Connect with Us

Projektet dhe rrugët që pritet të fillojë investimi/ Ja kur përfundojnë akset në ndërtim

Aktualitet

Projektet dhe rrugët që pritet të fillojë investimi/ Ja kur përfundojnë akset në ndërtim

Publikuar

-

Qeveria do ta rikthejë vëmendjen tek investimet në rrugë këtë mandat, duke aktivizuar tre projektet e reja vitin që vjen me Rrugën e Arbrit, autostradën Thumanë-Vorë dhe Unazën e Madhe në Tiranë në segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri. Vlera e projekteve të reja arrin 551 milionë euro dhe do të financohet nga paketa 1 miliard euro.
Teksa frontet e vjetra të punimeve kërkojnë edhe 70 miliardë lekë financime. Tre variantet për financimin e rrugëve, po shqyrtohen, por dy prej tyre rrezikojnë stabilitetin fiskal dhe krijojnë kosto për qytetarët. Plani i ri i investimeve në mes të interesave lokale dhe planit rajonal. FMN dhe ekspertët lajmërojnë rreziqet, teksa bizneset mirëpresin rikthimin e vëmendjes te rrugët

 

Blerina Hoxha

 

Pas një “braktisje” gati pesëvjeçare të investimeve në infrastrukturën rrugore, për shkak edhe të konkurrencës brenda koalicionit qeveritar gjatë mandatit të kaluar, tani qeveria ‘Rama 2’ kërkon të lërë gjurmë, duke përfunduar disa akse të rëndësishme nacionale. Rruga e Arbrit, Unaza e Madhe e Tiranës, Boshti i qendrës Thumanë-Vorë do të ndërtohen deri në fund të këtij mandati qeverisës. Edhe pse mundësitë për të financuar projektet e mëdha të rrugëve kushtëzojnë ambiciet, duket se qeveria do të fusë në përdorim dy instrumente të reja të papërdorur deri më tani nga qeveritë e mëparshme, të cilat gjithsesi krijojnë një faturë borxhi kolosale të pakontabilizuar në avancë.

Burimet zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se mundësitë për financim nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrugëve janë shumë të pakta. Për vitin 2018 do të angazhohet një shumë prej vetëm 15 miliardë lekësh nga fondet e brendshme, e cila nuk plotëson as 10% të financimeve që kërkon sektori për projektet e nisura. Por siç është paralajmëruar, burimi më i madh i financimit të projekteve do të jetë paketa 1 miliard euro, që do të funksionojë fillimisht për Rrugën e Arbrit. Qeveria ka programuar financimin e këtij segmenti me vlerë 33 miliardë lekë dhe po në këtë mënyrë do të financohen edhe disa akse, si boshti i qendrës (me akset Milot-Balldren, Thumanë-Kashar-Vorë, Kashar-Rrogozhinë) dhe asket e Jugut (Kardhiq-Delvinë, Orikum-Himarë, Korçë-Ersekë, Loti II) dhe Zgjerimi Tiranë-Durrës.
Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, tha se kompanitë më prestigjioze të rrugëve në vend kanë bërë gati projekt-propozimet për të ndërtuar me PPP akset kryesore nacionale në vend.

Do të eksperimentohet edhe ndërtimi i rrugës me taksa të drejtpërdrejta. Ato akse që kanë fizibilitet të lartë do të jepen me pagesë pas ndërtimit. Kompanitë e interesuara do të kryejnë investimin me fondet e veta dhe më pas do të rimarrin investimin nëpërmjet taksave që do të vihen rrugës.
Investimet në rrugë janë çelësi për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë. Një rrjet i mirë infrastrukturor nxit investimet në sektorë të tjerë dhe për rrjedhojë, rivitalizon të gjithë zinxhirin e ekonomisë.

Pavarësisht se në dekadën e fundit, Shqipëria ndërmori dy investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, ku spikatën Autostrada e Kombit dhe ajo Tiranë – Elbasan me një faturë mbi 1.4 miliardë euro, për shkak të terrenit të thyer gjeografik, vendi ynë ka nevoja të mëdha për investime të tjera në vijim. Aktualisht rrugët për të cilat frontet janë hapur kapin një faturë prej 102 miliardë lekësh dhe deri më tani janë financuar vetëm 32 miliardë lekë ose 30% e totalit të shumës.
Shqipëria aktualisht ka borxhin publik në nivelet më të larta në rang europian, me rreth 70% të PBB-së, dhe marrja e kredive të reja për ndërtim autostradash është e limituar. Aktivizimi i investimeve me PPP shihet me rrezik, pasi financimet shtrihen përtej një mandati politik dhe rrisin borxhin publik më tej.

