Connect with us

Aktualitet

Ligji i ri i falimentit, çfarë ndodh nga 23 maji

Publikuar

-

Ligji shqiptar për falimentimin Nr. 8901, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 maj 2002, zëvendësoi ligjin e mëparshëm, Nr. 8017, (datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”), i cili trajtonte gjendjen e paaftësisë paguese në Shqipëri. Ligji i ri hyn në fuqi në 23 maj.
Gjatë 6 viteve të ekzistencës së ligjit Nr. 8017, nuk ka pasur as raste të regjistruara dhe as depozitime kërkesash për fillim të procedurave të falimentimit. Ligji ekzistues ishte një model gjerman, i bërë në vitin 1994 dhe nuk zgjidhte pothuajse asnjë çështje.

Akte të tjera ligjore, si për shembull: Kapitulli XIX i Kodit Civil, parashikonte një sistem vullnetar të likuidimit, që përdorej vetëm në situata të kufizuara. Nenet 190 – 205 të Ligjit Nr. 9901, datë 14 prill 2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (Ligji i Shoqërive) trajtonin likuidimin me urdhër të gjykatës të shoqërive aksionare dhe atyre me përgjegjësi të kufizuar. Ligji Nr. 7850, datë 29 korrik 1994, përmbante vetëm disa dispozita, të cilat përcaktonin të drejtat e kreditorëve të një shoqërie në gjendje paaftësie paguese. Këto dhe mekanizma të tjerë ishin krijuar për prishjen e shoqërive (ose me fjalë të tjera për t’i dhënë fund ekzistencës së tyre), në shumicën e rasteve, kur nuk ekziston asnjë çështje që përfshin pretendimet konfliktuale të kreditorëve të ndryshëm. Për më tepër, ato nuk ishin projektuar për të lehtësuar rehabilitimin e shoqërisë ose riorganizimin, kur një mundësi e tillë është e mundshme nga pikëpamja tregtare.

Edhe pse falimentimi është rregulluar për herë të parë në Shqipëri në vitin 1992, me ligjin nr. 7631 “Mbi falimentimin e ndërmarrjeve shtetërore”, ligji nuk kishte vlerat që kanë sot legjislacionet moderne të falimentimit dhe misioni i tij ishte i përkohshëm. Ai ia “la vendin” ligjit nr. 8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, që përshtatej me kushtet ekonomike dhe politike të Shqipërisë në atë kohë, kur ekonomia e tregut ishte në fillesat e saj, me rregulla ende të pastabilizuara, si dhe ekonomitë private ishin në hapat e tyre të parë dhe tepër të brishta.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe vendosjes së rregullave të qarta në lojën e kësaj ekonomie, lindi nevoja edhe e një ligji të ri, që të pasqyronte këtë situatë dhe të përshtatej më mirë me të. Kështu miratohet ligji aktual i Falimentimit, ligji nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për Falimentimin”, ndryshuar dhe shtuar me ligjin nr. 9919, datë 19.05. 2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për Falimentimin”.

Kohë e ndryshuar…

Një ekspert i IFC-së, anëtar i Grupit të Bankës Botërore, u angazhua të mbështesë përgatitjen e një ligji krejtësisht të ri mbi falimentimin në Shqipëri, për gati tre vjet. Përveç kësaj, katër ekspertë të lartë shqiptarë, në fushën e shkencave juridike dhe ekonomike, u bënë pjesë e projektit, sipas marrëveshjes së konsulencës me Ministrinë e Drejtësisë prej 23 prillit të vitit 2014. Pas një analize të plotë, një raporti diagnostikues dhe një përmbledhje të kuadrit ligjor institucional për falimentin, grupi i punës konsultoi legjislacionin respektiv. Shtatë versionet e draftligjit janë marrë në konsideratë vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2015.

Arben Isaraj, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë është lakonik kur thotë se “…jemi konsultuar shpesh dhe gjatë, me çdo aktor e faktor dhe kemi ‘peshuar’ me seriozitet e pjekuri profesionale dhe njerëzore çdo shfuqizim, ndryshim apo risi të fushës, kemi përpara një produkt ligjor, serioz, profesional dhe modern, që do të ndikojë direkt në përmirësimin e problemeve e shqetësimeve të fushës së falimentimit në Shqipëri”.
Z. Isaraj nuk gjykon se gjithçka ka përfunduar këtu, pra me hartimin e këtij ligji. Ai thotë se: “Ministria e Drejtësisë, është e hapur dhe mirëpret propozime për akte të reja ligjore dhe nënligjore në lidhje me sistemin gjyqësor, sistemin e ekzekutimeve të vendimeve dhe titujve, sistemin e shërbimeve të lira juridiko-profesionale, si dhe me çdo fushë të drejtësisë dhe kompetencës së saj ligjore”.
Igor Matijevic, drejtues i projektit të IFC-së në fjalë thotë se miratimi i një ligji të ri u pa si kusht për zbatimin efektiv të procedurës së paaftësisë paguesve të kompanive. Sipas tij, “projekti synonte një procedurë më të shpejtë dhe më efikase të falimentimit, si dhe një mbrojtje më të mirë të të drejtave të kreditorëve, të siguruara ose jo”.

Sipas Matijevic, miratimi i ligjit u parapri nga një vëllim pune të madhe në bazë dhe të përgatitjes së një Letre Hyrëse, e cila shoqëroi projektligjin duke shpjeguar zgjidhjet e propozuara dhe se si këto lidhen me problemet e rëndësishme të sistemit aktual. “Ka pasur mbi 36 tryeza të rrumbullakëta dhe seminare, me komunitetin ligjor dhe të biznesit, me qëllim identifikimin e çështjeve në zbatim dhe pengesave të procedurës së falimentimit në Shqipëri, si dhe për të shqyrtuar nevojat e veçanta dhe dispozitat që duhen përfshirë, për të siguruar funksionalitetin e ligjit të falimentimit”, tha drejtuesi i projektit.

