LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Republika e Re nis marshimin drejt fitores në çdo shesh të Shqipërisë

18 Maj 2017, 21:58, Aktualitet CNA

Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 90 të qëndresës në Sheshin e Lirisë, pas arritjes së marrëveshjes politike për zgjedhje të lira e të ndershme

Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, qytetare dhe qytetarë, të reja e të rinj. Plot 90 ditë më pare, ju nisët një rrugëtim epik, qytetar, patriotik, demokratik, paqësor, europian dhe të vendosur për të mos pranuar më me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit, për të treguar të vërtetat tuaja, të familjeve tuaja dhe të mbarë Shqipërisë, para çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje, për t?i treguar botës mbarë, të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë, nën zgjedhën e drogës, krimit dhe korrupsionit.

Ju u bashkuat 90 ditë më parë në këtë shesh. Në këtë shesh, i treguat për 90 ditë e 90 netë me radhë Shqipërisë, Europës e mbarë botës se shpresa nuk ka vdekur, se kurajo triumfon mbi frikën dhe se drita e të vërtetës dhe drita e forcës së të pathyeshmes e një populli të tërë për demokraci të vërtetë, do të ndriçojë anembanë atdheut tonë.

90 ditë më pare, ne u mblodhëm këtu në një vend të pashpresë, në një vend të pazot. Ne u mblodhëm këtu me kurajon e gjithësecilit prej jush dhe të gjithë bashkë, me kurajon e kësaj lëvizje, këtij bashkimi, më të madhin të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe nisëm qëndresën tonë të bashkuar.
90 ditë më pare, ju ishit shpirti i qëndresës, refuzimi i të keqes. Deri sot, ju ishit shpresa e çdo shqiptari dhe Shqipërisë, por sot, ne jemi e ardhmja e Shqipërisë europiane.
Ajo që ju ndezët në zemër të kryeqytetit, në zemër të Shqipërisë, është flaka e pavdekshme e shpresës tek e nesërmja që po vjen.

Me forcën e kauzës tonë të drejtë, me pathyeshmërinë e qendresës tuaj epike, kjo lëvizje shembi sot muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër. Muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër ranë vetëm prej qendrës dhe kurajos tuaj.
Askush nuk ju trembi dot, askush nuk na shtangu dot, askush nuk na kthen dot nga rruga që kemi nisur.

90 ditë, dhe Shqipëria tashmë nuk është siç ishte më parë. Por 37 ditët e ardhshme kjo lëvizje nuk do të ulet, nuk do shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë.
Kështjella e republikës së vjetër do të bjerë përfundimisht me bashkimin e zemrave tuaja fitimtare.
Kurrë më pare, në këto 27 vite, që nga përmbysja e diktaturës, Europa nuk ka njohur një bashkim të tillë zemrash dhe vullnetesh si kjo lëvizje e pathyeshme dhe e pamposhtshme. Sepse kjo lëvizje, as nuk filloi dhe as nuk vazhdon për interesa politike apo pushtetin e një partie, apo të një aleance, apo të një personi.

Kjo lëvizje, nisi për t?i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë do t?ua kthejmë. Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo në rrëzimin e qeverisë, por gjysmës së saj.

Me garanci, të cilat duhet të zbatohen nga fillimi deri në fund, por beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm nxemja, ndeshja fillon pas një jave, dhe ne marshojmë drejt fitores.

Bashkë me betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme ne do të vazhdojmë deri në fund projektin tonë të madh të Republikës së Re, republikës së qytetarëve shqiptarë, republikës që do t?i japë fund komplotit politik dhe ekonomik që e ka sunduar këtë vend, e ka rrënuar ekonominë e saj dhe i ka varfëruar shqiptarët deri në palcë.

Po, Republika e Re nuk është thjesht dhe vetëm objektivi ynë, nuk është thjesht dhe vetëm shpallja e pakthyeshme e 13 Majit nga ky shesh i lirisë, por është realiteti që ka ardhur e do të jetësohet përmes qëndresës, vullnetit tonë dhe votës së qytetarëve shqiptarë për programin dhe ekipin e Republikës së Re, më 25 qershor.

