LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gafa e kryeministrit/Themelet e Korçës që nuk i njeh Edi Rama

19 Maj 2017, 17:25, Aktualitet CNA

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Korçë, në një takim me gratë e këtij qyteti. Rama shoqërohej nga kandidatët për deputetë të PS të kryesuar nga Niko Peleshi.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se investimet e gati katër viteve janë më shumë se sa është bërë në dy dekadat e kaluara, kur, siç ai theksoi: janë hedhur para për arne dhe asnjëherë nuk është bërë një investim nga themelet.

Ndoshta Kryeministrit duhet ti kthejë zyrtarisht përgjigje PD, por në Korçë këtë parti e ka marrë nën kontroll zv/kryeministri në largim i Edi Ramës.  Por faktet dhe detajet nuk mund të fshihen.

I vetmi qytet në Shqipëri i bërë nga themeli gjatë 8 viteve të qeverisjes të PD është Korça. Dikush duhet ti thotë kryeministrit se, përgjatë atyre tetë viteve, në Korçë janë përfunduar ujësjellësi, kanalizimet, janë rikonstruktuar të gjitha rrugët me kalldrëm, janë asfaltuar, rindertuar dhe rikonstruktuar nga e para, kopshte, 9 vjeçare gjimnaze etj etj.

Korça është qyteti që Edi Rama dhe qeveria e tij e gjetën gati. Gjithçka po investojnë është ndryshe nga ajo që është bërë dje. Pikërisht prej faktit se Korça i kishte themelet e ndërtuara dhe shtepinë e ndërtuar, kishte ngelur vetëm për të lyer shtëpinë.

Por në rast se dje ishte ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, njeriu që ndërtonte me vizion themelet e Korçës, sot për të ?lyer? shtëpinë korçarët kanë pasur në gati katër vite zv/kryeministrin Niko Peleshi.

Dhe vetë investimet në Korçë vërtetojnë faktin se ky qytet ishte i ndërtuar nga themelet, qeveria e PS rikonstruktoi parkun, pazarin, ndërtoi teatrin, godina institucionesh dhe nuk bëri asnjë investim për themelet e qytetit të serenatave.

Korça e ka pasur vizionin dhe është ndërtuar nga themelet, ndryshe nuk ka sesi PS po investon për fasadën dhe makiazhin e qytetit.

Korça ka investime dhe këtë nuk e mohon dot askush. Ka një park me të bukur, një pazar të rindërtuar por me shumë qepena mbyllur, po ndërtohet një park olimpik, një qëndër kulturore për femijët, po rindërtohet teatri, por kryeministrit duhet ti tregojë se të gjitha këto investime janë më pak se investimi i bërë për ndërtimin e unazës së qytetit, janë shumë pak më investimin për kanalizimet dhe kalldrëmet.

Qeveria Rama po investon në Korçë dhe ky është një fakt, por është tek fasada jo tek themeli që kërkon Kryeministri. Ato i ka ndërtuar qeveria përpara tij duke ka bërë detyrën, por gafa e sotme e Edi Ramës është jo e paqëllimshme. Ai i njeh, i di, e ka informacionin e atyre që janë bërë gjatë atyre tetë viteve, pasi ka në krah ish-kryebashkiakun e Korcës, i cili për 6-vite bashkëpunoi me qeverinë Berisha.

Vetëm Edi Rama, në konceptin e tij politik,  fillon ta shikojë dhe vlerësojë gjithçka ditën kur ai ka ardhur në qeveri Ajo që ka ndodhur më parë për atë është zero. Në fakt, Korça nuk e pranon këtë. Sepse Korça është fakti sesi ndërtohet një qytet nga themelet, nga një qeveri tjetër, dhe qeveria e re kthehet në bojaxhi për ti lyer dhomat apo fasadën./Elvi FUNDO shkruar për Citynews

Lajmet e fundit nga