Si rezultat i një qasjeje të tillë, ligji i ri ndjek praktikën më të mirë deri më sot dhe përfshin procedurë të thjeshtuar për NVM-të, procedurë të përshpejtuar të ristrukturimit (para-paketat), si dhe karakteristika të tjera që e bëjnë ligjin më të thjeshtë në administrim dhe më efikas. Të gjitha këto aktivitete janë mbështetur financiarisht nga Zvicra (Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike, SECO), saktëson z. Matijeviç.

Philipp Keller, zëvendësambasador i Zvicrës në Shqipëri, thotë se “një regjim i mirë i falimentimit duhet të sigurojë një mënyrë efikase dhe efektive për të rehabilituar, për të shëruar dhe për të kthyer aktivitetin e biznesit në produktivitet. Kjo e bën ekonominë e përgjithshme më të qëndrueshme dhe produktive. Ne jemi shumë të kënaqur që ligji i ri për falimentimin është përpunuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me kontributin e të gjithë aktorëve përkatës. Një konsultim i plotë çon në ligje më të mira dhe lehtëson zbatimin e tyre më vonë. Zvicra është e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen e saj dhe të trajnojë palët e përfshira në zbatimin e regjimit të ri të falimentimit.”

Çfarë qëllimi ka ky ligj i ri?

Qëllimi i ligjit të ri, sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, është të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda dhe/ose jashtë procedurës së falimentimit.
Një nga ekspertët ndërkombëtarë që ka punuar për ligjin e ri, z. Andres Federico Martinez (specialist i Sektorit Financiar) thotë me pak fjalë: “Kompanitë në gjendje të vështirë financiare, gjejnë tek ligji i ri praktikat më të mira për t’u rehabilituar financiarisht”.
“Ka mënyra moderne për të mbrojtur mirëbesimin e debitorëve, bizneset e të cilëve janë në vështirësi, por në të njëjtën kohë, keqbesimi në këtë rast e bën të vështirë pagimin e borxheve të tyre”, – thotë gjithashtu Martinez.

“Ndonëse në Shqipëri ekziston një legjislacion ‘për falimentimin’ që nga viti 1992, rastet e trajtuara në gjykatë janë minimale”- thotë prof. dr. Vangjel Kosta, ekspert i lartë, që ka punuar për ligjin e ri.

Sipas z. Kosta, arsyet e kësaj gjendjeje shpjegohen me faktin se “procedurat e falimentimit nuk zbatoheshin për shkak të vështirësisë së terminologjisë së ligjit të falimentimit”, se ka pasur “procedura të zgjatura gjyqësore dhe mungesë të inkurajimit të debitorëve që ata vetë të kërkonin hapjen e procedurave të falimentimit, në rastet kur biznesi i tyre ishte në situatë “falimentimi”, nënvizon z. Kosta.
Po çfarë e bën të dallueshëm ligjin e ri? Z. Kosta thotë se, përpos një procedure falimentimi me mekanizma të thjeshtuar, modernizimi dhe përqasja e procedurave të falimentimit tashmë është arritur nëpërmjet zbatimit të “Rekomandimit të Komisionit Europian të muajit mars 2014, proces të cilit po i nënshtrohen të gjitha vendet e Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe falimentimin ndërkufitar, sipas ligjit Model UNCITRAL (është njohur si organi kryesor ligjor i sistemit të Kombeve të Bashkuara në fushën e së drejtës ndërkombëtare të tregtisë)”.
Qëllimi është i thjeshtë: “Garantimi i vazhdimësisë së administrimit nga debitori, në mënyrë që të stimulohet përdorimi i procedurave të falimentimit për të rritur mundësitë e ripërtëritjes, të kapërcimit të gjendjes së paaftësisë paguese, si dhe të suksesit në shlyerjen kolektive të detyrimeve”, – thotë z. Kosta.

“Elementi kryesor që përcakton klimën e të bërit biznes në vend nuk është vetëm lehtësia me të cilën bizneset futen në sistemin ekonomik të një vendi, lehtësia e krijimit dhe themelimit të tyre, por është dhe lehtësia për të dalë nga biznesi. Shpeshherë, vendet përpiqen të përmirësojnë klimën e biznesit në hyrje, duke krijuar një lloj ‘burgu’, sepse firmat e kanë të vështirë të dalin nga sipërmarrja. Normalisht, një klimë e përshtatshme për sipërmarrjen është ajo që e bën po kaq të thjeshtë edhe daljen prej saj në mënyrë që ky proces të mos jetë me kosto të mëdha”, – ka thënë për median, z. Selami Xhepa, profesor i njohur i ekonomisë.

“Qytetarët në sistemin e kapitalizmit kanë interes dhe dëshirë të eksperimentojnë me kosto sa më të ulëta, në mënyrë që të provojnë suksesin e tyre, duke bërë që çmimi i dështimit të mos jetë penalizues. Në këtë kuptim, ndryshimet që kanë ndodhur në ligjin për falimentin janë në vazhdën e reformave për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, dhe ky është edhe një nga elementet më thelbësore të legjislacionit”, thotë Xhepa, duke komentuar ligjin e ri të falimentit.

Për Xhepën është i pashmangshëm zinxhiri i problemeve që një kompani e dështuar jep në ekonomi. Infeksioni shkon që nga palët e lidhura, që janë punonjësit, bizneset me të cilat kryen shërbime e deri te bankat, të cilat janë sektori më i rëndësishëm i sistemit financiar. “Fakti që ligji i deritanishëm ka qenë jashtëzakonisht kompleks, sepse është përpjekur të imitojë dhe zbatojë direktivat e Bashkimit Europian, e pati bërë legjislacionin shqiptar që të mos ishte shumë i zbatueshëm. Një sërë çështjesh që janë krijuar nga keqfunksionimi i ekonomisë së sotme kanë bërë që në shumë raste, marrëdhëniet midis debitorëve, kreditorëve, pra sipërmarrësve dhe pjesës tjetër të ekonomisë, të krijojnë probleme duke ndikuar në gjithë zinxhirin e debive apo kredive të këqija, në veçanti në sistemin bankar.” shton eksperti.