Nga ana tjetër, politika e qeverisë për rrugët nuk po përputhet me planin rajonal që po financohet nga Nisma e Berlinit. Në presionin e prioriteteve kombëtare dhe atyre rajonale, qeveria ka vendosur të ndërtojë sipas interesave kombëtare duke financuar Rrugën e Arbrit dhe atë të lumit të Vlorës. Ndërkohë Autostrada e Jugut, e cila është projekti i vetëm në Shqipëri që integrohet në rrjetin rajonal dhe më gjerë e prioritizuar edhe me financime nga BE, duket se nuk zë vend të paktën në planet e këtij mandati, pasi nuk kanë përfunduar studimet e fizibilitetit. E përfshirë në një proces globalizimi të shpejtë, Shqipëria mbetet ende një vend i izoluar, pasi nuk ka autostrada të shpejta dhe eficiente që e lidhin me Europën dhe po kështu nuk ka një linjë hekurudhore me termat bashkëkohorë për transportin e mallrave. Portet tona mbeten të vogla dhe infrastruktura mbështetëse ndaj tyre për rrugë dhe hekurudha nuk i favorizon ato të jenë një port rajonal, edhe pse pozicioni gjeografik na ka dhënë një shans të madh në këtë aspekt.

 

Rruga e Arbrit dorëzohet këtë mandat, financimet jepen në tjetrin

Qeveria Rama do të dorëzojë të përfunduar me çdo kusht Rrugën e Arbrit, brenda vitit 2019. Përfundimi i saj kërkon 33 miliardë lekë, ose 242 milionë euro investim, teksa pjesa më e madhe prej gati 200 milionë eurosh do të financohet nëpërmjet një koncesioni nga kompania Gjoka Konstruksion. Por sipas listës zyrtare të investimeve publike të azhurnuar në projektbuxhetin 2018, gati 90% e financimeve të rrugës, një shumë 29 miliardë euro ose 230 milionë euro do të paguhen pas vitit 2021. Sipas planifikimit, shiritat e Rrugës së Arbrit një projekt i shumëdiskutuar për fizibilitetin e tij do të priten brenda dy vitesh, ndërsa financimi i rrugës do të kryhet nga qeveria e re që vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 2021, qoftë kjo sërish një qeveri nga Partia Socialiste apo nga Partia Demokratike.

Por nëse Qeveria do të financojë nëpërmjet kësaj forme edhe boshtin e qendrës nga Thumanë-Rrogozhinë, një investim krejt i ri me një vlerë paraprake 370 milionë euro dhe asket e tjera në Jug, i bie që në këto katër vite, të kontraktohen fondet për investime së paku deri në vitin 2032. Por ndërkohë nuk ka asnjë mundësi tjetër për të ndërtuar rrugë të reja në Shqipëri.
Kompania Gjoka është duke ndërtuar tashmë dy lote të kësaj rruge. Vetëm në vitet 2013-2015, qeveria aktuale ka investuar 40 milionë euro, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milionë euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge. Ky projekt është iniciuar në vitin 2008 dhe parashikon një gjatësi prej 72 km, krahasuar me lidhjen e vjetër ekzistuese që është rreth 130 km, rreth 50 km më e shkurtër. Ka një gjerësi të planifikuar prej 10.5 m, një pjerrësi maksimale 6,99%.

Rrok Gjoka, presidenti i Gjoka Konstruksion, kompania që ka propozuar të ndërtojë Rrugën e Arbrit nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat, tha për “Monitor” se, kjo është mënyra më e mirë për të realizuar investimet publike. Kompanitë shqiptare të ndërtimit të rrugëve janë tejet të aftësuara me mjete financiare dhe teknike për të projektuar, për të zbatuar dhe për të ndërtuar objekte të mëdha infrastrukturore në vend. Nisur nga ky potencial, Gjoka tha se i ka propozuar qeverisë që të ndërtojë Rrugën e Arbrit para se të shpallej plani “One Billion”.

