LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dy fitoret e Lulzim Bashës nga çështja Tahiri

24 Tetor 2017, 16:37, Aktualitet CNA

Prej gati një jave skenën politike dhe mediatike shqiptare e ka pushtuar debati dhe publikimi i përgjimit të dosjes Habilaj, ku përfshihet ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

PD-ja dhe opozita në tërësi ka mbajtur qëndrime mjaft të ashpra. Lulzim Basha fillimisht kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit dhe më pas dorëheqjen e Edi Ramës, por tani palët kanë filluar një betejë politike e cila startoi në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit dhe pritet të vazhdojë nesër dhe në ditët në vijim.

Nga e gjithë kjo përplasje dhe betejë politike shqiptarët kanë parë dosjen e përgjimeve, akuzat politike, qëndrimin e prokurorëve, por edhe dokumentin e publikuar sot nga vetë Tahiri, i cili pretendon se prokuroria e Italisë nuk e ka hetuar kurrë. Më tej kemi edhe disa fitore, nga të cilat dy janë më kryesoret, fitoret personale të Lulzim Bashës.

Sapo plasi skandali Tahiri, Lulzim Basha, në vend që të mblidhte Kryesinë e PD-së dhe të startonte një aksion të fortë politik, nxitoi të shpallte Frontin Opozitar me Monika Kryemadhin, kryetaren e sotme të LSI-së, bashkëshorte e Presidentit Ilir Meta. Ky i fundit i filmuar dhe i kapur me zë e figurë duke bërë pazare të pista politike, duke folur për 700 mijë euro apo 7%-sha.

Kryemadhi është njeriu që na tha në zgjedhjet e kaluara na tha se ishte kërcënuar me automatik nga Aldo Bumçi.

Kryetarja e LSI-së, forcës që 4 vite në pushtet me Partinë Demokratike, e cila vetëm vodhi dhe grabiti sa mundi, duke çuar edhe në vrasjen e 4 personave të pafajshëm më 21 janar, pikërisht për bllokun e Ilir Metës.

Më tej kemi qeverisjen me Edi Ramën, 4 vite luftë me Partinë Demokratike në institucionet ku drejtonte LSI-ja, demokratët duhet të ktheheshin me partinë e Ilirit, ose hiqeshin menjëherë nga puna.

Ilir Metës i plasi skandali CEZ-DIA, ku i kërkonte një biznesmeni 200 mijë euro. Ministrat e tij u përfshinë në skandale, në kohën e Berishës dhe Ramës, dhe gjithçka vinte nga lidhjet e tyre me Metën dhe aferat brenda LSI-së.

Pra një fitore e madhe e Lulzim Bashës, është afrimi me Monika Kryemadhin dhe LSI-në, forcën politike simbol të korrupsionit në Shqipëri.

Fitorja e dytë është afrimi në koalicionin opozitar në krah të Lulzim Bashës, të Koço Kokëdhimës, njeriu që është nxitësi më i madh publik për kultivimin e kanabisit në Shqipëri.

Lulzim Basha nuk ka qenë deputet 4 vitet e shkuara, por ka qenë kryetar i PD-së. Ai duhet ta dijë mirë se qeveria Rama 1, simbol të korrupsionit, kleptokracisë, kanabisit, kishte një emër, betejën për të e kishte me Koço Kokëdhimën. Sot ulja e tij në krah të Bashës është fitorja e dytë e kryetarit të PD-së.

Basha ka dy fitore të shpejta me publikimin e dosjes “Habilaj” dhe akuzave ndaj Saimir Tahirit. Fitorja e parë është Monika Kryemadhi, fitorja e dytë është Koço Kokëdhima. Këto janë fitoret që arriti dhe meriton Lulzim Basha, por fitoret që meritojnë shqiptarët dhe demokratët është rrëzimi i qeverisë dhe vendosja e saj në bankën e të akuzuarve për kanabizimin e vendit, korrupsionin, bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe lidhjet e politikës me bandat.

Këto për Lulin nuk kanë rëndësi, mjafton Monika dhe Koçoja. Ky është Luli, këto janë fitoret e tij. /CityNews

Lajmet e fundit nga