Risitë e ligjit të ri…

Ligji aktual ndjek versionin fillestar të ligjit gjerman të vitit 1994, me pak ose aspak përshtatje me kushtet e vendit tonë.
Problemi i kredive me probleme është konsideruar si një problem shqetësues për Shqipërinë. Edhe pse vendi ynë nuk vuajti menjëherë pasojat e krizës globale financiare dhe krizës në euro, niveli i kredive me probleme u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Ky problem është evidentuar edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore si një nga problemet më kryesore me të cilën përballej vendi. Ministria e Drejtësisë u caktua institucioni përgjegjës për hartimin e një ligji të ri për falimentimin. Ky institucion përcaktoi pa ekuivok se “procedura e falimentimit të shlyejë, në mënyrë kolektive, detyrimet e debitorit nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave, ose nëpërmjet riorganizimit ose arritjes së një marrëveshjeje tjetër të re, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë së debitorit”.

Një ligj me procedura të qarta ndihmon në arritjen e këtij qëllimi. Që mund të realizohet nëpërmjet:
a) likuidimit, b) riorganizimit, c) ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta,
ç) ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga gjykata e falimentimit. Çdo debitori të ndershëm, nëpërmjet procedurës së falimentimit, i jepet mundësia të shkarkohet nga pjesa e mbetur e detyrimeve.
Ligji parashikon zgjerimin e diametrit të rrethit të subjekteve, tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi ku përfshihen: personat fizikë (të tillë si individë, konsumatorë apo tregtarë); personat juridikë (të tillë si, personat juridikë privatë dhe publikë, fitimprurës dhe jofitimprurës); si dhe njësitë
administrative vendore.

Lidhur me rrethin e veprimtarive me interes të publikut, parashikohet që këto subjekte t’u nënshtrohen rregullave të përgjithshme të falimentimit, kur falimentimi rregullohet nga ligjet e posaçme, duke mbetur në këtë pikë në parashikimet që ka edhe ligji ekzistues, duke parashikuar që ky rregullim të ndikojë mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në interes publik, vetëm për sa kohë ato janë të licencuar për kryerjen e këtyre veprimtarive.

Ligji i ri hyn në funksionim edhe në rast se ligjet e posaçme, që rregullojnë sektorët publikë apo strategjikë, nuk parashikojnë rregullat e falimentimit. Çdo subjekt, ka të drejtë të kërkojë hapjen e procedurës së falimentimit, vetëm pasi të marrë lejen paraprake nga autoriteti rregullator përkatës.

Tashmë si anëtarë të komitetit të kreditorëve mund të emërohen edhe persona që nuk janë kreditorë, por përfaqësues të një autoriteti rregullator, në rastet kur debitori ushtron veprimtari në sektorin e interesit publik të tillë që kontrollohet prej tij.
Kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes së gjykatës janë qartësuar, duke e bërë më fleksibël dhe të shpejtë ndërhyrjen e gjykatës, nëpërmjet vendimeve apo urdhrave që jepen vetëm me bazë konsultimi mbi aktet, pa nevojën e një seance dëgjimore të detyrueshme.
Subjektet monitoruese, që kanë të drejtën të jenë të mirinformuara lidhur me procedurat e falimentimit, mbeten jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të Gjykatës së Falimentimit, të mbikëqyrësit, apo të kujdestarit, (siç është në ligjin ekzistues), por shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i autoriteteve mbikëqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik. Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumenteve, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit.
Roli dhe pozita e AMF-së lidhet ngushtë me mundësinë e zgjerimit të spektrit të subjekteve kontrollues dhe mbikëqyrës, të aktorëve të rinj pjesëmarrës, që do të bëjnë kujdes për të kontrolluar jo thjesht procedurën e falimentit, por në mënyrë të veçantë do të mbikëqyrin rastet që lidhen me abuzimin dhe mashtrimin në faliment. “… AMF kërkon të paktën një raportim në çdo 3 muaj nga ana e administratorit të falimentimit, një kopje të të cilit ia dërgon edhe Gjykatës së Falimentimit”.

Ligji aktual parashikon mbylljen ose mosfillimin e procedurës së falimentimit dhe çregjistrimin nga regjistri kombëtar të debitorit, i cili nuk ka mjetet e mjaftueshme për të mbuluar kostot e procedurës së falimentimit. Ky rregullim krijon mundësi të mëdha për skema mashtrimi nëpërmjet falimentimit.
Lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit, të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, ligji parashikon krijimin e një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit.
Ligji parashikon një mundësi që një fond publik të menaxhohet nga AMF-ja dhe të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij. Parashikimi i riskut të falimentimit që në zanafillën e një aktiviteti tregtar nuk e step atë, por e bën më realist.

Meqenëse, nga pikëpamja ekonomike, një biznesi i duhet të paktën tre vjet të kuptojë nëse po operon me sukses apo jo, ligji i jep mundësi subjekteve tregtare që të shohin nëse kurba e fitimit të tyre vjen drejt shifrave pozitive pas tre vitesh. Në të kundërt, ata mund të kalojnë në likuidim kur konstatojnë se nuk janë të suksesshëm pa e çuar gjendjen e tyre financiare drejt falimentimit.

