LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Kastriot Myftaraj/Pse deputetët e PD nuk duhet të jenë të pranishëm në Kuvend, në seancën e betimit të Metës

7 Korrik 2017, 08:29, Aktualitet CNA

Nëse ka një ngjarje në të ardhmen e afërt, që PD mund ta përdorë për të inicuar ringritjen e saj, kjo është seanca parlamentare për betimin e Presidentit të Republikës, në 24 korrik. PD është në të drejtën e saj për të marrë vendim politik që deputetët e saj të mos jenë të pranishëm në këtë seancë parlamentare. Pikësëpari, PD nuk ka marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e Presidentit. Meta është zgjedhur President pa votat e PD-së.

Pikësëdyti, zgjedhja e Metës President erdhi pasi ai u tall me PD-në duke i kërkuar Bashës që të vazhdonte qëndresën fuqishëm në çadër. Në anën tjetër, Meta llogariste që qëndresën e PD-së ta përdorte për të nxjerrë më shumë lëshime nga Rama.

Pikësëtreti, Meta, pasi u zgjodh President, u vu në krye të fushatës zgjedhore të LSI, e cila ashtu si katër vjet më parë, përtej retorikës, u shndërrua në një gjueti të votave të PD-së. Votat që ka humbur PD në pjesën më të madhe i ka marrë LSI. Nëse ka ndonjë parti që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për ekzistencën e PD-së si parti e madhe, kjo është LSI.

Sipas rregullores së Kuvendit, që të vazhdojë rregullisht seanca e çelur duhet të jenë më e pakta 71 deputetë të pranishëm. Nëse mungon PD në seancë ka shumë mundësi që të mos arrihet prania e numrit minimal të deputetëve edhe nëse PS merr pjesë në seancë. Kjo për arsye se do të ketë shumë deputetë të LSI-së dhe të PS-së që nuk do të marrin pjesë në seancë për arsye të ndryshme. Këtu duhet pasur parasysh se të pranishëm duhet të jenë deputetët e zgjedhur në 2013, të cilëve iu përfundon mandati në shtator. Deputetët e LSI-së të cilët nuk u rizgjodhën për shkak të vendit ku gjendeshin në listë, vështirë se do të marrin pjesë në seancë.

Sa iu përket deputetëve të PS-së, nuk ka gjasa që të merret një vendim politik për pjesëmarrjen në këtë seancë, që do të thotë se pjesëmarrja të jetë e detyrueshme. Shumica e deputetëve të PS-së, të cilët nuk e duan Metën, nuk do të marrin pjesë në seancë.

Kështu që do të jetë e nevojshme prania e një numri të madh deputetësh të PD-së që të mund të vazhdojë seanca e celur e Kuvendit. Kuptohet se Meta do të bëjë gjithçka që në seancën e 24 korrikut të jetë i pranishëm numri i nevojshëm i deputetëve, dhe në këtë rast ?gjithcka? do të thotë se edhe do të blerë deputetë. Që tani ka nisur të thuhet se do të paguhen deri 300 mijë euro për çdo deputet të cilit do t? i kërkohet prania në seancë.

Meta ka të sigurt vetëm pjesëmarrjen e nëntë deputetëve, duke përfshirë edhe veten, të cilët janë deputetë të LSI, që u rizgjodhën në 25 qershor. Të tjerët janë të vetëdijshëm se e kanë mbyllur llogarinë me Metën, janë të mërzitur nga shpenzimet e mëdha financiare që kanë bërë në fushatë dhe që iu shkuan më kot, dhe vështirë se do të tregohen aq idiotë sa, në rastin më të mirë për Metën, të mos e shesin shtrenjtë praninë e tyre në seancën e 24 korrikut.

Fakti që është hapur një treg për praninë e deputetëve në seancën e 24 korrikut, nuk mund t? i lerë të paiinteresuar edhe deputetët e PS-së sidomos ata që nuk janë rizgjedhur, por edhe një pjesë të madhe të atyre që janë rizgjedhur. Secili prej tyre do të ishte i lumtur të nxirrte 300 mijë euro nga Meta.
Sa i përket PD-së, nëse kjo parti nuk merr vendim politik që të mos marrë pjesë në seancën e 24 korrikut, atëherë kjo do të thotë se sekseri i partisë, Kunati i Lulzim Bashës, ka bërë një pazar të fshehtë me Metën duke e shitur shtrenjtë praninë e grupit parlamentar të PD-së në seancën e 24 korrikut.

Nëse PD merr një vendim politik për mospjesëmarrje në seancën e 24 korrikut, atëherë atë do të detyrohen që ta zbatojnë edhe kundërshtarët e Bashës, për arsye se në të kundërt do të zhvlerësohet krejt qëndrimi i tyre.

Shpallja paraprakisht sa më parë e vendimit politik të PD-së për mospjesëmarrje në seancën e 24 korrikut do të ketë efekt të madh në grupin parlamentar të PS-së dhe në tregun e blerjes së pranisë së deputetëve për ktë seancë.

Nëse PD nuk merr vendim politik për mospjesëmarrje në seancën e 24 korrikut, që t? ua ndalojë deputetëve vajtjen me vullnetin e tyre, dhe madje merr pjesë në këtë seancë, atëherë kjo ngjarje do të shënojë shndërrimin e PD-së në një parti të dorës së tretë.

Dështimi i seancës së 24 korrikut shkakton një krizë politike, duke e bërë të paqenë zgjedhjen e Metës President, sepse ligjvënësi, në rastin e betimit të Presidentit, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së tij, ka parashikuar vetëm një seancë të vetme dhe nëse betimi nuk kryhet në 24 korrik, zgjedhja quhet e pavlefshme. Këtu nuk ka vend për interpretime të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo gjykatë mund ta interpretojë Kushtetutën, por jo të rishkruajë sipas fantazisë së vet dispozitat e formuluara qartë të saj.

Dështimi i seancës së 24 korrikut e nxjerr përfundimisht LSI-në nga tryeza e partive të mëdha politike, duke lënë atje vetëm PS-në dhe PD-në. Dhe PD nuk ka asgjë për të humbur, por vetëm për të fituar, nëse LSI e pëson kështu.

Një parti politike e madhe arrin të krijojë situata politike ndryshuese të realitetit politik, të cilat kushtëzojnë sjelljen e mëtejshme të kundërshtarëve të saj, ndryshojnë llogaritë e tyre politike. Një parti politike e vogël vepron detyrimisht në realitetin politik të krijuar nga partitë e mëdha, pa qenë në gjendje të krijojë situata që të sjellin ndryshimin e tij. PD e Bashës ka humbur aftësinë për të krijuar situata politike të tilla, dhe ka vepruar në realitetin që kanë krijuar kundërshtarët e saj. Edhe Çadra në bulevard dhe marrëveshja Basha-Rama doli se ishin iluzione të rreme të PD-së se kishte krijuar sitata politike që po ndryshonin realitetin politik ekzistues.

Në 24 korrik PD ka shansin të krijojë një situatë politike që përmbys realitetin politik të krijuar me marrëveshjen Rama-Meta të prillit, që solli zgjedhjen e Metës President. Me këtë PD e pohon aftësinë e saj për t? u sjellë si parti e madhe politike./CityNews

Lajmet e fundit nga