Connect with Us

Nga Arian Galdini/ Opozita jo si stinë e re, por si mision!

Aktualitet

Nga Arian Galdini/ Opozita jo si stinë e re, por si mision!

Publikuar

-

Shpresa ime është që ky makthi i periudhës para dhe paszgjeshore të përfundojë bashkë me vapën e gushtit. Kur në politikën e një vendi, vijnë ditë tilla kur Qeveria sillet si Opozitë, Opozita bën si Qeveri, e më keq akoma kur gjysma e Qeverisë kalon në Opozitë, e gjysma e Opozitës bëhet pjesë e Qeverisë, kjo është shenja e fundit e rënies së demokracisë. Kishim kohë që e dinim dhe e dëshmonim çdo ditë, të vërtetën e madhe e të trishtë se në vendin tonë, politika nuk bëhet me as me meritë, as me ide, as me konkurencë.

Paraja, Forca dhe Implikimi janë kthyer në tre kushtet bazë për tia dalë mban në politikën e këtij vendi të vogël. Me para blihen media, bëhen organizime, paguhen ushtri të tëra me mercenarë, etj, etj. Me Forcë meren votat që nuk blihen dot sepse janë votues të dorëzuar. Ndërsa me implikimin, zgjidhen të gjitha pazaret klienteliste, thurren të gjitha rrjetat e ndarjes së plaçkës dhe përfshirjes në lojë vetëm të sojit të të bindurve dhe të atyre që shkëmbejnë me njëri-tjetrin gjithçka jashtë syve dhe veprimit të ligjit. Ngritja dhe mbizotërimi i këtyre tre kushteve bazë në politikën shqiptare, na kishte krijuar ndjesinë e kënetës që qelbej gjithnjë e më shumë nga dita në ditë.

Gjithësesi, kurrë nuk e kishim menduar e as besuar se do të mbërrinim në një realitet të tillë skizofrenik, kur Qeveria dhe Opozita do të ishin hemafrodite, pa seks fare ose me të dyja sekset. Që duhet të ketë bashkëpunim luajal, korrekt, parimor, transparent e të ndalshëm mes Qeverisë dhe Opozitës së një vendi, për hir e për të mirën e vendit, kjo as që diskutohet. Por që e vetmja mënyrë sesi Qeveria dhe Opozita të mund të bashkëpunojnë me njëra -tjetrën, të jetë hemafroditizimi, pra hyrja e Qeverisë në Opozitë dhe hyrja e Opozitës në Qeveri, kjo është marrëzi dhe ligësi kozmike. Së pari, Opozita nuk është antiqeveritarizëm.

Kur Opozitarizmi shihet si 3 Konferenca për Shtyp në ditë, ku shahet, denoncohet e telendiset Qeveria, shtoi këtu edhe statuset ne facebook, e 4 të enjte në muaj me fjalime panegjerike kundër Qeverisë e Ministrave, sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me qytetarët dhe gjendjen e tyre. Opozitarizmi i tillë është përdorim i pastër i fuqisë së parasë, strukturave, organizimit, përvojës ish-qeverisëse, klientelizmave, për të përçuar aq mesazh e as kumt kundërshtie sa mbart interesi i organizatës. Nuk shkon dot përtej. Nuk lidhet dot as me ndjesitë, as me interesat e as me gjendjen e qytetarëve.

Kundërshtia sa madhësia e një organizate, mund të të sigurojë fuqinë e mbizotërimit, por nuk ka asnjë mënyrë e mekanizëm sinergjik për të të dhënë fitoren. Kundërshtia sa madhësia e një organizate, mund të të udhëheqë në marrëveshje e bashkime e bashkëpunime mekanike dhe matematike me të tjerë faktorë, aktorë, organizata, grupe a njerëz, por nuk të jep sinergji. Matematika e ftohtë funksionon me logjikën se 1 + 1 = 2. Sinergjia ka tjetër rregullsi. Bashkimet sinergjike mund të bëjnë që 1+1 të bëjë edhe 5 edhe 7. Bashkimet matematike janë të ftohta sepse janë bashkime fuqie të matshme. Bashkimet sinergjike janë krejt ndryshe, sepse janë bashkime parimore, vlerore e mund të shkojnë përtej imagjinatës së ngurtë.

Duke dalë nga Opozitarizmi si Antiqeveritarizëm, ne mund të ndërtojmë sintoni vlerore me qytetarët e të bëhemi realisht zëri dhe institucioni i tyre i lirë. Së dyti, Opozitarizmi si Antiqeveritarizëm, kalon lehtësisht në Opozitarizëm si klientelë dhe shërbim qeveritar. Janë dy të kundërta që përputhen lehtë, sepse duan të njëjtën gjë. Janë në antagonizëm kur njëra palë nuk ka pjesë tek plaçkëndarja e Qeverisë. Po të bien dakort për të ndarë plaçkë, atëherë Opozitarizmi si Antiqeveritarizëm, lehtësisht shndërrohet në shërbim të mirëpaguar nga vetë Qeveria.