Lidhur me administratorin, ligji qartëson rolet mbikëqyrëse gjatë procedurës së falimentimit. Janë tri lloje administratorësh: administratori i falimentit, administratori i përkohshëm i falimentimit dhe administratori mbikëqyrës, të cilët kanë të njëjtin status dhe të njëjtat kritere përzgjedhëse, por që marrin rolet sipas momentit kohor kur veprojnë apo specifikave të rolit që përmbushin.
Krahas administratorit të falimentimit, draftligji parashikon edhe rolin e kujdestarit, të kujdestarit të trashëgimisë, apo të ekzekutorit të falimentit, të cilët janë subjekte që njihen e trajtohen edhe jashtë procedurës së falimentimit, nga Kodi Civil.
Nga pikëpamja procedurale, ligji i falimentimit preferohet si i vetmi ligj që rregullon këtë procedurë në raport me ligjin mbi tatimet dhe taksat. Ky rregullim shoqërohet me rishikim të legjislacionit mbi tatimet dhe taksat, shfuqizon nenin 104, të ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008, i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji sjell një grup dispozitash që parashikojnë krahas riorganizimit edhe ristrukturimin e borxhit, si pjesë e një zgjidhje jashtëgjyqësore përmes alternativave të zgjidhjes së konflikteve, duke arritur në një marrëveshje që duhet të miratohet nga gjykata.
Për herë të parë në historinë e legjislacionit për falimentimin që është miratuar pas viteve ’90, tanimë ka disa dispozita që parashikojnë një radhë të posaçme preferimi për shlyerjen e detyrimeve para dhe pas rishpërndarjes. Një ndryshim rrënjësor është ai që parashikon se radha e preferimit e parashikuar në nenin 605, të Kodit Civil, nuk është e përshtatshme për t’u përdorur në kontekstin modern të falimentimit.
Për këtë arsye, parashikohet detyrimi që, përpara se të fillojë shlyerja e pretendimeve të kreditorëve sipas radhës së preferimit, të veçohen fillimisht shpenzimet e procedurës së falimentimit.

Ka një nen të ri me një radhë preferimi, ku parashikohet radha e shpërndarjes së pasurisë, duke u nisur fillimisht nga pretendimet e siguruara deri në vlerën e pronës që shërben si garanci. Pas kësaj, radhiten pretendimet prioritare, ku përfshihen: a) pretendimet që rrjedhin nga ndërprerja e kontratës së punësimit deri në 3 muaj përpara paraqitjes së kërkesës për falimentim, duke përfshirë pagat dhe rimbursimet shëndetësore, pagesat e lejes së lindjes, të cilat nuk kalojnë shumën 500 mijë lekë në total;
b) pretendimet për mbështetje dhe mirëmbajtje që lindin përpara fillimit të procedurës së falimentimit, kur debitori është një individ; c) pretendimet e punonjësve të debitorit për dëme shëndeti të shkaktuara gjatë punës; d) pretendimet për veprime të padrejta që rrjedhin si pasojë e dëmit të shkaktuar ndaj jetës ose shëndetit nga debitori përpara fillimit së procedurës së falimentimit; e) pretendimet për taksat e papaguara një vit përpara paraqitjes së kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit.

Në rastin e abuzimeve me procedurën e falimentimit, do të ketë përgjegjësi administrative, ndërsa ato penale të parashikohen vetëm në Kodin Penal.
Falimenti ndërkufitar parashikohet në një kapitull më vete, me objektiv strategjik që adoptimi i ligjit model të UNCITRAL-it mbi procedimet e paaftësisë paguese ndërkufitare të dërgojë sinjal të fortë besueshmërie tek investitorët e huaj në kërkim të niveleve më të larta të parashikueshmërisë në sistemin shqiptar të falimentimit.

Ky ligj është i një rëndësie të veçantë, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, pa të cilat bizneset nuk mund të funksionojnë. Pikërisht këto të fundit kanë pasur të nevojshme futjen e mekanizmave të thjeshtuara dhe moderne për të hapur procedurat e falimentimit; një model ku debitori të vazhdojë të ushtrojë biznesin (nën mbikëqyrjen e duhur), ku pjesëmarrja e kreditorëve të racionalizohet; ku të modernizohet procedura e riorganizimit gjyqësor; të rritet rëndësia e shitjes së një biznesi si dhe të thjeshtohet sistemi, duke shmangur edhe transaksionet. Këto kërkonte biznesi! Këto janë edhe një pjesë e risive që ofron ligji i ri.

Çfarë zgjidhjesh sjellim?

“Falimenti shihet si një fenomen negativ, si një lloj ‘vdekjeje civile’, por në fakt nuk është kështu, mund të shihet edhe si një fillim i ri. Duhet kurajë për të pranuar se diçka nuk shkon me planin e biznesit. E pikërisht një nga pjesët e falimentit është riorganizimi, që mund të krahasohet me reanimacionin në rastin e një personi të sëmurë. Në tregun shqiptar ka tentativa për të bërë atë që quhet “ristrukturim borxhi”, dikush shet debinë, një tjetër investon me “para të reja”, blen kapitale, aksione etj., dhe jep një fillim të ri, pra vështirësitë financiare në shlyerjen e borxheve, nuk shoqërohen me dalje në treg, – thotë prof. dr. Mariana Semini, eksperte, anëtare e grupit të punës për hartimin e ligjit.

“Ajo që na bëri përshtypje, ka të bëjë me faktin se ligji i falimentimit është një ligj që herë pas here amendohet edhe në eksperiencën e vendeve të tjera më të zhvilluara, si në Gjermani, SHBA, Itali, Kanada, por edhe të vendeve të Amerikës Latine. Grupi i ekspertëve lokalë u asistua edhe nga ekspertët ndërkombëtarë që na ofruan përvojën e tyre”, shton znj. Semini.

