LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Bledi KASMI/ Një harresë nga deklarata amerikane

2 Tetor 2017, 21:16, Aktualitet CNA

Ka një detaj në dy fjalimet e ambasadorit amerikan të këtyre 48 orëve, që ka kaluar në heshtje të plotë. Ndoshta nga moskuptimi siç duhet i mesazhit të tij politik ose nga trullosja e opinionit me përmendjen e emrave të krimit që bëjnë sot ligjin në vend. Kjo e fundit nuk është një risi në qëndrimet e mbajtura nga ambasadori amerikan.

Edhe herë të tjera ai i ka përmendur me emra kriminelët në daljet e tij publike. Ka përmendur Shullazin dhe sot është në burg. Ka përmendur Balilin dhe ai u shpall në kërkim (sepse qeveria e fshihte deri në atë moment). Ka përmendur Elvis Roshin dhe ai u shkarkua si kryebashkiak. Ka përmendur vëllezërit Frroku dhe sot të dy ata janë në burg. Të gjitha këto edhe falë presionit dhe këmbënguljes të opozitës pa pasur në krah mediat që i bëjnë fresk pushtetit.

Risia e dy deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan është krejt ndryshe nga zhurma e djeshme mediatike dhe është pika që e bën më të fortë se kurrë më parë mesazhin politik të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë këtyre dy ditëve SHBA përmes ambasadorit të saj nuk i është drejtuar kriminelëve për t?i futur atyre frikën, nuk i është drejtuar as qeverisë, por si asnjëherë më parë i është drejtuar popullit shqiptar.

Nga e shtuna në të hënë janë tre thirrje që Shtetet e Bashkuara po adresojnë direkt tek shqiptarët. Deklarata e parë ishte një thirrje e hapur për rininë ku paralajmërohej se ?qeveria mund të rrëzohej nëse kërkesat e tyre të ligjshme nuk përmbusheshin prej saj?.

Në deklaratën e dytë, ambasadori kërkonte një zgjim qytetar kundër qeverisë; ?Eshtë e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj. Dhe kur qeveria ju tregon se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre jashtë vendit?, tha Lu.

Pa kaluar jehona e deklaratës së ditës së shtunë erdhi apeli tjetër drejtuar shqiptarëve dje. Pasi parashtroi realitetin e njehsuar të shtetit me krimin e organizuar, ambasadori amerikan kërkoi që ?populli shqiptar duhet të kërkojë veprim?.

Kur Shtetet e Bashkuara i drejtohen popullit, atëherë mund të konsiderohet i ezauruar kapitulli i pushtetit si mjet për të arritur qëllimet. Kjo ndodh në kushtet e një mungese të thellë besimi ndaj qeverisë dhe kur krisja është aq e fortë sa detyron diplomacinë të kërkojë ndryshimin, duke u nisur nga lëvizjet popullore si mjet presioni.

Rastet kur Shtetet e Bashkuara u drejtohen qytetarëve dhe jo qeverive bëhen rrallë. Kështu ka ndodhur në përmbysjen e madhe të diktaturës, kur SHBA i drejtohej shqiptarëve dhe jo diktaturës, tek e cila shihte armiken e aspiratave për liri. Kështu po ndodh edhe sot, kur vendi është në darën e fortë të diktaturës së krimit.

Ka pasur edhe një rast tjetër kur ambasadori amerikan i është drejtuar shqiptarëve dhe kjo ka qenë në prag të zgjedhjeve lokale. Ai bëri thirrje publike që të mos votohen kriminelët dhe megjithatë Rama i zgjodhi ata me pahir në krye të bashkive.

Ndryshe nga atëherë, thirrja e tanishme e ambasadorit amerikan drejtuar shqiptarëve nuk bëhet në prag të zgjedhjeve, por kur zgjedhjet janë mbyllur. Duke mos qenë në prag të zgjedhjeve, atëherë nuk bëhet fjalë për adresim votash. Thirrjet e fundit të Shteteve të Bashkuara po paralajmërojnë se ndryshimi që nuk lind nga vullneti politik, lind nga vullneti popullor.

Lajmet e fundit nga