LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Mero BAZE/Portrete paranojake për një Lulzim që nuk ekziston

18 Gusht 2017, 21:03, Aktualitet CNA

Sot ka pasur një shpërthim komentesh nga kundërshtarë të Lulzim Bashës brenda PD, gazetarë opozitarë, njerëz që kanë qenë afër tij e më gjerë. Të gjithë bien dakord se raporti i ?teknikëve? është një farsë dhe pastaj ndahen në arsyetimet e tyre, përse i duhet Bashës ky raport.

Janë së paku tre akuza të forta ndaj tij, të cilat vijnë nga kampi i vet.

Akuza e parë, është që Basha ka shitur zgjedhjet, pasi ka bërë pazar me Ramën. Më të konsoliduar këtë tezë e ka Topalli, e cila thotë se Basha tentoi bojkotin për të kapur pazarin me Ramën dhe pasi e kapi atë, e la opozitën rrugëve. Këtu ka diçka të vërtetë.

Akuza e dytë kundër Bashës, është se raporti i ?teknikëve?, synon të justifikojë disfatën e thellë për të cilin Basha është përgjegjës.

Akuza e tretë, është se Basha e bën këtë për të mbuluar masakrën e zgjedhjeve në PD, që Basha bëri më 22 korrik.

Konspiracioni rreth arsyeve përse Basha nxiti ?teknikët? të bënin këtë raport, është bërë aq i larmishëm, sa të gjithë janë gati të hamendësojnë ndonjë arsye të fortë që ka pasur Basha ta bëjë këtë.

E gjithë kjo më duket një supervlerësim për Bashën, një supervlerësim që ai jo vetëm nuk e meriton, por as nuk e ka ëndërruar. Përshembull, paranoja se Basha dhe Rama kanë bërë një pazar që njëri të fitojë këtë herë, ai herën tjetër, apo që Basha dhe Rama kanë bërë pazar si të bëjnë fushatën, si të paguajnë median etj, janë shumë konspirative. Skenar po ashtu paranojak, është ideja që Basha e bën këtë të mbulojë 22 korrikun, apo edhe që Basha po flet tani për vjedhje votash dhe vetë nuk ka bërë ankesë zyrtare, se donte të mbaronin zgjedhjet në PD.

Të gjitha këto na paraqesin një Lulzim Basha që mendon, që vret mendje dhe gjen shtigje si të dalë nga situata. Akoma më keq, këto paranoja ngrihen mbi një gënjeshtër që gjoja zgjedhjet janë shitur, janë blerë, apo janë vjedhur. Kjo nuk është e vërtetë.

Përveçse këto janë zgjedhjet më të mira të Shqipërisë, dhe padiskutim fushata elektorale më e kulturuar e saj, këto janë dhe zgjedhjet e para ku njeriu e kupton sa i lirë voton kur ato nuk i bën Sali Berisha.

Të gjithë ata që shpikin këtë teorinë e shitjes së zgjedhjeve nga Basha, blerjes së tyre nga Rama, apo blerje me paratë e drogës etj, broçkulla, në fakt e thonë këtë se u duhet të vërtetojnë teorinë e tyre konspirative rreth Lulzim Bashës dhe akteve të tij.

Dhe e gjitha kjo, se nuk duan ta shikojnë të vërtetën në sy. Lulzim Basha as ka shitur gjë, as ka blerë gjë dhe as ka marrë gjë në shkëmbim. Lulzim Basha thjesht është një një kryetar opozite i paaftë, që ka humbur thellë. Të gjithë teoritë konspirative që sillen rreth tij, sillen se ende, as miqtë, e as armiqtë e tij, nuk pranojnë këtë fakt. Pranojeni këtë të vërtetë, pranojeni që ai është një udhëheqës tërësisht i paaftë, i pazoti, i paqartë, i pamenaxhueshëm dhe i paparashikueshëm për të qenë prijës i një partie, dhe do të kuptoni se të gjitha ato që thuhen rreth tij janë të panevojshme. Ai thjesht ka humbur, se nuk bën për atë punë.

Duke e stërholluar raportin idiot të ?teknikëve?, duke stërholluar paranojat për marrëveshjet e tij me Ramën apo vjedhjen e mandatit brenda PD, jeni duke folur për një Lulzim tjetër, që nuk ekziston. Dhe kjo vjen nga fakti se kundërshtarët nuk kanë ndalur dot vjedhjen e votave nga Luli brenda PD, dhe flasin për pazar të Lulit për shitje votash jashtë PD. Po të kishte humbur Basha më 22 korrik apo të kishte ikur nga PD, nuk do kishim fare zhvillime të tilla.

Lulzimi për të cilin flisni, nuk ekziston. Ai është vetëm në mendjet tuaja. Ai i vërteti, ai që qesh para kamerave dhe fle në zyrë, nuk është ky që keni në mendje. Është ai që ka humbur më 25 qershor e që duhet të ikte në shtëpi, pasi me të në krye, PD do të vazhdojë të humbasë.

Njiheni atë dhe humbjen e tij dhe do jeni të qetë nga gjithë këto paranoja. Bile dhe nga raporti i ?teknikëve?./tema

Lajmet e fundit nga