“Kjo punë, ky ligj i ri, ky produkt i përbashkët, a është ‘arti’ i duhur për t’i bërë problemet e fushës së falimentimit aq interesante, si dhe zgjidhjet e tyre aq konstruktive, sa që secili nga ne, aktor dhe faktor qoftë, dëshiron t’i vishet punës dhe të merret që tani me to?”- shtron me të drejtë pyetjen zëvendësministri i Drejtësisë. Ai e ka një përgjigje edhe për këtë: “Këtë do të na e tregojë bashkëbisedimi ynë i vazhdueshëm me cilindo qoftë që është i interesuar për përmirësime të mëtejshme”, ndërsa shton se “na nevojitet ky bashkëpunim dhe bashkëbisedim, pasi shumica e mospajtimeve tona vijnë edhe nga keqkuptimet”.

“Sikur ta dëgjonim më shpesh njëri-tjetrin, produktet tona do të ishin të gjithëpranuara, si ky ligj”, – nënvizon numri dy i Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.
Pritet që, shumë shpejt, ligji i ri të shoqërohet edhe me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore dhe të jetë efektiv brenda muajit maj të këtij viti./Monitor

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

“Gulf”, mashtrim 5 milionë eurosh/ Në kërkim menaxheri kryesor shqiptar, ja emri

Publikuar

-

By

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për menaxherët shqiptarë të kompanisë “Gulf”, duke shpallur në kërkim policor menaxherin kryesor, Albano Alikon.

Burime nga Prokuroria e Tiranës janë shprehur për Top Channel se objekt i hetimit nuk është mbyllja e pikave të tregtimit të karburantit, por skema mashtruese e shitjes së tollonave pak ditë para mbylljes së aktivitetit, skemë e cila dyshohet se është krijuar nga Aliko.

Prokuroria dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë shitur nëpërmjet tollonave shumë më tepër litra karburant nga sa ka patur në gjendje kompania. Ndonëse karburanti është shitur me vlerë të reduktuar brenda pak ditëve, dyshohet se nga kjo skemë janë mbledhur mbi 1,5 milionë euro.

“Gulf” ju blinte prej disa kohësh furnizuesve të mëdhenj naftë me 1500 lekë litrin dhe shiste tollonë me 1200 deri në 1300 lekë litrin. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi që “Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë, gjithsej 1.6 milionë euro në total. Ndërsa dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro.-raporton TCH.

Mbi 2 milionë euro është detyrimi që kompania kishte ndaj pikave të shitjes së karburanteve që kishte marrë me qira, të cilat thuhet se prej 4 muajsh nuk paguheshin. Në total, dëmi shkon mbi 5 milionë euro, por këtu nuk llogariten detyrimet tatimore të cilat administrata fiskale nuk i ka bërë të ditura. Për këtë arsye, përveç shpalljes në kërkim policor të menaxherit kryesor të “Gulf”-it në vendin tonë, Albano Aliko, prokuroria i ka kërkuar Tatim-taksave si dhe bankave, që të bllokojnë çdo aset apo llogari që ka lidhje me kompaninë “Gulf”, në mënyrë që të përdoren për të minimizuar sadopak vlerën e dëmit financiar që ka shkaktuar.

“Gulf” e nisi aktivitetin e vet në Shqipëri në shator të vitit 2013 me krijimin e shoqërisë “Sun Petroleum”. 6 muaj më vonë, në shkurt të vitit 2014, shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Group”, duke krijuar kështu një skemë zinxhir kompanish guaskë, përmes së cilës nuk mund të arrihet tek pronarët e vërtetë.

Ndërkohë, më 9 mars, administratori gjeorgjian i kompanisë Irakli Svanidze dha dorëheqjen për arsye që thuhen se janë personale.

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

Publikuar

-

By

Nga Sulejman GJANA

*Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një konference kushtuar Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar.

Në lajmërimin dhe ftesat e shpërndara bëhej me dije se ky aktivitet organizohej me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë dhe se konferencierët-panelistë të përzgjedhur nga ambasada do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

I kam lexuar me endje e i kam vlerësuar veprat dhe studimet e prof. Pëllumb Xhufit për historinë e vendit tonë në Mesjetë. Në mënyrë të veçantë kam vlerësuar qëndrimet dhe mbrojtjen që ai i bën si rrallëkush në Shqipëri çështjes Çame dhe interesit kombëtar në raport me fqinjët tanë jugorë. Ndaj jam trishtuar shpesh kur ai prej 2 dekadash është pozicionuar hapur si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste lidhur me LDB dhe po aq shpesh edhe si relativizues, justifikues e deri si mohues kokëfortë i krimeve të komunizimit që datojnë qysh nga themelimi i PKSH e deri në ditën e mbrame të diktaturës.

Veçanërisht debati që ai ka nisur, nxitur dhe vazhduar lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë, e ka pozicionuar Xhufin si apologjet të krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke kompromentuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike.

Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit.

Bijtë e kësaj mërgate, lindur dhe rritur në demokraci, madje në mes të kryeqytetit zyrtar të Europës ku duam ta integrojmë Shqipërinë, janë edukuar që të bashkëjetojnë me të ndryshmin dhe kundërshtarin e ideve. Ndaj ata që përkundën e përkundin djepat e bijve të tyre duke mëkuar e derdhur atdhedashuri por edhe urrejtje për sllavokomunizmin, në kushte normale do ta pranonin si panelist Xhufin edhepse ky, në shtëpinë e tij, prej dekadash përkundi dhe ende përkund djepat e stërnipave të Enver Hoxhës. Do të pranonin të bashkëbisedonin me medievalistin e shquar Xhufi për: çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur; për autoktoninë antiko-mesjetare në trojet tona etnike; për të drejtat kombëtare e pronësore të mohuara në Greqi; për marrëveshjen e detit; për Zajednicën; për të drejtat kombëtare, njerëzore e pronësore të mohuara e të cunguara në pjesën veriore të Mitrovicës, në Maqedoni, Malin e Zi, Metohi, Sanxhak, në Luginë e në mbarë Serbinë.

