LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çështja Tahiri / Pse Basha nuk e trajton politikisht

1 Nëntor 2017, 18:03, Aktualitet CNA

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me lëvizjet dhe aksionin e tij politik, po bëhet një instrument mbështetës, për mbylljen pa asnjë pasojë të çështjes së shumëpërfolur në opinionin publik, “Tahiri”.

Kryetari i PD-së, në vend të një lëvizjeje të fortë dhe aksioni të mirëmenduar opozitar, po lëviz i çoroditur në Parlament, hyr e dil në komisione, bën rolin e prokurorit dhe të gjykatësit dhe në fund, rezultati pas dy javësh është një vrimë në ujë.

Lulzim Basha nuk po e trajton politikisht, nuk po mbledh të gjithë faktorët dhe nuk po ecën në rrugën që do ta çonte qeverinë drejt një dorëhqje të padiskutueshme. Kryeministri i ndodhur përballë një skandali, duke qenë në paranojën e diturisë, se çfarë dokumentesh dhe përgjimesh mund të ketë, ditë pas dite bën zhurmë dhe krijon tymnaja të reja që t’i largohet artikulimit politik dhe trajtimit të fortë të çështjes Tahiri.

Luli e humbi të gjithë besueshmërinë, që me dy puthjet e para me Koço Kokëdhimën apo Monika Kryemadhin. A mund të trajtohet politikisht çështja Tahiri, me njeriun që ishte “udhëheqësi shpirtëror” i kanabizimit të vendit, Koço Kokëdhima?

Aleati tjetër i Lulit është LSI. Katër vite në pushtet me PS-në, po aq përgjegjëse për kanabizimin e vendit sa edhe vetë socialistët. Filloi të fliste për kanabisin atëherë kur tymi i tij kishte mbuluar kodrat dhe malet e Shqipërisë, askush nuk mund të thotë se LSI-ja ishte jashtë pazarit të drogës.

Basha zgjodhi aleatët e Ramës, simbolet e hashashit, për t’i përdorur si aleatë kundër Tahirit, e në vend që të zhvillonte një kauzë të fortë politike, të thërriste qytetarët në protestë, braktisi trajtimin politik dhe mori në dorë çekiçin e gjykatësit dhe rolin e prokurorit. Të dyja donte t’i bënte vetë, duke buzëqeshur dhe shpresuar se fati e ndihmoi, në momentet kur ishte në kuotat më të dobëta politike, ai kujtoi se zogu i erdhi në dorë.

Në fakt Luli zogun e kishte në dorë, por atë duhet ta kapësh, duhet ta mbash se ndryshe ai të ikën nga dora, ose siç ndodhi me Lulzim Bashën, që ta lëshosh vetë, dhe nga një kauzë e fortë politike, çështja Tahiri të kthehet në një flluskë sapuni. Kjo sepse Luli nuk do rrëzimin e qeverisë dhe largimin e Edi Ramës, pasi ai ka një strategji të tijën. Ai kërkon të zbatohet marrëveshja e 18 majit dhe asaj i qëndron, vetëm nuk ka ministra në qeveri. Prandaj çështje të forta politike si kjo e Tahirit, apo skandale të tjera që mund të vijnë në ditët në vijim nuk e çojnë Bashën në Aksion të fortë politik. Ai bën sikur, dhe gjithmonë është i gatshëm të vrapojë drejt Edi Ramës, jo më kot Basha thotë, duam një qeveri antimafia, por nuk shmang Edi Ramën nga Kryeministër. Dhe një qeveri me Ramën kryeministër dhe ca ministra të Lulit, shqiptarët e panë, këtë kërkon Basha, të jetë në qeveri që të mbajë partinë, baza e të cilës e ka braktisur dhe e konsideron Lulin si fatkeqësinë e saj politike. Këtë e forcon vetë Basha me trajtimin skandaloz dhe lëvizjet e tij për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri. /CityNews

Lajmet e fundit nga