Këtë bëjmë mirë ta kemi të qartë e të fshijmë çdo iluzion se mund të jetë ndryshe. Së treti, Opozita nuk është as çështje morali e as numrash. E vërteta është se kështu si jemi, këtu ku jemi, i vetmi moral dhe të vetmit numra që njeh politika shqiptare janë paratë, të fortët dhe të implikuarit. Ndaj është e kotë të hyjmë në ligjërime shterpë me moral e numra. Opozita është çështje misioni. Misioni i Opozitës fillon nga njëhsimi me qytetarin. Opozita duhet të shkëputet nga çdo lidhje me Qeverinë e Qeverisjen. E vetmja lidhje që duhet të ketë Opozita me Qeverinë, duhet të jetë ajo që ka një qytetar i thjeshtë me Qeverinë.

Pra edhe kur e do, edhe kur nuk e do, edhe kur e kundërshton edhe kur nuk e kundërshton, ti e respekton kushtetutshmërisht, ligjërisht dhe parimisht me Qeverinë, sepse është Qeveria jonë, e të gjithë neve, votues ose jo të saj. Opozita bashkëpunon me Qeverinë për Kushtetutën, Ligjet dhe Vendin. Opozita nuk bashkëpunon për të pasur pjesën e saj të plaçkës. Kur kufijtë dhe parimet e bashkëpunimit janë të tilla, pra transparente, të qarta dhe vetëm për interesin e vlerën publike, shtetërore dhe kombëtare, atëherë edhe ndarja është e pastër.

Qeveria bën Qeverinë dhe udhëheq punët e vendit ndërsa Opozita përfaqëson qytetarët e i kërkon llogari Qeverisë në emër të qytetarëve. Misioni i Opozitës nuk është që të jetë thjesht dhe apriori kundër Qeverisë. Misioni i Opozitës është që ti japë pushtet institucional përfaqësimi dhe llogarikërkimi qytetarëve, tu japë fuqi pakicave, e mbi të gjitha të lexojë e kuptojë drejtë e saktë sesi e duan qeverisjen e ardhshme qytetarët. Opozitarizmi si mision nuk është kopjues as skematik. Opozitarizmi si mision është kreativ, çlirues, frymëzues, dinamik dhe i pakompromentueshëm./CityNews

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

Plas në Digitalb, stafi letër aksionarëve: Me detyrim të dalim në rrugë të madhe

Publikuar

-

Nga

Stafi i Digitalb, gati 80 drejtues në vite të kompanisë nëpëmjet një emaili në mbrëmjen e 14 Gushtit, i janë drejtuar aksionarëve të kompanisë, pas largimeve masive të filluara kohët e fundit nga Vjollca Hoxha, cna.al ka siguruar emalin e plotë.

Shumë emra të rëndesishëm, themelues dhe menaxherë të kompanisë po hiqen dhe po hidhen në rrugë me detyrim, shkruhet në emailin që stafi ka shpërndarë pë aksionarë e kompanisë.

Më poshte teksti i plotë dhe nje foto e emailit që qarkullon në Digitalb.