Ai tha se e mori këtë sfidë më shumë për t’i krijuar një përvojë kompanisë, që do të vlejë më pas për t’u pozicionuar si kontraktor i parë edhe në investime të tjera. Skema që ka zgjedhur qeveria të financojë këto projekte është një zgjidhje e mirë për të gjithë, tha sipërmarrësi i një prej kompanive më të mëdha të investimeve në rrugë. Gjoka Konstruksion do të përfshijë një pjesë të kapitaleve të veta dhe një pjesë kredi bankare për të ndërtuar Rrugën e Arbrit. Teksa punimet do të kenë përfunduar për dy-tre vjet, qeveria do të shlyejë të gjithë investimin tonë për 15 vjet, shpjegoi ai. Kjo paketë – shtoi z. Gjoka – është nxitëse për biznesin vendas, por i jep hov rritjes ekonomike nëpërmjet ndërtimit të rrugëve të reja që kanë rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit, siç është Rruga e Arbrit.
Gjoka nuk e sheh me risk bashkëpunimin me qeverinë, pasi kontratat që do të nënshkruhen, do të zgjidhen nga arbitrazhi ndërkombëtar. Kështu çdo qeveri që vjen është e detyruar të financojë këto projekte, përndryshe do të përballet me gjykimin e arbitrazhit.

LEXO EDHE:  Firma private hap rrugët në zonat e thella malore

 

Tre projektet e reja, fatura 551 mln euro

Qeveria ka zbardhur programin e saj zyrtar për investimet dhe ka bërë të ditur se do të hapë tre fronte të reja punimesh në rrugë. Për vitin 2018 është parashikuar hapja e projekteve të reja, si ndërtimi i Rrugës së Arbrit, si pjesë e projektit “1 Billion”, ndërtimi i rrugës Thumanë – Vorë (pjesë e aksit kombëtar rrugor Durrës – Kukës – Morinë dhe boshtit të qendrës) dhe Unaza e Madhe e Tiranës (vazhdim/kompletim). (0% e vlerës së financimit për këto segmente jepet përtej 2021, sipas planifikimit buxhetor që ka marrë edhe miratimin e Parlamentit. Të tre këto projekte kushtojnë afërsisht 75 miliardë lekë ose 551 milionë euro dhe do të financohen me Partneritet Publik- Privat, pjesë e projektit “One Billion” që tashmë qeveria jetëson. Deri në vitin 2019 është programuar të përfundojë Unaza e Madhe e Tiranës.

Tashmë ka përfunduar investimi nga Sheshi Shqiponja në Sauk, këtë vit do të nisin punimet nga Sheshi Shqiponja për te Bulevardi i ri, ndërsa brenda 2019, kur janë edhe zgjedhjet lokale, pritet të përfundojë edhe pjesa e mbetur. Unaza e Re e Tiranës gjithsej ka kushtuar 12.3 miliardë lekë, nga të cilat 6.3 miliardë lekë janë financuar dhe pjesa e mbetur do të financohet gjatë dy viteve në vijim. Unaza e Madhe, e cila është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, kostot më të mëdha i ka për shpronësimet se sa për ndërtimin. Përveç tunelit të Rrugës së Arbrit, që konsiderohet si një front i ri punimesh për qeverinë, planifikohet të nisë edhe puna në segmentin rrugës Thumanë – Vorë. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ky projekt do të financohet nga paketa “One Billion”.

 

10 segmentet që përfundojnë më 2018

Nga segmentet kryesore të nisura vite më parë, 10 prej tyre pritet të përfundojnë brenda 2018-s, sipas planifikimeve fillestare të qeverisë, e cila nisur nga përvoja e kaluar nuk është se zbatohet pikë për pikë.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave do të përfundojnë punimet në dy lotet e rrugës Kukës-Morinë.
Do të përfundojë përmirësimi i shtresave rrugore dhe i sinjalistikës në segmentin rrugor Fushë-Krujë – Thumanë.
Përfundon ndërtimi i rrugës By pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë Loti 10.

Përfundon riveshja e rrugës Elbasan-Banjë në lotin e parë, të dytë dhe të tretë. Përfundon riveshja me asfalt në rrugën Këlcyrë-Përmet Loti 3 (shtesë punimesh). Përfundon rikonstruksioni i segmentit rrugor Kodër-Kamëz-Tapizë.
Gjithashtu përfundon edhe rikonstruksioni i segmentit rrugor Kodër-Kamëz-Tapizë (shtesë punimesh).

