LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A dinte gjë policia?/Pasojat e atentatit për Katalonjën

18 Gusht 2017, 16:52, Aktualitet CNA

Atentati në Barcelonë dhe incidenti në Cambrils mund të kenë pasoja në të ardhmen e Katalonjës. Përpjekjet për pavarësi mund të marrin një goditje të fortë.

Një ditë para ngjarjeve pati kontrolle të pazakonta intensive të qarkullimit, në autostradën në drejtim të jugut. Ato po kalonte edhe spanjolli Cesar Martinez, së bashku me familjen: “Njësi të armatosura na ndaluan së bashku me veturën, në autostradën A7 pranë Malagas. Na trajtuan si kriminelë dhe patëm ndjesinë se ka ndodhur diçka e keqe. Por me sa duket ajo ndodhi vetëm një ditë më vonë.”

A dinin gjë njësitë e policisë? Deri tani kjo, si shumë gjëra të tjera është e paqartë. Për shembull identiteti i dorasit. Drejtuesi i automjetit mori arratinë. Në vend të tij u arrestuan dy të dyshuar të tjerë, një maroken 28 vjeçar dhe një person, që vjen nga eksklava spanjolle e Melilas – gjë që bën që të zhvendoset në fokus një aspekt tjetër: imigrimi që po rritet prej javësh nga Maroku në drejtim të bregdetit spanjoll dhe rritja e tensionit në eksklavat spanjolle Ceuta dhe Melila. Për shkak të veprimeve të ashpra të Libisë kundër refugjatëve, tani po shtohet presioni ndaj Marokut. Përditë qindra refugjatë mbërrijnë me varkat e tyre në Andaluzi, midis pushuesve.

Shteti spanjoll tregohet i fuqishëm në Katalonjë
Ajo që duket qartë: Katalonja ka një problem sigurie. Gazeta katalanase “El Periodico” tërhoqi vëmendjen për këtë disa herë që vitin e kaluar. Ky rajon autonom, ka ashtu si Vendi i Baskëve një polici të vetën, “Mossos d’Esquadra”, shkurt “Mossos”. Ata kanë edhe një njësi të vetën antiterroriste, e cila, në teori, drejtohet nga Madridi. Prej muajsh, sipas medieve, ata nuk i respektojnë më udhëzimet e kryeqytetit spanjoll. Prandaj shumë shohin në atentat para së gjithash një gjë: Pa Spanjën, Katalonja është e pasigurtë. Ky është edhe lajmi, që zëdhënësi spanjoll i partisë PP në pushtet, Rafael Hernando, përcolli sot në televizion:”Tani ne kemi nevojë për përvojat e shtetit spanjoll në luftë kundër terrorizmit”.

Këto pohime përmbajnë një lajm të dyfishtë: “Mos kini frikë, ne do t’ju ndihmojmë” dhe “Katalanjës i duhet Spanja”. Në 11 shtator zhvillohet Diada, “festa kombëtare” e katalanëve dhe në 1 tetor do të organizohej referendumi për pavarësinë – i dyti në historinë e Katalonjës. Në bazë të kushtetutës spanjolle ai është ilegal dhe që herën e parë çoi në arrestim politikanësh të atjeshëm.

Me atentatin bëhet politikë
Mbi kokat e të vdekurve dhe të të plagosurve nis tani një luftë e egër e njësive policore, se kush e mban përgjegjësinë që ndodhi atentati dhe kush duhet t’i drejtojë hetimet. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy e shfrytëzoi momentin të enjten në darkë dhe shkoi në Barcelonë, ku bëri thirrje për unitet kombëtar. Ai nuk kishte me vete një plan B për pavarësinë e synuar të katalanasve, por tani mund të llogarisë se përpjekjet për pavarësi të qeverisë rajonale, përballë përmasave të atentatit, hë për hë do të ndërpriten, sepse katalanasit kanë shqetësime krejt të tjera.

Rajoy dëshmon se ka instinkt politik dhe ka bërë të ditur se njësia kombëtare antiterror – për shkak të historisë së luftës për liri të Eta-s baske, njësia më e madhe në Evropë – do të koordinojë hetimet dhe masat e tjera të sigurisë. “Kemi fituar shumë luftëra kundër terrorizmit, edhe këtë ne spanjollët do ta fitojmë”, tha Rajoy. Deri tani “Mossos” nuk kanë reaguar./DW

Lajmet e fundit nga