Sot, përmes dialogut politik që u bë realitet vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit tuaj, republika e vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjesimit të saj, për t?i hapur vend ëndrrës suaj të Republikës së Re.

Kjo është domethënia e angazhimit për reformën kushtetuese. Angazhimi për Reformën Kushtetuese nuk është thjesht dy fjalë në një letër të bardhë, por është ngritja e flamurit të bardhe nga Republika e vjetër para vendosmërisë sonë, që kurrë më, ky vend mos të sundohet nga komploti ekonomik dhe politik, që kurrë më, politika të mos jetë teatër kukullash për qytetarët dhe burim pasurie dhe pushteti për pushtetarët.

Reforma kushtetuese, është vetë shtrati kushtetues që ju premtova ditën e shtunë me 13 maj, për të ndërtuar së bashku një shtet dhe një shoqëri ku pushteti, pasuritë, të ardhurat dhe fati juaj, të jenë njëherë e përgjithmonë vetëm në dorën tuaj.

E dinë të gjithë, e dini ju, e di unë, e dinë ata, e di bota mbarë se ky shesh dhe kjo lëvizje është e reja që do të zëvendësojë njëherë e përgjithmonë të vjetrën. Asnjë tërheqje dhe asnjë kompromis nuk do të ketë me të keqen që kapi vendin për fyti, por do të ketë përballje totale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t?i dhënë shqiptarëve një Shqipëri të çliruar nga droga, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.

Një Shqipëri, ku fermerët shqiptarë nuk do të kenë zgjedhje mes largimit, falimentimit dhe hashashit, por do të kenë mbështetje direkte me fonde dhe subvencione.

Një Shqipëri dhe një Republikë për 650 mijë pensionistët shqiptarë bashkë me të cilët do të shembim kështjellën e mykur të republikës së vjetër e përmes Republikës së Re, do t?i dorëzojmë atyre të drejtën e tyre, paratë e republikës së vjetër që sot e kësaj dite vazhdojnë të zhduken në xhepat e oligarkëve.

Para që do të kthehen në një pension minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për ta.
Biznesi i vogël, përfaqësuesit e të cilit po kështu, i dhanë këtij sheshi dhe kësaj agore të vërtetën e dhimbshme të një ekonomie në krizë totale, duhet ta dinë se dita e parë e Republikës së Re do të jetë dita e çlirimit një herë e përgjithmonë nga taksat e larta dhe nga zuzarët, taksidarët dhe inspektorët e qeverisë.

Qindra mijëra të punësuar në sektorin privat, do të njohin paga më të larta dhe siguri më të lartë në vendet e tyre të punës, me taksën më të ulët në Ballkan, taksën e sheshtë 9%, e cila do të rikthejë ekonominë tonë dhe ekonominë e çdo shqiptari në kushtet e konkurencës dhe do të çlirojë pozitivitetin, do të çlirojë energjinë e biznesit, anembanë ekonomisë sonë kombëtare.

Të rinjtë dhe të rejat, studentet dhe studentët që kanë qenë prej ditës së parë balli i lëvizjes sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me votën, me qëndresën e tyre, do të përcaktojnën shtatorin e ardhshëm, si muajin e ligjit të ri për arsimin e lartë, me tarifa të reduktuara, me mundësi për çdo student, me autonomi të plotë universitare dhe me stazhe të paguara nga Republika e Re për 10 mijë studentë, bijë e bija shqiptarësh çdo vit.

Askush nuk do të jetë më fatlum në Republikën e Re, se fëmijët e shqiptarëve, drita jonë e syrit.
Kur kështjella e shembur e republikës së vjetër të zërë brenda oligarkët dhe pushtetarët e korruptuar, arkat e tyre të vjedhura padrejtësisht shqiptarëve, do të mbështesim financiarisht çdo fëmijë shqiptar me një shumë prej 30 mijë lekësh në muaj.

