LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Mentor Nazarko/Pse kavajasit nuk u blenë me paratë e kanabisit? Faktet që vetëfshikullojnë Bashën

8 Korrik 2017, 13:20, Aktualitet CNA

Karta e blerjes së votës nga paratë e kanabisit u rikthye sërish në betejën politike të Shqipërisë, megjithëse me konsum të kufizuar : në luftën e brendshme në PD apo pjesërisht në facebookun e Berishës dhe disa demokratëve të shquar. E bashkë me këtë rikthim, shfaqen dhe disa paradokse, që nuk mbeten për t?u zbuluar nga politikanët që jetojnë mes paradokseve dhe as që e vrasin mendjen për koherencën.

Këta janë politikanë të të dy krahëve: në të majtë dhe në të djathtë. Paradokset mbeten për t?u zbuluar nga ata që nuk janë nën hijen e politikës dhe nuk jetojnë prej saj. Kësisoj kjo përsiatje nuk merr përsipër të vërtetojë sa është shifra e votave të blera nga paratë e krijuara nga kultivimi dhe trafiku i hashashit. Por thjesht për të ballafaquar thëniet politike me metrin e logjikës : pretendimet e PD-së, dhe të atyre që i kundërvihen asaj. Përdorur nga Basha veçanërisht, tundja e kartës së blerjes së votës prej parave të kanabisit, ngjan edhe vetëfshikulluese. Domethënë, Basha po ia fut vetes dhe dikush duhet t?ia thotë këtë. Ndonëse ka një shpjegim pse ai po e përdor- justifikim për humbjen e madhe, gjetje shkaqesh për këtë humbje jashtë vetes-, pesha e një vetëfshikullimi prej Bashës dora vetë, veç rritet. Janë disa arsye.

Nëse paratë e kanabisit janë përdorur në shkallë përcaktuese për rezultatin final, Basha duhet të pranojë se gjithë ndërmarrja e vet më e rëndësishme politike-çadra, me përfundim marrëveshjen me Ramën, ishte e dështuar. Po ashtu Basha duhet të pranojë se zgjidhja që rezultoi prej Marrëveshjes, vendosja e 6 ministrave teknikë gjithashtu nuk pati kurrfarë vlere në parandalimin e përdorimit të parave të kanabisit apo të tjerave për të blerë vota. Sipas këtij pretendimi, ministrat kanë dështuar veç e veç dhe në grup, Task force nuk ka bërë asgjë gjithë këtë periudhë. E për pasojë duket e çuditshme se ata nuk ikin nga detyrat e ministrave pas një përfundimi kaq drastik.

Ta thuash këtë pikërisht në ditën kur ministri i Brendshëm thotë se kultivimi i kanabisit është ulur shumë, ngjan dhe më paradoksale. Dakord, ka stok malli nëpër magazina, stok parash, gjithashtu, por panorama nuk është e plotë akoma. Basha triumfant në Bashkinë e Kavajës ku ka fituar kandidati demokrat, gjithashtu duhet të pranojë se në të gjithë Shqipërinë vetëm kavajasit janë demokratë të vërtetë që nuk blihen me asnjë çmim, as me para droge, as me para tenderash, dhe me asgjë.

Kjo duket pak e çuditshme : këtë nuk e pranojnë shkodranët, vlonjatët, elbasanasit, pse jo dhe durrsakët, demokratë ose jo, për më shumë kur dihet se kavajasit mbahen si qytet tregtar. Për më shumë që në Kavajë sipas pretendimeve, sipas akuzave, Kavaja paska qenë zemra e kultivimit të kanabisit. Për më shumë që po sipas këtyre akuzave, në Kavajë janë hedhur shumë para të pista për të blerë vota, që kavajas it i kanë refuzuar stoikisht dhe heroikisht. Kavaja në fakt është rast i çuditshëm për disa arsye : trendi rritës i fitores së qeverisë në nivel bashkish nuk u respektua.

Përçarja e së majtës ka dhënë ndikim megjithatë. Nëse Basha pretendon ekskluzivitet moral të kavajasve si dukej nga fjalimi para demokratëve të asaj bashkie- Basha zgjodhi Kavajën për të nisur fushatën e rikonfirmimit të tij,- praktikisht zemëron pjesën tjetër të shqiptarëve, duke i fajësuar ata pse kanë shitur votat. As kjo nuk është politikisht korrekte. Për më shumë për një politikan që don të rikthejë shpresën, te vetja dhe te ndryshimi. Nuk ka alibi për këtë ndryshim kursi, pavarësisht se si thotë raporti i ODIHR-it, ka pasur shumë raste të firmosjes me një dorë të shumë procesverbaleve të votimit, provë e blerjes së votës, apo e votimit të shumëfishtë. Rruga institucionale e denoncimit është rruga më e drejtë dhe kapitalizimi i rezultateve të denoncimit do të ishte vijimi logjik i një politike të re.

Në një republikë të re apo të vjetër. E vërteta është se nuk ka para, as të drogës dhe as të tenderave që janë gjithashtu të pistë, që mund të blejë vullnetin për ndryshim të popullit. As në nivel Kavaje, as në nivel Gjirokastre dhe as në nivel kombëtar. Historia është përsëritur në Shqipëri ndonëse me kahje tjetër. Lazarati, principata e drogës, kurrë nuk bleu dot votat në Gjirokastër, për pasojë as dhe në Kavajë droga nuk mund ta blinte vullnetin e popullit për ndryshim. Dhe logjikisht nëse droga nuk ble dot votat në një nivel qyteti, nuk mund t? i blejë as në nivel Shqipërie./Panorama

Lajmet e fundit nga