Sikur “këpucari” të qëndronte tek “këpuca”, sikurse këshilloi Napoleoni, do të pranonim të bashkëbisedonim me të për Skënderbe-Heroin e përbashkët, të cilit me fondet e grumbulluara anembanë botës nga emigracioni i vjetër antikomunist dhe peshën politike të merituar ia ngritëm përmendoren në mes të Brukselit 50 vjet më parë, bash në komunën e Skarbekut, në jubileun e 500-vjetorit të vdekjes.

Sikur të mos na lëndonte aq shumë, do të pranonim ta dëgjonim e të mos ia përmendnim akademikut Xhufi synimin e heshtur të Enverit për të na zhbërë nga shqiptarësia nëpërmjet shkombëtarizimit gradual me ndihmën e kohës, harresës së programuar e asaj biologjike, multikulturalizmit mbytës metropolitan dhe globalizmit asgjësues të identiteteve kombëtare.

Natyrisht që apologjetit akademik, prej finikërie e jo prej tute, nuk do t’ia ndërmendnim faktin se nga pasuritë e konfiskuara në atdhe pas LDB nga lufta e klasave dhe nga fitimet kolosale prej punës së papaguar në kampe e burgje, deri në “kursimet” shtazarake të ushqimit dhe kushteve të “jetesës”, Enveri dhe regjimi i tij nuk kursyen asnjë shpenzim për asgjësimin sitematik të nacionalistëve antikomunistë që përbënin dhe përbejnë shtresën e shëndoshtë të ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë; shtresë në të cilën emigracioni i vjetër politik e ka identifikuar dhe e identifikon vetvetën si pjesë e pandarë e saj.

Çuditërisht dhe me shkujdesje të habitshme, me aktivitetin e programuar Tirana zyrtare sërish e sfidoi dhe e ofendoi mërgatën antikomuniste që jeton prej dekadash në Bruksel teksa bash pa u shuar debati ngjethës, i vendosi Pëllumb Xhufit në krah një ish-të përndjekur si Lek Pervizi (?). Dhe për këtë u sajua kjo tribunë në Bruksel, prej ku akademikut do t’i jepej mundësia për t’u kumtuar të gjithë kundërshtarëve të vet në Shqipëri se “mua më njeh Brukseli dhe nuk pyes për ju”, se “ju jeni fanatikë të pandreqshëm”, se “në krah më rri nëpër konferenca një ish-i internuar i kampit të Tepelenës dhe ai nuk ka asnjë problem me mua, pasi e di që nuk gënjej”, etj., etj..

Mirëpo, me sa duket, qeveria shqiptare (që ende i përdor ambasadat për llogari politike) i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, teksa harroi se Europa demokratike është ndërtuar edhe mbi bazën e vlerave e parimeve më të larta morale e njerëzore. Dhe si një prej parimeve të tilla të shenjta spikat injorimi i negacionistëve të vuajtjeve të komuniteteve, racave e popullsive të pafajshme, krahas injorimit të të pa-penduarve, apologjetëve të diktaturave dhe glorifikuesve të krimeve e kriminelëve.

Fatkeqësisht, në Shqipëri këto kategori individësh vazhdojnë të vlerësohen. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse trashëgimia komuniste është akoma e fortë (dikush mund të thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me “Katovicën” për të mbërritur në këtë ditë), por sepse morali dhe etika janë nocione të pakuptimta për shumëkënd…, por edhe ngaqë vlerat dhe parimet europiane konsiderohen ende si të huaja nga politikanët dhe aparaçikët tanë të djeshëm e të sotëm.

Mbi të gjitha ky zvetënim i frikshëm moral ndodh sepse pas ’90-ës sistemi i ndërtuar mbi “rrënojat” e komunizimit ka prodhuar një politikë monstruoze me dy fytyra, që ka jetësuar realitetin absurd ku viktimat dëmshpërblehen dhe xhelatët jetojnë të lirë, mbajnë titujt, dekoratat dhe madje edhe hierarkohen në administratë, krahas lejimit të glorifikimit të veprës së tyre gjakatare dhe mohimit të krimeve nën diktaturë. Sintetizuar të gjitha këto në sloganin “bashkëvuajtës-bashkëfajtor”.

Mirëpo për fat të mirë, gjërat funksionojnë ndryshe jashtë “bahçes me lule”.

Në vendet e qytetëruara, parimet janë parime, krimet janë krime dhe mohuesit e krimeve e glorifikuesit e xhelatëve nuk kanë vend.

Në Europë, për shembull, edhe pse shkrimtari francez Seline (Louis-Ferdinand Céline) është pa dyshim një prej autorëve më novatorë të letërsisë franceze të shek. XX, ai nuk studiohet nëpër gjimnaze sepse, ndonëse ishte antikomunist i thekur, ishte edhe antisemit dhe apologjet i holokaustit ndaj jahudive.

E njëjta gjë vlen në SHBA për kineastin 85-vjeçar Roman Polanski, që u arratis në vitin 1977 prej vendit vet, ku nuk mund të shkelë më pa u dënuar për krimet prej pedofili, pavarësisht se është një prej kineastëve bashkëkohorë më të vlerësuar.

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”? Kurrën e kurrës…

“Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është më i tillë”, – thotë Hana Arendt. Sipas saj, “nuk ka fajësi kolektive apo pafajësi kolektive. Fajësia dhe pafajësia kanë kuptim vetëm nëqoftëse u personalizohen dhe u mveshen individëve…”.

“Pranimi spontan i përgjegjësisë kolektive – shkruan Arendt – dëshmon një konfuzion moral mjaft të rrezikshëm, që fatkeqësisht vërehet në shoqëritë post-totalitare”.