Me buxhetin e vitit 2018, nga financimi i huaj financohen projekti i ri i mirëmbajtjes së Bankës Botërore për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore. Nga fondet e huaja do të përfundojë bypass-i i Fierit dhe bypass i Vlorës, Segmenti Tiranë – Elbasan dhe segmenti Qukës-Qafë-Plloçë.
Për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore, në projektbuxhetin e vitit 2018 janë parashikuar 202,5 milionë lekë investime në sigurinë rrugore, janë mbështetur me financim të gjithë objektet që janë në vazhdim nga viti 2017 dhe është parashikuar financimi total i tyre.
Ministria e Financave sqaroi se ndarja e fondeve buxhetore për rrugët edhe gjatë vitit që vjen u bë duke marrë në konsideratë vazhdimin e financimit të akseve prioritare, sinjalistikës, projektet që kërkojnë pak fonde për t’u përfunduar dhe mbulimi me fonde buxhetore i zërit të shpronësimeve, për të bërë të mundur vazhdimin e objekteve të ndërtimit.

Propozimet për akse të reja rrugore janë në proces analize duke i vendosur në radhë sipas nivelit të përgatitjes së dokumentacionit dhe projektimit, rëndësisë strategjike dhe aksesit të përdoruesve, rritjes së vlerës ekonomike kombëtare, burimit të financimit, si dhe kohëzgjatjes së procesit të ndërtimit. Fonde buxhetore për vitin 2018 për sektorin e transportit, të parashikuara për t’u çelur për vitin 2018, janë në shumën prej 23,3 mld lekë, prej të cilave 10 miliardë lekë financim i brendshëm, 11.5 miliardë lekë financim i huaj, 1.7 miliardë lekë mirëmbajtje.

Ministria e Financave pohon se edhe më 2018 do të jetë në fokus rritja e sigurisë së qarkullimit rrugor, duke synuar arritjen e standardeve europiane dhe uljen e aksidenteve rrugore. Prioritete janë edhe vënia në eficiencë e rrugëve që lidhen me zonat turistike të vendit si: Rrugët lidhëse me bregdetin Jugperëndimor (Llogora-Sarandë), Qafë Thanë-Lin-Pogradec, Lumi i Vlorës – Qeparo etj., dhe ndërtimi i rrugëve që lidhen me zonat kufitare si: vazhdimi i punimeve për ndërtimin e rrugës Librazhd – Q. Stude – Ura e Çerenecit, Ersekë-Leskovik etj.

 

Rrugët rurale, 100 mln euro investime më 2018

Qeveria do të injektojë në rrugët rurale të vendit një shumë prej 13 miliardë lekësh, ose rreth 100 milionë euro këtë vit nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. FSHZH që tashmë është shndërruar në levën kryesore të menaxhimit të investimeve publike në rrugë, ka në plan të investojë më 2018 rreth 100 milionë euro në 28 projekte.
Punimet do të përfshijnë akset në fshatin Bulo, sistemim asfaltim i Rrugës Tepelenë-Benc-Lekdush, rikonstruksionin e rrugës Cërrik-Belsh-Kuçovë-Ura Vajgurore, ndërtimin e rrugës Unaza Peshkopi, sistemim asfaltim i rrugës Kastriot – Arras, ndërtimin e unazës së qytetit Bashkia Vau Dejës, rikonstruksionin e rrugës Fushë-Krujë-Thumanë, rikonstruksionin e rrugës “Taulantët”, pedonales, sistemim-asfaltim rruga Qafë Plloçë-Pogradec dhe Unaza Pogradec, asfaltimin e rrugës Unaza Korçë-Voskopojë-Polenë-Korçë etj.

Pak ditë më parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi garën për projektet teknike të rrugëve rurale që i paraprijnë në fakt një investimi 100 milionë euro, që është kredi e siguruar nga Banka Botërore. Qeveria shqiptare në këtë mandat do t’i kushtojë vëmendje përmirësimit të infrastrukturës në zonat rurale të cilat aksesohen shumë nga turistët, të tilla si Thethi dhe disa fshatra në Jug. Projektet parashikojnë që përveç rrugëve të transformohen qendra e disa fshatrave me vlera turistike dhe historike.

 

Fondet për investimet rriten me 16% më 2018

Fondi i investimeve publike në projektbuxhetin e vitit 2018 është rritur me 16%. Qeveria ka programuar të shpenzojë për investimet 86 miliardë lekë ose 5.2% e PBB-së. Nga kjo shumë janë planifikuar 54.9 miliardë lekë financim i brendshëm dhe 30.5 miliardë lekë.

Ministria e Financave thotë se në planifikimin e investimeve për vitin 2018 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2017, dhe në vitin 2018 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Për planifikimin e investimeve janë ndjekur prioritetet e Programit të Qeverisë për periudhën 2017 – 2021. Ministria e Financave shprehet se fondi i investimeve publike për 2018 merr në konsideratë, prioritetet e integrimit europian; projektet në vazhdim dhe mbështetjeve të kostove lokale dhe TVSH për projektet me financim të huaj.

