LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kukës/Dëgjesat publike pa publik

24 Korrik 2017, 12:46, Aktualitet CNA

Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit znj.Mimi Kodheli e ka përfunduar turin e dëgjesave me banorët e njësisive administrative Shishtavec, Topojan dhe Zapod. Duhet thënë se turi i dëgjesave me njerëzit, është vlerësuar si një risi në marrëdhënien mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Por, cili do të jetë produkti i angazhimit për zgjidhjen një nga një të problemeve në këto njësi administrative, mbetet për t’u parë.

Nëse bëjmë një retrospektvë të gjithë paraardhësit socialistë të znj.Kodheli, që e kanë ushtruar detyrën e deputetit në këtë zonë, nuk kanë bërë tjetër veçse kanë luajtur rolin e postierit. Thënë troç ata janë larguar nga detyra, duke e ngopur popullin e kësaj ane me premtime të pambajtura. E vërteta është se qytetarët këtu jo vetëm se nuk i kanë falur mashtruesit, por edhe nuk do të lejojnë të mashtrohen më, ndaj dhe u treguan moskokëçarës përgjatë turit të dëgjesave, duke i bojkotuar masivisht takimet me të zgjedhurën deputete.

Nëse do të vërejmë me kujdes postimet e shpeshta në faqen zyrtare të znj.Kodheli, ajo ç’ka bie në sy është se; numri i shoqëruesve të saj, është më i madh se i atyre që e dëgjojnë. Më së shumti e zgjedhura si deputete bashkëbisedon me ultras-socialistët dhe disa të punësuar në instutcionet shtetërore lokale.

Politika është një profesion si gjithë profesionet tjera, e cila bëhet mirë ose bëhet keq. Por, në Shqipëri shpesh ka të ngjarë kur në politikë po t’i biesh drejtë, nuk është se gëzon ndonjë popullaritet. Në realtitetin tonë politik apo mediatik ku; gënjeshtra është vyrtit, plagjiatura është teknologji dhe ku demagogu bëhet menjëherë personazh i ditës, dëshpërimi nga politika është i madh.

Prandaj, të gjithë ata që mendojnë se në politikë nuk mund të ketë sinqeritet ndoshta edhe kanë të drejtë, por mbase nuk mund të ketë sinqeritet të plotë por politika mund të ekuilibrojë në mes sinqeritetit dhe të mundëshmes. E nëse nuk arinë këtë ekuilibrim ajo është e dështuar. Ka ndodhur pikërisht kështu, ndaj dhe qytetarët i kanë braktisur dëgjesat paszgjedhore. Për çfarë duhet të besojnë banorët e Topojanit, kur ende nuk kanë rrugë për në fshat, e ndërsa Kodheli u thotë se: “Unë mendoj që këtu do ta nisim me dy gjëra kryesore.

E para, është rruga e Llakatorit, e dyta është energjia elektrike”. Për të shkuar në Llakator detyrimisht duhet të kalosh nëpër Topojan, ndërsa të flasësh për energjinë fillimisht u duhet kërkuar ndjesë banorëve të këtushëm për ndërprerjet pa kriter të energjisë elektrike, në ndërkohë që gjatë këtyre viteve janë ndërtuar nëntë hidrocentrale në barkun e këtyre bjeshkëve. Kodheli u premton topojanasve hapjen e një baxhoje dhe një laboratori, për t?i dhënë një “frymëmarrje” bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë, ndërsa dikush që e shoqëron duhet t’i i thotë se këtu dimri është më i gjatë dhe kullotat për bagtinë janë tutje shumë larg.

Deputetja premton se do të zgjidhet problemi i vaditjes së tokave në Shishtavec dhe në Topojan, por nuk e di që, ujëmbledhësi i Novosejt mund të zbrazet për dy ditë, pasi i kanë shterruar burimet e furnizimit, kurse lumi i Topojanit tashmë administrohet nga sipërmarrësit e hidrocentraleve të përmendur më lart. Është fakt që infrastruktura në shkolla dhe kopshte nuk është ajo e kërkuara, po kaq sa është e vërtetë që, në të tre njësitë administrative ka më shumë mësues sesa nxënës, si rrjedhojë e braktisjes së këtyre fshatrave nga moshat e reja, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Banorët e fshatit Borje kërkojnë të zgjidhet çështja e arsimit të mesëm për më së shumti 25-30 nxënës, ironikisht atyre u premtohet çelja e shkollës së mesme, kur më e arsyeshme do të ishte pagesa e kuotës së udhëtimit të shkollarëve nga Borja drejt Shishtavecit. Duke mos u fokusuar në problemet jetike të banorëve të Zapodit, Kodheli, në cilësinë e ministres së Mbrojtjes, u kujton atyre edhe një nga problemet kryesore të shoqrisë, siç është punësimi i të rinjve.

“Unë kisha vetëm një fjalë me rininë. Po është 18 vjeç dhe ka mbaruar gjimnazin, deri në 26 vjeç vjen në ushtri, mësohet të bëhet ushtarak, futet në rresht, futet në pagesë, futet në trajtim. Ka mundësi të bëjë shkolla brenda, të bëjë shkolla jashtë. Po keni mbaruar gjimnazin, hajdeni në shtator, fillon faza e re, se si bëhet aplikimi, mund ta shihni në faqen e internetit të Ministrisë”. Dhe këto fjalë ajo u’a thotë të moshuarve të Zapodit dhe atyre të Cërnalevës, në ndërkohë që nipërit e tyre kanë shkuar në Londër, si të përzënë nga politika shqiptare.

Shishtaveci dhe Novosej janë fshatrat ku bashkojnë dhe ndajnë kufijtë tre shtetet Shqipëri-Kosovë-Maqedoni. Zona këtu preferohet vlerësohet nga turistët vendas dhe të huaj. Zona e Shishtavecit konsiderohet një nga pjesët më të bukura malore të Shqipërisë. Turistët e ndryshëm kërkojnë një natyrë të pastër dhe këtë e gjejnë në pllajën e Shishtavecit, pasi gjithçka këtu është natyrale.

Çuditërisht, Kodheli asnjëherë nuk e ka artikuluar mundësinë e zhvillimit të turizmit në këtë njësi administrative. Kur më lartë është përmendur se, politika mund të ekuilibrojë në mes sinqeritetit dhe të mundëshmes, nuk vlen asgjë mendja dhe zotësia e atyre që nuk u shihet puna. Për të kryer një punë, nuk lipset vetëm të dish, por edhe të duash.

Lajmet e fundit nga