Aktualitet
E vërteta e “Ujit të Pijshëm” për të cilën askush nuk flet
Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj prej pak ditësh ka njoftuar rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë.
Një vendim ky që është kontestuar thuajse nga të gjithë. Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës e kanë refuzuar krejtësisht, duke e quajtur aferën e radhës korruptive të Erion Veliajt.
Edhe Shoqëria Civile ka njoftuar se ditën e sotme do të organizojë një protestë për të kundërshtuar kategorikisht këtë rritje të çmimit të ujit të pijshëm.
Përballë këtyre kundërshtimeve dhe kontestimeve, qëndrojnë argumentet e kryebashkiakut Veliaj, i cili në një seancë dëgjimore ditën e djeshme, deklaroi se kjo kishte të bënte me investimet që do të bëhen nga Bashkia me qëllimin e vetëm që Tirana mos të vuajë asnjëherë nga mungesa e ujit, siç ka ndodhur rëndom këto ditë.
Në të gjithë këtë përplasje mes rritjes apo jo të çmimit të ujit të pijshëm në fakt qëndron një e vërtetë, që me shumë mundësi e dimë secili nga ne qytetarë të Tiranës, por që nuk është thënë deri tani.
Veliaj nuk po rrit çmimin e ujit të pijshëm, siç ai deklaron, sepse në fakt në Tiranë uji nuk pihet. Qytetarët e blejnë ujin e pijshëm me bidona dhe kjo rritje që po bën Veliaj është një rritje ekstra që rëndon shumë në xhepin e qytetarëve.
Erion Veliaj po rrit çmimin e ujit që përdorim për të larë, për të pastruar, për nevoja të tjera, por kurrsesi atë të ujit të pijshëm, sepse për fat të keq sot Tirana nuk ka “ujë të pijshëm”, për këtë flasin më mirë vetë qytetarët që e provojnë në përditshmërinë e tyre./CityNews