 

Paketa “One Billion”, 8 akset rrugore që do të financohen

Përveç Rrugës së Arbrit janë të paktën edhe 7 segmente rrugore që do të ndërtohen nëpërmjet paketës së financimit “One Billion”, pohoi Ministria e Infrastrukturës.

Në kuadër të projektit “1 miliard euro”, i cili do të përfshijë investime në infrastrukturë, do të vijohet gjatë vitit me prezantimin e projekteve të realizueshme për rrugët duke u bazuar te Ligji “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik – Privat”, i ndryshuar, në harmonizim me ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, sipas planit të qeverisë. Projektet me financim PP do të përzgjidhen, duke marrë në konsideratë nevojën për zhvillimin cilësor të sistemit kombëtar rrugor, rëndësisë strategjike, kontekstin rrugor kombëtar dhe rajonal, koston financiare dhe normës së rimarrjes së investimit, fluksin e përdorimit, ndikimin në mjedis, kohëzgjatjes si dhe rëndësisë gjeopolitike.

Ministria e Infrastrukturës bëri me dije se projekte të mundshme për zhvillim për 4 vitet e ardhshme nëpërmjet financimit PPP janë akset Milot-Balldren, Thumanë-Kashar-Vorë, Kashar-Rrogozhinë, Kardhiq-Delvinë, Orikum-Himarë, Korçë-Ersekë, Lot II Zgjerim Tiranë-Durrës. Vlera paraprake e këtyre projekteve, pasi jo të gjitha e kanë studimet, i kalon të 1 miliard eurot. Sipas kësaj platforme, cilado qeveri qoftë deri në vitin 2032 do t’i duhet të paguajë së paku 100 milionë euro në vit për llogari të koncesioneve të infrastrukturës rrugore.

Ekspertët po i shohin me shqetësim këto zhvillime, pasi përveçse qeveria po bën politika fiskale përtej mandatit të saj, po faturon një borxh jashtë llogarive të buxhetit.
Shuma e koncesioneve PBB që do të financohen në avancë bashkë me ato të shëndetësisë është më shumë se 1.5 miliardë ose sa 15% e Prodhimit Bruto./Monitor

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Protestat e dhunshme në Bejrut, reagon SHBA

Publikuar

-

Nga

Protestat e dhunshme në Bejrut, reagon SHBA

Në kryeqytetin e Libanit, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që u përpoqën të kalojnë një barrierë për të arritur në ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që numri i të vdekurve nga shpërthimi së martës në portin e Bejrutit arriti në 158.

Rreth 10,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria po e trajton shpërthimin shkatërrimtar. Gjatë protestës u dëgjuan të shtëna.

Një polic u vra në përleshje me demonstruesit, njoftoi një zëdhënës i policisë.

Kryqi i Kuq tha se kishte trajtuar 117 persona të lënduar në vendin e ngjarjes, ndërsa 55 të tjerë u dërguan në spital. Në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të qytetit shpërtheu një zjarr.

Një demostrues shkel mbi portretin e presidentit Michel Aoun

Dhjetra protestues u futën në ministrinë e jashtme, ku dogjën një portret të Presidentit Michel Aoun, të cilin shumë libanezë e shohin si përfaqësues të një klase politike që qeveris Libanin prej dekadash dhe që ata thonë se është fajtor për krizat e thella politike dhe ekonomike.

“Ne do të qëndrojmë këtu. I bëjmë thirrje popullit libanez që të pushtojë të gjitha ministritë”, tha një demonstrues përmes megafonit.

Njerëzit u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Bejrutit, disa prej tyre duke hedhur gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, kur disa protestues u përpoqën të kalojnë barrierën në një rrugë që të çonte drejt parlamentit.

Protestuesit thërrisnin “Populli kërkon rënien e regjimit,” dhe mbanin pankarta me fjalët “Ikni, jeni të gjithë vrasës”.

“Duam një të ardhme me dinjitet, nuk duam që gjaku i viktimave të shpërthimit të shkojë kot”, tha protestuesja Rose Sirour.​

REAGON AMBASADA E SHBA



Shtetet e Bashkuara thanë se mbështesin të drejtën e demonstruesve libanezë për protesta paqësore dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga dhuna.

