LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sulmi i Ramës ndaj gazetarëve, reagon Basha: Fjalim kriminal, nxitës i dhunës

10 Nëntor 2017, 09:47, Aktualitet CNA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit Rama të mbajtur ditën e djeshme në konferencën e organizuar për Lirinë e medias, ku Kryeministri sulmoi sërish gazetarët.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se fjalimi i djeshëm i Ramës kundër gazetarëve ishte një fjalim kriminal, dhe Rama nxitës i dhunës ndaj gazetarëve.

“Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.”, – shkruan Basha.

Më tej Basha shprehet se Rama po inkurajon kriminelët me klimën që ai krijon duke sulmuar gazetarët që investigojnë krimin dhe korrupsionin.

“Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.”, – shtoi Basha.

Në përmbyllje të reagimit të tij ai bën thirrje për reagim ndaj sjelljes së Ramës, teksa kërkon nga ndërkombëtarët dënimin e gjuhës së përdorur.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit.”, – përmbyll Basha. /CityNews

Lajmet e fundit nga