Përshëndetje aksionarë të DigitAlb-it!
Të gjithë ju që ju bashkuat ëndrrës së Tan Hoxhës për të ngritur Platformën që do bënte dhe vazhdonte revolucionin mediatik në Shqipëri e do ishte “URA” lidhëse e gjithë shqiptarëve!
ËNDRRËS që ne, stafi, I BESUAM dhe jetuam duke punuar për 15 VITE…
Po ju shprehim direkt shqetësimin tonë, për çfarë po ndodh në DigitAlb-in ku ne me vite punuam, sakrifikuam po edhe shijuam, se e kishim Familjen tonë!
Siç besojmë jeni në dijeni;
Që me ardhjen e Administratorëve të rinj të gjitha gjërat në DigitAlb nisën dhe vazhdojnë të ndryshojnë për keq në çdo aspekt.
Dhe këtë, s’ka mbetur njeri pa e ndjerë e pa e folur edhe në popull apo thënë ndryshe, klientët…
Plus kësaj, nisi një fushatë spastrimi “etnik” tek punonjësit, pa u bazuar në asnjë kriter profesional. Për më tepër; Heqje masive profesionistësh nga puna, pa mbështetje në asnjë strategji zhvillimi apo financiare, afatmesme apo aftgjatë, siç do duhej të funksiononte vërtet në një kompani e siç ndodh kudo në botë. Por mbi të gjitha e më flagrantja, pa asnjë vendimarrje tuajën si ‘Asamble e Aksionarëve’ të DigitAlb!
Mjafton të përmendim largimin e mbi 90% të Drejtorëve kryesorë të kompanisë, që bashkë edhe me kërkesat ULTIMATIVE për dorëheqje të menjëhershme deri edhe tek stafi ekzekutiv në bazë, arrijnë aktualisht në rreth 80 vetë!
Por ky spastrim po vazhdon dita ditës dhe fryma e pasigurisë që ka asgjësuar atë të familjaritetit që ekzistonte dhe e karakterizonte deri dje DigitAlb, shto këtu dhe uljet e rrogave në nivele ordinere, deri edhe tek shoferët, ka bërë që edhe ata të mbeturit ende momentalisht të jenë me CV në dorë, gati për të ikur sapo t’ju dalë alternativa e parë…
Tani, pavarësisht problematikave tuaja me ish-Administratorin, Albanin që gjithësesi për ne në ato vite ishte një lider; po me ne stafin ç’patët…?!
Tek e fundit të gjithë ne punonjësit e larguar deri më tani, që në fakt U PËRZUMË pa asnjë motiv mospërmbushjeje profesionale në gjithë këto vite pune, sakrifice e jete në DigitAlb, jemi gati 80 FAMILJE me gjithë peshat sociale që rëndojnë në Shqipëri. Si mundet që kështu befas, brenda ditës, të na kërkohet me detyrim të dalim në rrugë të madhe, ndërkohë që jemi familjarë me fëmijë për të rritur e shkolluar dhe kredi për të paguar…?!
Ka mes nesh nga ata që ishin të vetmit të punësuar nga pjesëtarët e familjes. Dhe tani s’janë më!
Me çfarë ta paguaj tani unë çerdhen e fëmijës tim?
Me çfarë ta paguajë ai tjetri qeranë e shtëpisë ku ka futur familjen apo ajo kolegia tjetër kredinë bankare, që tek e fundit i është miratuar me garancinë se punonte në DigitAlb?!
Ç’kusur kanë fëmijët tanë që tani s’mbajmë dot as premtimet që u kemi dhënë, edhe për shkollën e tyre…?!
Ça faji kemi që besuam tek ju?
Deri dje të gjithë ndiheshim krenarë në familjet tona sepse punonim në DigitAlb…
Deri dje në DigitAlb organizonim fushata bamirësie për familjet në nevojë…
Tani vetëm prej tekave të shfrenuara të një zonje, krejt ndryshe nga vizioni i themeluesit, DigitAlb ka arritur ne pikën që po nxjerr me radhë sa e sa familje në mes të rrugës, duke i detyruar të luftojnë deri për bukën e gojës!
Pse tani heshtni të gjithë dhe bëni sikur s’na njihni e as na keni parë kurrë?!
Kemi punuar per ju! Me vite! Me plot përkushtim!
Kishim investuar pasion e besim me punën tonë gjithë këto vite, duke refuzuar jo një herë edhe Oferta joshëse më të larta, pasi BESONIM në ëndrrën që po punonim të ndërtonim, në atë Platformë ku ju të gjithë jeni aksionarë, por jo pa përgjegjësi!
Po tani? Çfarë bëmë ne gabim, që pas gjithë atyre viteve punë, përkushtim e besim, nga ju aksionarë të merrnim këtë “shpërblim”…?!
Stafi i DigitAlb

 

 

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

KQZ u “mbyll derën” aleatëve të Bashës/ LSI: Nuk do të ndalemi

Publikuar

-

Nga

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dështoi pasi anëtarët e KQZ nuk u paraqitën, me përjashtim të kreut të saj, Klement Zguri. Duke qenë se nuk mund të ketë diskutime pasi nuk formohet kuorumi, mbledhja u anulua pa përcaktuar një datë tjetër se kur mund të mblidhet.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka i cili tha se mungesa është e qëllimtë dhe politike.

Caka tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.

“Në respekt të dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 Tetor dhe afatit në 2 gusht, LSI, PR dhe PAA paraqitën kërkesën për fillimin e procedurave. 30 qershori u shfuqizua si datë zgjedhjesh nga Presidenti. Vetëm Kushtetuesja mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë, politike.

Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore” tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Teuta i ‘rrëmben’ Kukësit Stivi Frashërin

Publikuar

-

Nga

Ende s’është bërë zyrtare, por Stivi Frashëri do të jetë largimi i radhës te skuadra e Kukësit. Burime të sigurta pranë futbollistit bëjnë me dije për newsport.al që titullari i portës verilindore nuk do të vijojë më bashkëpunimin me nënkampionët.

28-vjeçari korçar preferon të ndërrojë ambient në sezonin e ri dhe të njëjtat burime tregojnë se është arritur akordi me “Djemtë e Detit”. Pra, në edicionin e ri futbollistik ai do të mbrojë katërkëndëshin e skuadrës së Bledi Shkëmbit.

Kujtojmë që “gardiani” i njohur është prej dy vitesh pjesë e Kukësit. Paraqitjet e tij me verilindorët kanë qenë relativisht pozitive, por shpesh herë nuk ka mundur t’i shpëtojë edhe kritikave.

Ka një CV të pasur pasi ka kontribuar me skuadra me emër si Flamurtari, Tirana, ndërsa është formuar te ekipi i Bylisit. Tashmë pritet të shihet se si do të vijojë aventura e tij e re në portën e durrsakëve.

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: