Connect with Us

Basha: Krimi ka marrë peng Shqipërinë. Largo Ruçin, Xhafajn dhe Sejdinin

Aktualitet

Basha: Krimi ka marrë peng Shqipërinë. Largo Ruçin, Xhafajn dhe Sejdinin

Publikuar

-

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë me një akuzë ndaj dhëndrrit të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

“Dhëndrri i një kryebashkiaku ushtron dhunë ndaj policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Prokuroria nis hetimet dhe me pas policia mohon ngjarjen. Çështja është ku e gjen kurajën një grup banditësh të sulmojë policët “- tha Basha.

Sipas Bashës, banditi është dhëndrri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

Basha u shpreh gjithashtu se grupet kriminale kanë arritur një profil të lartë dhe krimi është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Sipas kryetarit të opozitës, në katër vite krimi është kthyer në problemin kryesor të shqiptarëve dhe kërcënim serioz për vendet e Europës perendimore.

Lulzim Basha tha se opozita është e vendosur të luftojë krimin, dhe i ka bërë thirrje Edi Ramës që të largojë Qazim Sejdinin, Fatmir Xhafajn dhe Gramoz Ruçin.

Fjala e plotë e Bashës:

Dua t’a nis këtë fjalë me një histori të ditës:

Dhëndri i një kryebashkiaku bashkë me disa banditë ushtron dhunë mbi policinë dhe rrezikon jetën e disa policëve. Prokuroria nis hetimet dhe urdhëron policinë të përgjojë anëtarët e bandës. Policia refuzon të zbatojë urdhërin e prokurorisë. Pas disa ditësh, policia e mohon fare se është ushtruar dhunë dhe rrezikuar jeta e policëve. Gjithçka mbyllet si incident i rëndomtë pa asnjë rrezik e pa asnjë pasojë, normalitet.

Qyteti i kësaj historie, është Elbasani. Banditi i kësaj historie është dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit. Ndërkohë që kompania e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit është duke u hetuar për trafik droge.

Po e përmbledh dhe një herë me pak fjalë. Një bandë kriminelësh ushtron dhunë të hapur ndaj policisë. Policia refuzon t’i hetojë e t’i përgjojë. Pastaj policia mohon fare të ketë ndodhur dhunë.

Pyetja që ngre është: Ku e gjen kurajon një grup banditësh të sulmojë policinë? Çfarë i bën policët që megjithëse u është rrezikuar jeta nuk guxojnë të hetojnë banditin por ulin kokën dhe heshtin?

Përgjigjen e kësaj pyetje e dini të gjithë.

Dy mijë kilometra larg Elbasanit, në Londër, para disa ditësh Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar botoi Raportin 2016 të Vlerësimit Strategjik të Rrezikut të Krimit në Britani. Një nga konkluzionet kryesore të raportit është:

Grupet kriminale shqiptare kanë arritur një profil me ndikim të lartë brenda krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë kontroll të konsiderueshëm mbi të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Rreziku me të cilin përballemi nga grupet shqiptare të krimit është rritur ndjeshëm.

Këto janë dy histori të shkëputura nga dhjetëra e qindra të tilla këto ditë.

Pyetja ime është: Si shpjegohet që brenda katër vjetësh, katër vite jo më shumë, krimi u kthye në problemin kryesor të Shqipërisë dhe një kërcënim serioz për shumë vende të Europës perëndimore, nga Spanja në Hollandë, nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar, në Itali, Greqi, e kudo tjetër?

Si shpjegohet që brenda katër viteve, 4 vite jo më shumë Shqipëria u kthye nga vendi i sigurtë, qytetarët e të cilit fituan të drejtën të udhëtonin lirshëm pa viza, e shumë europianë gjenin mundësi dhe siguri për të investuar këtu, në vendin që prodhon rrezik për ta?

Sot ne po diskutojmë marrëveshjen e ekstradimit me Mbretërinë e Bashkuar. Eshtë një kërkesë shumë domethënëse e qeverisë britanike e cila e konsideron atë një hap të rëndësishëm për të sjellë para drejtësisë kriminelët me shtetësi shqiptare.

Por dua të paralajmëroj sot këtu: kjo marrëveshje do mbetet një copë letër, për aq kohë sa Edi Rama do jetë kryeministër.

Sepse Edi Rama nuk ka asnjë problem me krimin dhe kriminelët. Prandaj i futi në politikë. Edi Rama nuk ka asnjë problem me drogën, ndaj e ktheu Shqipërinë në parajsë të drogës.

Në katër vjet, vetëm në 4 vjet jo më shumë, ekonomia e Shqipërisë u kthye në një ekonomi të drogës. Asnjë investim i ri i huaj, asnjë investim prodhues, asnjë vend i ri pune. Prodhimi kryesor i Shqipërisë u bë droga. Eksporti kryesor i Shqipërisë u bë droga dhe krimi. Funksioni kryesor i sistemit financiar u bë pastrimi dhe riciklimi i parave të pista të drogës.

Kështu, Shqipëria kapi në katër vjet të gjitha rekordet e zeza të krimit: Interpoli e shpalli prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Europë. Interpoli dhe Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktuan si korridor kryesor të heroinës për në Europë.

Departamenti i Shtetit e futi zyrtarisht në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Po Departamenti i Shtetit e cilësoi Shqipërinë bazë operacionale të krimit të organizuar në të gjithë Ballkanin.

Ndërsa libri më i rëndësishëm i referencave në botë: Libri i Fakteve i angjensisë qëndrore të inteligjencës, CIA-s, e quan Shqipërinë zyrtarisht vend të drogës.

Tani që e gjithë Shqipëria dhe Europa janë alarmuar dhe po reagojnë ndaj përhapjes së krimit, kryeministri, po përpiqet të ndezë ndjesi dhe ndjeshmëri anti-europiane mes shqiptarëve duke u thënë atyre se europianët janë racistë dhe nuk i duan shqiptarët.

Streha e fundit e maskarallëkut është pseudo-patriotizmi, dhe kjo është streha e re ku është vendosur Edi Rama dhe nga ku sulmon këdo që e akuzon për favoret që ai i bën krimit.

Ka dy arsye pse krimi shqiptar ka lulëzuar në Shqipëri dhe kudo në Europë këto katër vite.

Arsyeja e parë është lejimi i qëllimshëm i kultivimit të drogës në Shqipëri.

Inkurajimi i drogës krijoi një burim të ri, të lehtë dhe të sigurt, të të ardhurave marramendëse për krimin. Lehtësia e kultivimit të drogës dhe trafikimit të drogës nga Shqipëria radar-fikur, bëri që trafiku i drogës të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz, shqiptarë por edhe të huaj, në Shqipëri, në rajon dhe në Europë.

LEXO EDHE:  Foto-Sloganët e protestuesve/ Ramës i “presin biletën”  

Arsyeja e dytë, është kthimi i Shqipërisë në një strehë të sigurtë për kriminelët shqiptarë të kërkuar në Europë. Shqipëria, u bë vendi ku kriminelët vijnë, ku ndiqen, investigohen apo kur rrezikohen nga policitë e vendeve të tjera.

Kriminelët e dinë se mund të trafikojnë drogë, të kryejnë lloj-lloj krimesh, madje edhe të vrasin në Hollandë, Gjermani, Greqi apo në Britani, në Amerikë, por gjithmonë e ke një rrugëdalje: kthehu në Shqipëri dhe të jetosh i qetë.

Po qe nevoja mund të ndërrosh kollaj identitetin dhe të rilindësh. Mund të rilindësh si biznesmen, mund të rilindësh si deputet, mund të rilindësh si kryebashkiak.

Mund të të kërkojë policia e gjithë botës, Europo dhe Interpol bashkë, por në Shqipëri t’i mund të shijosh hapur në publik, mund të shijosh jetë luksi, vila luksi, makina të shtrenjta, restorante luksi dhe të gjitha qejfet e mundshme të kësaj dynjaje. Madje mund t’i ndash këto qejfe dhe ndonjë vizë të bardhë edhe me politikanë, që janë shoqëria dhe klientela më besnike e krimit.

Mjaftojnë këto dy arsye që krimi të lulëzojë, të dalë e të teprojë. Por Edi Rama e përfshiu me vetëdije krimin në politikë dhe në qeverisje.