Një sistem arsimor modern do të shtrihet anembanë vendit për ti garantuar çdo prindi shqiptar kujdesin maksimal, përfshi drekën në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Shqipërisë, dhe qetësinë e mendjes se fëmijët e tyre nuk do të enden rrugëve, por do të dalin njëkohësisht me ta për tu bashkuar në vatrat familjare me standardet europiane të arsimit në Republikën e Re.

Të përndjekur dhe pronarë, Republika e Re do t?i japë fund padrejtësisë që kurrë nuk mori fund për ju me kompensimin e plotë me vlerën e tregut, me dëmshpërblimin financiar dhe moral tuajin, krenaria e historisë tonë të dhimbshme, balli i protestës dhe qëndrësës tonë.

E vrau frikën ky bashkim i madh dhe për herë të parë, intelektualët, elita e mendjes dhe e shpirtit e dëgjoi zërin e popullit të vet ditë për ditë e natë për natë që në këtë agorë buçonte i pacensuruar.
Kërkesat dhe këshillat dhe kritikat tuaja, nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.

Republika e Re do të zëvendësojë elitën kriminale të republikës së vjetër me elitën e vërtetë, me intelektualët, me pedagogët, me profesorët, me artistët, me sportistët, me shtresën e mesme, motorrin e zhvillimit të shoqërisë.

Për të gjitha këto, kjo lëvizje që nisi me datë 18 Shkurt, jo, kurrsesi nuk mund ta mbarojë sonte misionin e saj.
Jo, kurrsesi nuk mund ta mbarojë sot misionin e saj historik.
90 ditët e ndritura të bashkimit dhe qendresës tonë epike janë krenaria, shpresa dhe kurajo e një shoqërie të tërë, janë prova se e vetmja vlerë që e mund të keqen, e vetmja garanci që nxjerr një shoqëri nga errësira – drejt dritës, është vetë bashkimi ynë, është kurajoja juaj.

Ndaj, dinjiteti, kurajo, trimëria, shpresa dhe guximi që keni investuar në këtë shesh të lirisë, mendjet e shpirtrat e çdo shqiptari, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, janë asetet dhe garancitë e fitores së padiskutueshme të Republikës së Re, me 25 Qershor, e fitores së madhe. Jo thjesht e zgjedhjeve të radhës, por fitores tuaj, fitores së shpresës mbi dëshpërimin, të resë mbi të vjetrën, të shqiptarëve mbi oligarkinë dhe pushtetin e inkriminuar, mbi drogën dhe krimin.

Kjo do të jetë fitorja më e bukur!
Sepse, ndonëse do të jetë fitorja me siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së ndryshimeve historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe e aleatëve tanë të çmuar, të cilëve iu shpreh mirënjohjen time më të thellë, ajo në fakt, do ti përkasë gjithsecilit prej jush.

Kjo është fjala juaj, ky është vendimi juaj, ky është zotimi im në këtë tempull të shenjtë te lirise, para jush dhe para Zotit.

Sakrifica juaj, hapi një horizont të paimagjinueshëm tre muaj më parë.
E di se nuk jeni lodhur, përkundrazi, jeni edhe më të fortë, keni edhe më shumë besim tek vetja dhe tek njëri-tjetri.
Betejat që kemi fituar deri më sot, janë dëshmi, se kjo lëvizje, bashkë me të, Partia Demokratike dhe aleatët tanë, janë më shumë, më të fortë dhe më të gatshëm se kurrë për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së Republikës së Re.

Ndaj, duke shndërruar gjithë Shqipërinë, duke shndërruar gjithë atdheun tonë, qytetet, lagjet e qyteteve dhe fshatrat tona, sheshet dhe rrugët tona, le ti shndërrojmë në sheshe të lirisë si ky tempull.

Mos ta ndalim asnjë çast marshin tonë drejt Republikës së Re, drejt fitores së çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje.

Zoti ju bekoftë ju kampionë të lirisë, kampionë për zgjedhje të lira e të ndershme, themelues të Republikës së Re!

Zoti e bekoftë çdo shqiptar që pret të lirohet nga vargonjtë e të shkuarës dhe të jetë qytetar me të drejta të plota i Republikës së Re!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti e bekoftë Republikën e re!
Fitore!/CityNews

Lajmet e fundit nga