Aktualitet
Qeveria Rama 2 fillon spastrimet/ Largohen mbështetësit e LSI
Bashkimi i ministrive parashikuar nga qeveria Rama 2, po jep rezultatet e saj të para. Ashtu siç ishte thënë nga vetë kryeministri, se do kishte një prishje të tepsisë së pushtetit dhe një qeverisje ku timoni do ishte vetëm i Partisë Socilaiste, tashmë po ndodh.
Ndryshimet e shumta të stafeve kanë prekur drejtpërdrejtë funksionarët e LSI, të cilët në katërvjeçarin e parë, ishin vendosur me konsensus të të dyja palëve në pozicionet drejtuese dhe mjaft të rëndësishme institucionale. Por ajo që mund të thuhet është se PS-së i ka rënë “sharra në goxhdë”, pasi shumë prej militantëve që janë prekur nga kjo reformë, nuk kanë pranuar të dorëhiqen. Në këtë mënyrë qeveria është e detyruar që një pjesë të tyre ta transferojë në dikastere të tjera ose ti shkarkojnë me disa lojra ligjore.
Për të arsyetuar veprimet e qeverisë së tij, kryeministri Rama, ka deklaruar: “Vetëm Gjeorgjia në gjithë Europën e ka më të vogël numrin e punonjësve që paguan se ne. Bëmë goxha shkurtime në 2013 dhe do vazhdojmë ende.”
Kjo qeveri tashmë ka deklaruar stafin e saj të përbërë nga 15 ministri që do udhëheqin 4 vitet në vijim. Por Rama më shumë se shkurtime në administratë ka gjetur argumentin për të larguar mbështetësit e LSI apo ata të PD që ende janë pjesë e administratës.
Bashkimi i disa ministrive, “reforma” e disa agjencive dhe institucioneve të tjera më shumë sesa shkurtim personeli është një ristrukturim duke përdorur hapësira ligjore për të spastruar administratën nga mbështetësit e LSI dhe të PD, në rast se kanë mbetur të tilllë. /CityNews