Në Shqipërinë e Edi Ramës kryetar Kuvendi është dikush që partnerët strategjikë e cilësojnë të zezë mbi të bardhë, si lidhje të bandave dhe trafikut të drogës. Ministër i Brendshëm është dikush tjetër, vëllai i të cilit kërkohet nga interpoli si trafikant ndërkombëtar droge. Në Shqipërinë e Edi Ramës ministrat inaugurojnë hotelet e trafikantëve ndërkombëtarë të ndërtuara me paratë e drogës.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, përdhunuesit janë kryetarë bashkie. Në Shqipërinë e Edi Ramës, Ministri i Brendshëm koordinon direkt trafikantët, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë përgjon paligjshmërisht kundërshtarët politikë të kryeministrit dhe diplomatët e huaj dhe sipas informacionit, gjyhnaqarin që mbante kufjet e ke nisur sot me urgjencë për në Amerikë para se t’i vinin prangat.

Në Shqipërinë e Edi Ramës ata që kërkon interpoli i mbron policia edhe kur shpallen nga mediat botërore si eskobarë.

Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për ekspozita pikturash dhe udhëtime qejfi, por jo për makina policie dhe paisje për ta.

Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për propagandë dhe jo për laboratorë të kriminalistikës të cilat zënë flakë dhe marrin zjarr sa herë hetimet u afrohen politikanëve të bërë njësh me krimin.

Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për sharës me pagesë dhe lobistë dhe jo për punonjësit e sistemit të drejtësisë dhe organeve të Vettingut.

Kjo lloj Shqipërie nuk ka asnjë mundësi të integrohet në Europë. Ajo është tashmë e izoluar ekonomikisht dhe politikisht dhe procesi i integrimit europian është tërësisht i bllokuar.

Shqipëria nuk do të marrë ftesë për hapjen e negociatave në fund të këtij viti. Dhe nuk do ta marrë as më vonë, nëse nuk zgjidh pengesën kryesore të integrimit: krimin dhe drogën, dhe sidomos lidhjet qeveritare të krimit dhe drogës.

Ndaj le ta miratojmë këtë marrëveshje, por të mos mbyllim sytë për gjendjen ku ndodhet vendi.

Partia Demokratike luftoi 4 vjet rresht duke denoncuar dhe ngritur zërin për të vetëdijësuar të gjithë, për drogën, krimin dhe rrezikun e tyre. Partia Demokratike ndërmori veprime ekstreme politike për ta bërë drogën dhe krimin çështje parësore të debatit politik dhe publik. Ne do të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis kundër drogës dhe krimit, por kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në këtë mision.

Sot nga kjo sallë të kërkoj ty Edi Rama që ta nisësh luftën kundër krimit duke ndërmarrë disa masa të thjeshta por që kanë domethënie të madhe:

 

  • Largo Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën nga drejtimi i kuvendit dhe i ministrisë së punëve të brendëshme.
  • Kërko menjëherë shkarkimin e Qazim Sejdinit
  • Bëj publike listën e të gjithë personave në administratë shtetërore që kërkohen nga interpoli dhe  fillo menjëherë aksion për arrestimin e tyre.
  • Spastro rradhët e drejtuesve të korruptuar të policisë nga bashkëpunëtorët e drejtpërdrejt të trafikut të drogës.

Por këto ti nuk do t’i bësh dhe as nuk ke ndërmend t’i bësh.

Ndaj le të kthehemi dhe një herë tek historia e Elbasanit.

Ju të gjithë e keni parë videon, dhe me siguri, ata që s’kanë lidhje me krimin dhe me qeverinë e kapur nga krimi, shumica e shqiptarëve të ndershëm, janë ndjerë keq kur kanë parë se si policia u dhunua, u spraps, u poshtërua, u shpartallua në mes të qytetit nga një bandë.

Dhe të gjithë pyesin, pse nuk hyri policia brenda magazinës ku u strehuan banditët, pse nuk e kaloi portën?

Eshtë shumë e thjeshtë. Policia nuk e kaloi atë rrethim, jo se nuk i ka mjetet, jo se nuk ka oficerë të përgatitur e kurajozë.

Por sepse ajo magazinë, është kështjella e Edi Ramës. Eshtë kështjella e krimit, e bandës. Ka imunitet, gëzon mbështetje dhe mbrojtje qeveritare.

Dhe këtë nuk e bën dot policia, nuk e çan dot atë rrethim. Ndaj, mos t’ia kërkojmë këtë oficerëve, burrave e grave në uniformë.

