në Shtete e Bashkuara, ndërsa Radio Evropa e Lirë ka humbur të gjitha mediet partnere në Rusi për shkak të trysnisë administrative dhe nuk ka qasje në operatorët kabllorë”, thuhet në deklaratë. “Gazetarët e Radios Evropa e Lirë janë subjekt i shqetësime madje edhe sulmeve fizike në Rusi”.

Gjatë një vizitë ne zyrën e Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës në Moskë më 17 nëntor, ambasadori amerikan Jon Huntsman, tha se ligji rus është “shqetësim i madh” për Shtetet e Bashkuara dhe se “parimet e medies së lirë në çdo shoqëri të lirë dhe në demokraci, kanë rëndësi thelbësore për fuqinë tonë dhe mirëqenien”./VOA?

Lajmet e fundit nga