E si mund të ketë përgjegjësi kolektive nëse pranojmë a priori mekanizmin tmerrues të krimit gjenocidal që Arendt na zbulon, teksa thekson: “Nyja morale e krimeve monstruoze konsistonte në urdhëresën: Ti do të vrasësh jo armikun tënd, por njerëz të pafajshëm, që as potencialisht nuk ishin të rrezikshëm, dhe do t’i vrasësh jo nga domosdoshmëria…”.

Diktaturat kudo ku u jetësuan, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të konsiderohen si më i madhi rrezik, që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Këto sisteme çnjerëzore bazohen mbi shkërmoqjen e hallkave jetike që e lidhin njeriun me disa pika reference morale.

Hajdegeri na mëson se “Diktaturat kanë vetëm një armik: vetë Lirinë…, domethënë të Vërtetën, akademizmin, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artet dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë të depërtojmë në trojet e panjohura të shpirtit, ku gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, tek çdo qenie njerëzore na udhëheq kah ndërgjegjia për të qenë vetvetja”.

Ndaj jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje.

Hegeli kishte të drejtë kur shkruante se “një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral”.

Monteskjë kërkonte krijimin doemos të qytetarit në gjirin e njerëzve dhe kishte të drejtë kur shkruante se “Njeriu mund të vdesë një ditë, por qytetari duhet të mbetet dhe doemos do të mbetet”.

Tashmë, në pasdiktaturë, ne shqiptarët duhet të krijojmë institucionin e Drejtësisë bazuar mbi “Të Drejtën” dhe “Lirinë”, sepse drejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.

“Një popull që nuk arrin të bashkojë Lirinë me Drejtësinë është i humbur në gjithçka”, – shkruante Kamy.

Niçja na mëson se: “Njeriu ka nevojë ta shikojë historinë në mënyrën kritike, dhe ta vendosë atë (pra historinë) nën drejtësinë”.

Nëse pranojmë se historia është historia e njerëzimit dhe se nuk është tjetër veçse turravrapi i tij drejt lirisë (Hegeli)… nëse pranojmë edhe se veprimet e sjelljet janë forma e jashtme e moralit, – natyrshëm arrijmë në përfundimin se edhe demokracia ka nevojë dhe nuk mund të kuptohet pa moralin dhe moralizimin.

Kishin të drejtë filozofët grekë kur nënvizonin se Demokracia është ballafaqim të kundërtash dhe debat i përditshëm, teksa krahas Qytetit-(polis) ekziston edhe Konflikti-(Polemos), çka gjithashtu i jep të drejtë Kroçes kur shkruan se: Moraliteti nuk është tjetër veçse lufta kundër të Keqes…

Prandaj, për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anullojë konferencën e planifikuar me datë 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë pikërisht vlera dhe parime, pavarësisht se unë personalisht vazhdoj ta vlerësoj atë për kontributet prej historiani mesjetar dhe si një mbrojtës i mirë i çështjes Çame.

Sepse në fundore kujtojmë se edhe shejtani ishte i zgjuar, i ditur dhe adhurues i madh por Zoti e mallkoi dhe e bëri lahnet për shkak të mohimit që ai i bëri të vërtetës si dhe për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës vet.

 

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Ishte në kërkim/ Arrestohet 27 vjeçari

Publikuar

-

By

Një person ka rënë në pranga, pasi ishte dënuar më herët për armëmbajtje pa leje.

Policia ka njoftuar se Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit  në kërkim D. R. 27 vjeç, banues në Korçë.

Pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e ka dënuar këtë shtetas me 9 (nëntë) muaj e 10 (dhjetë) ditë burg, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme./CNA.al

LEXO TE PLOTE
Reklama
Reklama
Reklama
Reklama
Reklama
Reklama

AKTUALITET

Kuriozitete17:00 - 21 April, 2018

Rrezikoheni nga kanceri në fyt duke bërë seks oral? Shokon përgjigjia e mjekëve

Ekziston lidhja midis kancerit të fytit, përkatësisht regjionit oro-faringeal dhe seksit oral. E konsiderohet që infeksioni me virusin HPV nga...

Life Style16:55 - 21 April, 2018

Kush flet dy gjuhë mbrohet nga Alzheimer, profesoresha italiane flet për studimin

Studimi i gjuhëve të huaja është më të vërtetë një gjë shumë e mirë, që na lejon neve të hapim...

Life Style16:50 - 21 April, 2018

Femra, këto janë veprimet që nuk duhet të bëni kurrë në zonën intime

Çdo grua duhet të kujdeset për pjesën e saj intime, duke shmangur disa gabime thelbësore. Një zonë intime e shëndetshme...

Aktualitet16:49 - 21 April, 2018

“Gulf”, mashtrim 5 milionë eurosh/ Në kërkim menaxheri kryesor shqiptar, ja emri

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për menaxherët shqiptarë të kompanisë “Gulf”, duke shpallur në kërkim policor menaxherin kryesor,...

Kuriozitete16:45 - 21 April, 2018

Shëron veshkat, zemrën dhe përtërin organizmin: Përfshijeni thjerrëzën e kuqe në menynë tuaj!

Thjerrëza e kuqe është mirë të përdoret në menunë tuaj sepse jep energji jetësore trupit, mendjes dhe shpirtit, ka efekt...

Aktualitet16:37 - 21 April, 2018

Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat…

Nga Sulejman GJANA *Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një...

Life Style16:35 - 21 April, 2018

Si duhet ta hani hudhrën, nëse dëshironi veprim maksimal shërues

Të gjithë e dimë që është e shëndetshme të hani hudhër, ndërkaq tani e dimë edhe se si duhet ta...

Kryesore16:31 - 21 April, 2018

Majlinda Bregu flet pas Këshillit Kombëtar/ Basha lider i humbjeve

Ish-ministrja e Integrimit në kohën e PD, Majlinda Bregu e pyetur nga CNA.al (CityNewsAlbania) pas mbledhjes së djeshme të Këshillit...