LEXO EDHE:  “Ethet” e investimeve mund ta sëmurin ekonominë më shumë sesa pandemia

LEXO EDHE:  Firma private hap rrugët në zonat e thella malore

Në një deklaratë, ambasada e SHBA në Bejrut tha se populli libanez ka vuajtur shumë dhe meriton udhëheqës që “ndryshojnë kurs, për t’iu përgjigjur kërkesave popullore për transparencë dhe përgjegjshmëri”.

Pamje e pjesshme nga porti i shkatërruar i Bejrutit

Shpërthimi i së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, solli shkatërrime të mëdha në qytet. Qeveria ka premtuar se do të gjejë shkaktarët dhe do t’i verë përpara përgjegjësisë.

Disa banorë, që përpiqeshin të vinin rregull në apartamentet e dëmtuara rëndë nga shpërthimi, denoncuan qeverinë, të cilën e shohin si të korruptuar, duke thënë se ajo përsëri i la në baltë.

“Nuk kemi besim te qeveria jonë,” tha studentja Celine Dibo teksa pastronte gjak nga muret e apartamentit të saj. “Uroj që Kombet e Bashkuara ta marrin nën administrim Libanin.”

Disa njerëz thanë se nuk ishin aspak të befasuar që Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi këtë javë lagjet e tyre, ndërsa udhëheqësit libanezë nuk e bënë këtë.

“Ne po jetojmë në nivelin zero. Shpresoj se një vend tjetër do të donte të na merrte nën administrim. Udhëheqësit tanë janë një bandë njerëzish të korruptuar,” tha psikologia Maryse Hayek, shtëpia e prindërve të së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi.

Partia Kataeb e Libanit, një grup i krishterë që kundërshton qeverinë e mbështetur nga Hezbollahu i lidhur me Iranin, njoftoi të shtunën dorëheqjen e tre ligjvënësve të saj nga parlamenti.

“I ftoj të gjithë ligjvënësit të japin dorëheqjen në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin se kush do t’i qeverisë, pa iasnjë imponim,” tha kreu i partisë Samy Gemayel, duke e njoftuar vendimin gjatë funeralit të një anëtari drejtues të partisë, i cili vdiq në shpërthim. /VOA

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Covid-19/ Mes të infektuarve në Elbasan, edhe drejtoresha e Zyrës Arsimore

Publikuar

-

Nga

Covid-19/ Mes të infektuarve në Elbasan, edhe drejtoresha e Zyrës Arsimore

Mbyllet drejtoria Arsimore në Elbasan.

Drejtoresha ka rezultuar pozitiv me Covid-19, dhe me protokollet në fuqi, i gjithë stafi tashmë është në izolim.



Ky qytet ka pasur 19 raste të reja sot, dhe përpos drejtoreshës së arsimit, mes të infektuarve është edhe një ekonomist i njohur që ka një studio në qendër të qytetit.

LEXO EDHE:  Rudina Hajdari ngre tonet në parlament/ Duhet të jeni më seriozë, aleatët tanë po ngrenë shqetësime

LEXO EDHE:  "Ethet” e investimeve mund ta sëmurin ekonominë më shumë sesa pandemia

Në qarkun e Elbasanit me 164 raste gjithsej, janë aktualisht aktivë 64 raste. Prej tyre 2 janë të shtrirë në spital. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Përhapin virusin!/ Australia nxjerr nga qarkullimi 286 lloje maskash

Publikuar

-

Nga

Përhapin virusin!/ Australia nxjerr nga qarkullimi 286 lloje maskash

Qindra lloje të ndryshme të maskave të fytyrës janë hequr nga dyqanet në Australi pasi autoritetet ngritën shqetësimin se disa prej tyre nuk mund të parandalojnë infeksionin.

Maskat kirurgjikale ose ekzaminimi, të destinuara për të zvogëluar ose parandaluar transmetimin e sëmundjes, konsiderohen pajisje mjekësore, kontrollohen nga Administrata e Mallrave Terapeutike dhe duhet të përfshihen në regjistrin e mallrave terapeutikë përpara se të dalin në shitje.



LEXO EDHE:  Lezha nën pushtetin e ujit/ Shiu përmbyt rrugë e banesa

Që nga e enjtja, 286 lloje të maskave, mes të cilave edhe ato kirurgjikale ishin hequr nga regjistri, si pjesë e një shqyrtimi pas tregut të shkaktuar nga shqetësimet se shumë maska ​​nuk plotësojnë standardet rregullatore dhe nëse përdoren në mjediset mjekësore, mund të nxisin përhapjen e sëmundjes. /CNA.al

LEXO TE PLOTE