Duhet t’ia kërkojmë Edi Ramës të dalë nga magazina e krimit. E nëse nuk del, duhet ta nxjerrim nga aty bashkë me qytetarët./ CityNews

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Këshilla-Si të mbroni veten dhe familjen tuaj nga tërmetet

Publikuar

-

Për dallim nga llojet e tjera të fatkeqësive natyrore, tërmetet mund të ndodhin në çdo kohë, pa ndonjë njoftim. Të jesh i përgatitur për një tërmet do të bëjë ndryshimin në aftësinë për të mbrojtur veten, familjen ose shtëpinë tënde në rast të tërmetit. Vazhdoni të lexoni për të mësuar se si të përgatisni shtëpinë dhe familjen tuaj për një tërmet, si dhe çfarë të bëni gjatë dhe pas tërmetit për të qëndruar të sigurt.

Çfarë të bëni gjatë një tërmeti

Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim. E rëndësishme është që që në dridhjen e parë të merrni masa mbrojtëse.

Gjeni strehë në vendin më të afërt

Nëse ndodheni jashtë, gjeni strehë ku të mundeni por mos u fusni brenda.

Nëse jeni në zyrë a shtëpi, gjeni strehë në një vend të sigurt ku të jeni të mbrojtur nga gjërat që bien.

Mos lëvizni prej andej deri sa tërmeti të ketë ndalur.

Strehohu, mbulohu dhe mbahu fort

Që në goditjen e parë futuni nën një mobilje siç mund të jetë tavolina dhe qëndroni aty.

LEXO EDHE:  Agron Llakaj jep alarmin/ Biseda e papublikuar mes Ramës e qytetarëve të Memaliajt

LEXO EDHE:  Agron Llakaj jep alarmin/ Biseda e papublikuar mes Ramës e qytetarëve të Memaliajt

Mos u fusni poshtë krevatëve apo dollapëve të lartë që mund të shemben.

Mbuloni kokën dhe sytë mbajini mbuluar për t’u mbrojtur nga objektet fluturuese ose ato që bien.

Me njërën dorë mbuloni kokën dhe me tjetrën mund të mbaheni në një cep të mobiljes nën të cilën jeni strehuar.

Nëse mobilja lëviz, lëvizni bashkë me të.

Qëndroni nën të deri sa të jeni të sigurtë që goditjet kanë mbaruar.

Nëse nuk qëndroni dot nën pragun e derës apo nën një mobile, qëndroni pranë një shtylle të brendshme të shtëpisë dhe mbroni kokën dhe qafën.

Pragu i Derës

Pragu i derës është një nga më të fortat e të gjithë pallatit apo godinës.

Në prag duhet të përpiqeni të mbani këmbët hapur për të ruajtur ekuilibrin, të mbështeteni në njërën anë dhe me krahë të mbani fort derën./

CNA.al

SHPERNDAJE KETE MATERIAL INFORMUES

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Termet i frikshem ne Shqiperi

Publikuar

-

Nga

Nje termet 5.8 balle ka goditur Shqiperine 32 km larg Tiranes, ne detin Adriatik.

Njoftohen deme materiale dhe panik tek njerzit qe kane dale ne rruget e Tiranes.

Lekundjet jane ndjere te forta  ne Tirane, Elbasan, Durres. Korce, Fier etj…

Njoftohen deme materiale…vijon

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Provokimi i Mustafa Nanos: Duhet të jemi më racionalë me Enver Hoxhën

Publikuar

-

Nga

Këtë verë, libri i Isuf Kalos “Blloku” ka bërë jehonë të madhe. Libri është një dëshmi e njeriut, i cili ka qenë pranë ish-diktatorit Enver Hoxha për vite me radhë, duke qenë se ishte doktori i tij personal. Megjithatë, “Blloku” i Kalos ka marrë shumë kritika.

Në monologun e kësaj të premteje në emisionin “Provokacija”, gazetari Mustafa Nano ndalet pikërisht tek ky libër. Ai thotë se mënyra se si Isuf Kalo ka folur për Enver Hoxhën është e pakuptueshme dhe e pafalshme për shumë njerëz.

 

 

Sipas tij, Kalo e ka nxjerrë diktatorin si tepër human, baba të devotshëm, bashkëshort të mirë dhe si një politikan serioz. Edhe pse ka një mendim tjetër për Enver Hoxhën, Nano thotë se “Blloku” është një dokument historik i rëndësishëm, për të cilin në të ardhmen shumë njerëz do jenë të kënaqur që ekziston.