Aktualitet16:25 - 21 April, 2018

Ishte në kërkim/ Arrestohet 27 vjeçari

Një person ka rënë në pranga, pasi ishte dënuar më herët për armëmbajtje pa leje. Policia ka njoftuar se Specialistët...

Life Style16:20 - 21 April, 2018

Platforma e dërgimit të e-maileve kopjon Snapchat, Risia e Gmail, mesazhet që vetëfshihen

Platforma e dërgimit të e-maileve kopjon Snapchat duke tentuar të fusë në lojë mesazhet. Sistemi më i përdorur i dërgimit...

Kronika16:18 - 21 April, 2018

Akademia e Sigurisë/ Trajnim rajonal për “Kriminalistikën e të Dhënave Live”

Si pjesë e një projekti të madh rajonal të OSCE-së për “Forcimin e Kapaciteteve të Profesionistëve të Drejtësisë Penale që...

Aktualitet16:14 - 21 April, 2018

Një pronar karburanti ndan drejtësi në Gjykatën e Lartë/ Pasuria “fundos” Shkëlzen Selimin?

Procesi i vettingut deri më tani ka “prerë” tre koka të njerëzve të drejtësisë. Fatos Lulo, nga Gjykata Kushtetuese, Besim...

Kryesore16:10 - 21 April, 2018

Saimir Tahiri, mesazh të tretë të koduar për Ramën?

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi dje në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arjan Çani se është në dijeni...

Life Style16:05 - 21 April, 2018

Shpërthen vullkani “i fjetur” prej 250 vjetësh

Në Japoni një vullkan “i fjetur” prej 250 vjetësh, shpërtheu për të ditën dytë, duke nxjerrë shtëllunga tymi e gurë....

Kuriozitete15:53 - 21 April, 2018

‘Goja macho,’ ndërhyrja estetike që bëjnë burrat për t’u dukur më burrërorë

Kush tha që fryrjet e buzëve janë vetëm për gratë? Askush në fakt, dhe prandaj burra në gjithë botën po...

Kryesore15:52 - 21 April, 2018

Si gënjeu dje Basha në Këshillin Kombëtar/ Ja fakti

Partia Demokratike pasditen e djeshme, pas katër vitesh, mblodhi Këshillin Kombëtar, ku u miratua statuti i ri. Mbledhja është shoqëruar...

Life Style15:40 - 21 April, 2018

Dieta më e shëndetshme është aq e lehtë, dhe mban emrin e ylberit

Ne duam të jemi në formë të mirë trupore, por para së gjithash duam të jemi të shëndetshëm. Studimet kanë...

Kryesore15:32 - 21 April, 2018

Lushnjarët akuzojnë Ramën për taksat/ Kryeministri vijon batutat: Ça të është ngritur ty?

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me banorë e biznesmenë në Lushnje. Takimi është shoqëruar me debate dhe...

Kuriozitete15:25 - 21 April, 2018

Mësoni pse nuk duhet ta mbani kuletën në xhepin e pasmë

Shumë njerëz që e vendosin kuletën në xhepin e pasmë të tyre e bëjnë me arsyen që të të ruhen...

Aktualitet15:23 - 21 April, 2018

“Çmendet” Garda e Republikës, do të blejë fuoristradë 365 milionë lekë

Luksi dhe siguria e zyrtarëve kushton qindra milionë lekë. Pasi rregulluan zyrat, blenë makina të shtrenjta, punësuan njerëzit e afërt...

Life Style15:10 - 21 April, 2018

Sa shpesh duhet të lahemi? Ja çfarë thonë ekspertët

Dushi i bërë çdo ditë mund të rrisë rrezikun e infeksionit tek njerëzit, paralajmërojnë ekspertët. Doza e tepërt mund të...

Kryesore Show Biz14:53 - 21 April, 2018

Vdiq papritur në moshën 28-vjeçare, çfarë e lidhte me shqiptarët Avicii-n (Foto)

Bota e muzikës është në zi, pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të producentit dhe DJ me famë...

Politikë14:52 - 21 April, 2018

Rama sulmon deputetin gjerman?/ Kundërpërgjigjet kryeministri  

Kryeministri Rama ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha, i cili tha se “Fushata kundër Kryetarit të...

Kronika14:40 - 21 April, 2018

Iu gjetën 310 kg kanabis/ Në pranga tre vlonjatët

Policia ka bërë të mundur arrestimin e poseduesve të 310 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, e cila u...

Kryesore Show Biz14:40 - 21 April, 2018

Nudo më moshën 39-vjeçare, nëna e tre fëmijëve tërheq vëmendjen me linjat

Vetëm dy ditë më parë Kourtney Kardashian festoi ditëlindjen e saj të 39-të. Motra e madhe e Kim Kardashian, me...

Aktualitet14:34 - 21 April, 2018

Topalli “shuplakë” Bashës/ PD duhet të ribëhet

Ish-nënkryetarja e PD –së Jozefina Topalli i ka dhënë një “shuplakë” kryetarit të PD –së Lulzim Bashës, i cili për...

Life Style14:25 - 21 April, 2018

5 miset që u bënë drejtuese të karteleve më të rrezikshme të drogës

1. Angie Sanselmente Angie nuk duket aspak si Mbretëreshe tipike e drogës. Por kjo vajzë me pamjen e një modeleje me...

Aktualitet14:24 - 21 April, 2018

Raporti i DASH/ Katër raketa bunkerit të Ramës, u konfirmua inkriminimi i policisë

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në një bashkëbisedim me gazetarët është shprehur se SHBA, aleati ynë kryesor...

Trending

LAJM I REKOMANDUAR:
Paralajmëron deputeti i PD/Ç’ndodhi me mbështetje të ambasadorëve, rreziku që na kanoset!

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka komentuar sërish krizën politike në vend. Bylykbashi ka sulmuar mazhorancën, e cila po...

Close