“Më duhet të them se as mua nuk më puqet Enver Hoxha i Kalos me Enver Hoxhën që unë njoh. E megjithatë nuk jam dakord me ata që sulmojnë Isuf Kalon. Blloku i tij mund të ketë provokuar shumë vetë, ndoshta ndokënd edhe mund ta ketë lënduar por, përtej të gjitha shijeve e ndjesive individuale, ky libër është një dëshmi interesante për kohët e komunizmit. Pas 50 vjetësh askush nuk do të kujtohet ta sulmojë Isufin për anëmbajtje apo empati për të ligun. Të gjithë do jenë të kënaqur që kjo dëshmi është dhënë. E që është dhënë në mënyrë të sinqertë. Blloku është një dokument historik i rëndësishëm”, thotë Nano.

Por moderatori i “Provokacijas” thotë se ka bërë edhe një vëzhgim të fundit. Sipas tij, tashmë që jemi 30 vite pas përmbysjes së komunizmit, duhet ta gjykojmë në mënyrë më racionale diktatorin Enxer Hoxha.

Sipas tij, nuk duhen thënë thënë deklarata të panevojshme që e shndërrojnë figurën e Hoxhës si bartës të të gjitha të këqijave dhe veseve të botës.

Nano merr shembull librin e Ylljet Aliçkës në librin e tij më të fundit, ku thuhet se një grua e dënuar me vdekje u fut e gjallë në dhé. Kur fshatarët i bënë gropën u lemerisën teksa dëgjonin rënkime të dala nga thellësia e tokës.

Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai, thotë Nano.

 “Kam vënë re që ca e ca vijojnë të flasin për Enver Hoxhën ashtu si kanë folur një ditë pas përmbysjes së regjimit të tij, domethënë duke shtënë në punë veç mllef, urrejtje, neveri, apo ku di unë. Kur bëhet ky diskutim, njerëz të tillë, që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likujdojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë thjesht duke thënë se ai ishte një maskara, qen e bir qeni, një armik i popullit të vet, një tradhtar, etj, etj. Unë mendoj se 30 vjet pas rënies së komunizmit mund të jemi pak më racionalë. Dhe të jesh racional nuk do të thotë të mohosh që ai ka qenë një diktator. Jo, kjo gjë tanimë është e dokumentuar. Edhe komunisti më budalla, thellë-thellë, bie dakord se Enver Hoxha ishte një diktator.

Të jesh racional do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, manjak seksual, vrasës manjak. Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual.

Të jesh racional është edhe të mos thuash, siç thotë Ylljet Aliçka në një libër që sapo e ka publikuar, që një grua u dënua me vdekje thjesht se Enver Hoxha donte ta kishte si të dashur dhe se ajo i tha “jo”. Për këtë “krim”, ajo u fut në dhé e gjallë. Madje, fshatarët e zonës, ku kësaj gruaje i bënë gropën, u lemerisën teksa dëgjonin ca rënkime të dala nga thellësia e tokës, që ishin rënkimet e kësaj gruaje duke dhënë shpirt. Tani, gjatë regjimit të Enver Hoxhës ka pasur pa fund drama e tragjedira humane. Kjo nuk diskutohet, siç nuk diskutohet që fajtori kryesor për ato ka qenë Enver Hoxha. Ne mund të stisim edhe tragjedira të tjera në një roman fiction. Por mund t’i vëmë pak fré fantazisë dreqi ta hajë! Një njeri që futet i gjallë nën dhé nuk ka se si të rënkojë. Aq më pak ka gjasa që rënkimet e saj të jenë dëgjuar nga fshatarët e lemerisur. Sepse do të ketë dhënë shpirt shumë kohë para se toga e varrmihësve apo xhelatëve të kenë mbledhur rraqet e të jenë larguar. Le ta themi copë: Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai”, u shpreh moderatori i “Provokacijas”./abcnews.al

LEXO EDHE:  Agron Llakaj jep alarmin/ Biseda e papublikuar mes Ramës e qytetarëve të Memaliajt

LEXO EDHE:  Foto-Sloganët e protestuesve/ Ramës i “presin biletën”  

 

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: